Na shkruan zonja Marjana, 59 vjeçe, më 27 gusht të këtij viti mbush 60 vjeç, ka lindur në Tiranë, ka punuar 10 vjet në Fabrikën e Bukës në Tiranë, 16 vjet në godinën e Institutit Bujqësor. Ajo pyet: “Kur do të dal unë në pension dhe çfarë dokumentesh duhen?”.
Zonja do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj, më 27 qershor të vitit 2019. Për pension të plotë do t’i kërkohen 36 vjet e 8 muaj punë. Ajo nuk i ka. Po të mbledhim çfarë ka deri më sot dalin 26 vjet punë. Por meqenëse ajo mund të jetë në marrëdhënie pune deri në qershor të vitit 2019, po t’i mbledhim dhe ato, i bëhen rreth 28 vjet punë. Për 28 vjet punë i takon të marrë 75% të pensionit të plotë. Nëse i ka mundësitë financiare, para se të arrijë moshën e pensionit, mund të bëjë sigurimin vullnetar duke shkuan në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Kamëz. Për të siguruar një vit pune duhen 62 000 lekë të reja ose 5 184 lekë të reja në muaj. Për 1 vit pensioni shtohet 2,7%. Dokumentet e pensionit janë shumë të thjeshta: libreza e punës, fotokopja e kartës së identitetit, certifikata e gjendjes familjare, certifikata e martesës sepse në përgjithësi femrat kur dalin në pension kanë mbiemrin e burrit dhe kur kanë filluar punë kanë pasur mbiemrin e vajzërisë. Me një urdhër të Kryeministrit, certifikatat e gjendjes familjare, certifikatat e lindjes dhe certifikatat e martesës i marrin sigurimet shoqërore direkt nga zyrat e gjendjes civile, u është hequr një barrë pensionistëve. I uroj zonjës shëndet dhe ta gëzojë shumë gjatë pensionin.
Jetoj jashtë Shqipërisë. Dua të di për pensionin tim. Jam 54 vjeçe. Kam punuar si mësuese 28 vjet. Jam larguar nga puna për arsyet e mia familjare. Kur mund të dal unë në pension dhe çfarë duhet të bëj që të marr një pension të plotë?
Sivjet femrat dalin në pension të plotë 60 vjeçe e 8 muaj. Vitin tjetër shtohen dhe 2 muaj. Çdo vit mosha e pensionit shtohet me 2 muaj. Ju mund të dilni në pension rreth moshës 62 vjeçe e 6 muaj. Më hollësisht, kur të vish në Shqipëri, bashkë me kartën e identitetit dhe librezën e punës do të shkosh në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, atje ku ke banesën. Vitet e punës për të marrë pensionin minimal duhen 15. Pra, ditën që plotëson moshën e pensionit, duhet të kesh të paktën 15 vjet punë. Periudha që keni vazhduar shkollën e lartë, ditën, quhet vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë, por në qoftë se ju gjatë periudhës që keni punuar në vendin tonë, keni marrë lejen e lindjes, atëherë edhe periudha e lejes së lindjes me pagesë si mësuese ku keni punuar, ju quhet përsëri vjetërsi pune.
Jam pensionist nga Shkodra. Jam 66 vjeç. Kam 6 muaj që kam dalë në pension. Kam punuar në ndërmarrjen e ndërtimit të Hidrocentralit të Fierzës dhe në Koman për 13 vjet si teknik mekanik. Nuk ekziston asnjë lloj listë-pagese. Çfarë koeficienti kam për pensionin tim? Më kanë nxjerrë pension shumë të vogël.
Duke filluar nga dita e hënë, do të bëni ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër. Komisioni përbëhet nga 4 specialistë, financierë, juristë, ekonomistë. Do të shkruash të gjitha pretendimet që ke. Do të marrësh përgjigje zyrtare nga ky komision. Por do të sqarosh çdo gjë, të gjitha të dhënat e tua. Edhe numrin e librezës së pensionit se në bazë të këtij numri ata do të gjejnë dosjen e pensionit që është në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër, pranë Bashkisë së Shkodrës. Ata do t’ju sqarojnë me shkrim. Mos prano sqarim me gojë. Përgjigjja duhet të jetë zyrtare, me firmat e të 4 anëtarëve të komisionit. Nëse firmosin 3 anëtarë, mos e prano. Nëse ti përsëri nuk bindesh nga përgjigjja zyrtare, ke të drejtë t’i dërgosh një ankesë tjetër Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Në këtë rast, ankesa juaj bëhet me postë-rekomande, në mënyrë që personi që e merr letrën, të firmosë. Afati për të kthyer përgjigje nga komisioni i Shkodrës është 30 ditë. Nëse s’të kthen përgjigje për 30 ditë, do të shkosh të takosh Drejtoreshën e Sigurimeve Shoqërore. Në rast se rezulton që atje ku ke punuar 3-4 vjet mund të mos gjenden për arsye të ndryshme, si p.sh. djegia e dokumenteve, përmbytje etj., atëherë ju keni të drejtë që me proces gjyqësor, me dy dëshmitarë që dëshmojnë që ti ke punuar në atë qendër pune, me siguri do të fitosh. Por, nuk mund të bësh asnjë hap përpara pa marrë përgjigjen zyrtare nga Komisioni i Ankimit.
