TIRANE- “Shteti Shqiptar i ka hapur luftë muslimanëve muxhahedinë dhe këta të fundit do i përgjigjen me të njëjtën mënyrë”. Kështu shprehen në Facebook, disa prej adhuruesve të Genci ose Abdurrahim Ballës, të vetëshpallurit si “Imam”, i arrestuar nga prokuroria si kreu i një celule muxhahedinësh në Tiranë.

Në faqen e Facebook “Kundër arrestimit të hoxhës Abdurrahim Balla”, lëshohet dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për zyrtarët e Komunitetit Mysliman në Tiranë, të cilëve u kërkohet të reagojnë dhe dënojnë krimin e pushtetit ndaj vëllezërve të tyre që përpiqeshin të lartësonin fjalën e Allahut.

Pritet që ditën e sotme idhtarët e imamëve të arrestuar, do të protestojnë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës në mëngjes dhe para godinës së Kryeministrisë, në mbrëmje. Për protestën, ata ftojnë të gjithë hoxhallarët në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, të bëjnë thirrje nga falja e xhumasë, me qëllim grumbullimin e sa më shumë personave në protestë.

Mesazhi kërcënues
“Dijeni se vdekja është e vërtetë dhe jeta është e rremë”. Ky është mesazhi kërcënues që idhtarët e imamëve të arrestuar, kanë lëshuar për zyrtarët e Komunitetit Mysliman. Në pikën katër të njoftimit për protestë thuhet: ”I kujtojmë Këshillit të Komunitetit Mysliman se mbajnë përgjegjësi njerëzore dhe institucionale për të dënuar dhe cilësuar si krim, veprat e pushtetit ndaj vëllezërve tanë që lartësojnë fjalën e Allahut. Dijeni se vdekja është e vërtetë dhe jeta është e rremë. Do presim reagimin tuaj”. Ky kërcënim vjen disa ditë pasi Komuniteti Mysliman, nëpërmjet një deklarate pohoi se 8 personat e arrestuar si xhihadistë nuk janë pjesë e tyre dhe askush nga imamët nuk ishin të regjistruar si të tillë.

Adhuruesit e kryqit
Në thirrjen për protestë thuhet se: “Lusim çdo mysliman që ka mundësi të marri pjesë në tubimin kundër arrestimit të padrejtë të vëllezërve, vetëm për shkakun se lartëson fjalën e drejtë të Allahut. Xhihadinin nuk e shpiku asnjë hoxhë, por është obligim i vendosur për umetin e Pejgamberit salAllahu aleji ue selem. Dijeni se fitorja është me Allahun. U themi adhuruesve të kryqit të Amerikës dhe jehudëve, se gjaku dhe liria e myslimanit është më e shtrenjtë se e tyre, nëse kuptojnë dhe të zotët e mendjes të korrigjojnë gabimin e tyre”.

Shkrimi u publikua sot (14.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)