Grupet për të drejtat e njeriut thonë se dhjetëra punëtorë nga Bangladeshi, të punësuar në një fabrikë gomash në verilindje të Serbisë, që është në pronësi kineze, janë përballur me abuzime në punë që mund të përbëjnë trafikim të qenieve njerëzore, duke rikthyer vëmendjen tek investimi kyç kinez që për vite me radhë është përballur me polemika lidhur me trajtimin e punëtorëve të huaj.

Prokurorët serbë konfirmuan më 28 janar se kanë marrë një raport që pretendon se ka ndodhur trafikim i njerëzve dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve lidhur me punëtorët nga Bangladeshi në fabrikën e gomave Linglong që gjendet afër qytetit të Zrenjaninit.

Autoritetet thanë se çështja po shqyrtohet, por nuk kanë njoftuar për ndonjë aktakuzë.

“Një numër punëtorësh, me asistencë ligjore, arritën të marrin pagat e papaguara, dhe të gjithë punëtorëve iu kthyen pasaportat”, tha për Radion Evropa e Lirë Marija Andellkoviç, drejtoreshë e Astra-s, një OJQ serbe që mbështet viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo shtoi se disa punëtorë u transferuan në Qendrën shtetërore të Serbisë për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Sipas Astra-s dhe grupeve të tjera që luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore në Ballkan, të cilat bënë publike këto akuza gjatë një konference për media, më shumë se 40 punëtorë nga Bangladeshi shkuan në Serbi në qershor të vitit 2025 pasi u rekrutuan nga agjenci punësimi në Bangladesh.

Shumë prej tyre u futën në borxhe deri në 10.000 dollarë për të siguruar një vend pune, një praktikë që, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, i bëri ata të cenueshëm ndaj shfrytëzimit edhe para se të arrinin në Serbi. Shumë punëtorëve po ashtu iu konfiskuan pasaportat sapo arritën në Serbi për të punuar në fabrikë.

Këto akuza janë pjesë e fundit e një serie pretendimesh për punë me detyrim të lidhura me fabrikën Linglong, që paraqet një gur themel të partneritetit ekonomik të Serbisë me Kinën. Akuza të ngjashme më parë përfshinin punëtorë vietnamezë dhe indianë, gjë që nxiti paralajmërime nga institucione ndërkombëtare, përfshirë Parlamentin Evropian dhe Komitetin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Punëtorët nga Bangladeshi refuzuan të flasin për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se kanë frikë për sigurinë e tyre. Kompania Linglong nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave për koment.

Shërbimi i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së vitin e kaluar ndaloi importet e gomave të Linglong-ut, të prodhuara në Serbi, duke u thirrur në dëshmi për punë me detyrim.

Kompania Linglong hapi zyrtarisht fabrikën e saj në Serbi në shtator të vitit 2024, pas pesë vjetësh ndërtim. Me vlerë rreth 950 milionë dollarësh, projekti u cilësua nga Qeveria serbe si një investim me rëndësi kombëtare dhe konsiderohet një shtyllë e forcimit të lidhjeve ekonomike dhe politike të Beogradit me Pekinin.

Rekrutimi, borxhet dhe pasaportat e konfiskuara

Që kur shkuan në Serbi, punëtorët u punësuan në objektet për prodhim të Linglong-ut, megjithëse kompania nuk figuron si punëdhënësi i tyre në kontratat që janë analizuar nga OJQ-të.

Në vend të kësaj, dokumentet përmendin një kompani ndërmjetëse serbe, Mega Green Plus, me seli në fshatin Basaid, rreth 30 kilometra larg nga Zrenjanini.

Kompania Mega Green Plus, e themeluar në fund të vitit 2024 dhe në pronësi të një shtetasi kinez, nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë. Sipas të dhënave publike, kompania raportoi një humbje të vogël financiare më 2024 dhe nuk ofron asnjë informacion tjetër për stafin ose licencat për rekrutim të punëtorëve të huaj.

Punëtorët u thanë grupeve për të drejtat e njeriut se paguheshin më pak se paga minimale në Serbi, që është rreth 660 dollarë në muaj, dhe nuk kompensoheshin për orët shtesë, gjë që është e paligjshme sipas ligjeve serbe. OJQ-të e përfshira në këtë çështje thanë po ashtu se pasaportat e punëtorëve u mbajtën nga punëdhënësi për muaj të tërë.

“Kur disa punëtorë kërkonin rrogat e papaguara ose kthimin e dokumenteve të tyre, ata u përballën me frikësim dhe kërcënime”, tha për Radion Evropa e Lirë Tara Rukeci Millivojeviç nga Zrenjanin Social Forum, një OJQ në Serbi që dokumenton për vite të tëra abuzimet me punëtorët në këtë fabrikë.

Fotografitë e ndara me Radion Evropa e Lirë nga OJQ-të tregojnë kontejnerë të ngushtë pranë fabrikës, me shumë shtretër të vendosur në një dhomë të vetme. Aktivistët thanë se shpesh gjashtë deri në shtatë punëtorë ndanin një dhomë, duke fjetur në shtretër pa dyshek dhe duke përdorur ngrohës elektrikë gjatë dimrit, të vendosur afër shtretërve.

“Ata flenë, gatuajnë dhe lajnë rrobat në të njëjtën hapësirë”, tha Rukeci Millivojeviç, duke shtuar se punëtorët ishin ankuar për ushqim me cilësi të dobët, tualete të papastra dhe tuba që rridhnin.

Prokuroria e Lartë Publike në Zrenjanin njoftoi se policia, inspektorët e punës dhe qendra kundër trafikimit janë të përfshirë në shqyrtimin e rastit, por nuk ofroi një afat kohor se kur mund të dalë me gjetje. Institucione të tjera shtetërore nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Grupet për të drejtat e njeriut kritikuan atë që e përshkruan si një model hetimesh të vonuara ose të paplota në raste të mëparshme që lidhen me Linglong-un.

“Fakti që disa punëtorë morën pagesa të pjesshme nuk do të thotë se rasti është zgjidhur”, tha Rukeci Milivojevic.

“Ka ende tregues seriozë se mund të jenë kryer vepra penale”.

Për shkak të çështjeve të diskutueshme në të kaluarën, Shërbimi i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit i SHBA-së lëshoi në dhjetor të vitit 2025 një urdhër ndalimi për importet e gomave të makinave të prodhuara nga Linglong-u në Serbi, duke u thirrur në pretendime se ato ishin prodhuar përmes punës me detyrim.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i hodhi poshtë këto pretendime pas ndalesës së vendosur nga SHBA-ja.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se akuzat e reja që përfshijnë punëtorë nga Bangladeshi sugjerojnë se praktikat abuzive të punës në fabrikën e Linglong-ut nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një sjelljeje të përsëritur.

“Kushtet çnjerëzore vazhdojnë të përsëriten”, tha Andellkoviç. “Dhe, reagimi i shtetit mbetet i pamjaftueshëm”./REL