Jam 58 vjeçe. Jam ende në punë. Kam gjithsej 32 vite pune, 3 vjet i kam paguar sigurimet. Tani më thonë që duhet të mbush moshën 61 vjeçe dhe të punoj akoma që të më dalë pensioni i plotë. Në rast se unë e lë punën tani nuk më del i plotë pensioni.
Sqarimi i punonjëseve të Sigurimeve Shoqërore në Durrës, është i saktë. Sivjet femrat dalin në pension 60 vjeçe e 8 muaj. Ti nuk je 60 vjeçe këtë vit. Do të dalësh më vonë. Vitin tjetër shtohet 2 muaj, pra bëhet 60 vjeçe e 10 muaj. Aktualisht për të marrë pension të plotë sivjet, duhen 36 vjet e 4 muaj vite pune. Ju keni 35 vite pune. Vazhdo të punosh.
Kam punuar 40 vjet në arsim. Kam arsim të mesëm. Dola në pension në datën 1 dhjetor 2017. Mirëpo pensioni më ka dalë 235 000 lekë të vjetra. Nuk e di se si llogaritet shuma e pensionit. A është e saktë?
Zonja ka dalë në pension më 1 dhjetor 2017. Nëse ka punuar në shkolla shtetërore, ka marrë edhe një rrogë shpërblim sepse të gjithë punonjësve që kanë punuar në institucione shtetërore, kur dalin në pension, u jepet një rrogë shpërblim. Për të marrë pension të plotë, deri më 31 dhjetor të vitit 2017, duhej mosha 60 vjeç e 6 muaj që ju e keni plotësuar prandaj keni dalë në pension, dhe 36 vite pune. Ju keni pasur 40 vjet. Nuk është njësoj pensioni. Në ligjin e ri të Sigurimeve Shoqërore thuhet: “Shuma e pensionit nga 01.01.2015 e këtej, nuk ka tavan”. Për ju, pensioni është llogaritur kështu: 40 vite punë – 40% të pagës mesatare (kush ka 36 vite pune – 36% të pagës mesatare). Arsimtarët me arsim të lartë kanë pagë më të lartë mesatare se sa ata me arsim të mesëm, rrjedhimisht edhe pensionet i kanë më të larta. Nëse ke vërejtje për shumën e pensionit, çdo të mërkurë, ka pritje Drejtori i Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, por mund të bësh edhe një ankesë me shkrim, në rast se nuk mund ta takosh personalisht.
Kam gruan 57 vjeçe dhe nuk ka asnjë dite pune. I takon pension apo jo?
Sivjet dalin në pension femrat në moshën 60 vjeçe e 8 muaj. Ajo është 57 vjeçe, nuk del sivjet në pension. Del pas 4 viteve. Për të marrë pension duhet të ketë të paktën 15 vite pune të siguruara në vendin tonë ose duke ose duke bërë sigurime në bujqësi, se janë më të lira, nëse ka marrë tokë sipas ligjit, keni blerë ose keni marrë tokë me qira në qarkun ku banon. Këto të dokumentuara. Në rast se nuk keni tokë në Tiranë, për të marrë pension, duhet të bëjë 15 vite pune para se të plotësojë moshën e pensionit. Se në cilën datë ajo e plotëson konkretisht moshën e pensionit, duhet të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, me kartën e identitetit. Duhet të bëjë 15 vjet sigurime vullnetare. Ndodh që nuk ke mundësi nga ana financiare. Atëherë në moshën 61-vjeçare apo 62-vjeçare, kur Sigurimet Shoqërore të kenë caktuar datën e daljes në pension, nuk merr asnjë qindarkë pension. Në këto raste vetëm në moshën 70-vjeçare përfiton pension social, nëse banon në Shqipëri 5 vitet e fundit. Aktualisht shuma është 7 100 lekë të reja.
Në vitin 1992 kemi dalë në asistencë dhe jemi akoma me asistencë. Burri është me asistencë. A merret për bazë kjo për pension?
Mirë është që të telefonojë burri. Asistencë nga viti 1992 e deri tani nuk ka. Asistenca është 1 vit. Pastaj ose merr ndihmë ekonomike që nuk quhet vjetërsi pune ose duhet të punosh. Burri të marrë dokumentet që ka dhe të shkojë te Sigurimet Shoqërore.
Na shkruan zonja Naxhie Dushkaj nga fshati Dobraç në Shkodër: “Më 29 nëntor 2014 plotësova moshën e pensionit, 60 vjeçe dhe kam 39 vite e 5 muaj punë të siguruara. Por vazhdova të punoj deri më 10 janar 2015. Do të dal në pension me ligjin që ishte në fuqi deri më 31 dhjetor 2014 apo me ligjin e ri të pensioneve që hyri në fuqi më 1 janar 2015?”.
Zonja e nderuar dhe të gjithë qytetarët do të dalin në pension me atë ligj që është në fuqi kur plotëson moshën 60-vjeçare. Deri më 31 dhjetor 2014 mosha për daljen në pension të grave ka qenë 60 vjeç. Nga 1 janari 2015 filloi të shtohej nga 2 muaj për çdo vit. Ajo do të dalë në pension në moshën 60 vjeçe. Do të marrë pension të plotë. Ajo shkruan se qendra e punës e ka mbajtur në punë deri sa e zëvendësoi. Atëherë, për çdo muaj që ka punuar, nga 29 nëntori i vitit 2014 kur ajo e ka plotësuar moshën për pension, deri ditën që doli në pension, ajo do të marrë 0,5% shtesë mbi pension.
l.q/Shqiptarja.com