‘Kërkime në gjenetikën e popullatës shqiptare’, simpozium në Akademinë e Shkencave

‘Kërkime në gjenetikën e popullatës shqiptare’, simpozium në Akademinë e Shkencave

Simpoziumi “Kërkime në gjenetikën e popullatës shqiptare” u mbajt sot më 07 qershor 2022 në sallën “Aleks Buda”. I organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, komisioni i biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë dhe komisioni i mjekësisë, simpoziumi u çel nga akad. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike.

Akad. Frashëri iu uroj mirëseardhjen të pranishmëve në emër të Kryesisë së ASH dhe tha se në këtë simpozium jemi mbledhur për të diskutuar për një fushë ku përplasen disiplina nga më të ndryshmet, duke filluar nga fizika kuantike, matematika, teoria e informacionit, historia, antropologjia, etika, etj.

Kemi të bëjmë me një dukuri natyrale që përbën faktikisht bashkë me sistemin nervor mekanizimin më kompleks të ruajtjes dhe përpunimit të informacionit. Orientimi i këtij simpoziumi ka të bëjë me dukuri gjenetike të popullatës shqiptare, një drejtim ky relativisht i ri, sa interesant, aq edhe me probleme, tha akad. Neki Frashëri.

Përshëndetën prof. Anila Paparisto, zv.rektore e Universitetit të Tiranës dhe prof. Suela Këllicci, zv.rektore e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë të cilat folën për arritjet kërkimore në universitetet përkatëse dhe zhvillimin e mundësitë e bashkëpunimit me kërkuesit shkencorë të fushave të ndryshme.

Akad. Efigjeni Kongjika, Kryetare e komisionit të biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë (BBV) të Akademisë së Shkencave në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të kërkuesve shkencorë me komisionet, njësitë dhe qendrat e ngritura pranë ASH,  siç është komisioni i mjekësisë dhe e konsideroi një ngjarje të rëndësishme shkencore ngritjen  e njësisë së bioteknologjisë dhe gjenetikës pranë ASH, që ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit me qendra të ndryshme shkencore.

Akad. Kongjika tha se studimet në fushën gjenetikës së popullatës shqiptare përbëjnë një nga objektivat parësorë, jo vetëm për kërkime specifike në fushat e shkencës, por edhe për shëndetin e popullatës.

Akad. Ilia Mikerezi, Akademia e Shkencave, prezantoi punimin “Vlerësime të proceseve të migrimit në popullatën e zonës Delvinë – Sarandë përmes teknikës së izonimisë. Ai theksoi se analizat e treguesve të ndryshëm të strukturës gjenetike tregojnë që, në zonën Sarandë-Delvinë, popullatat më të hapura ndaj proceseve migratore janë: Delvinë, Ksamil, Lukovë, Sarandë. 

Popullatat më të izoluara ndaj proceseve migratore janë: Dhivër, Finiq, Konispol, Mesopotam. Prirjet e dukurive migratore shfaqen me migrime të grupeve të vogla dhe jo migrime  individuale.

Prirjet e izolimit sipas distancës paraqiten me efekt të papërfillshëm. Sipas rezultateve të analizave multivariate rezulton se prirjet e marrëdhënieve gjenetike midis popullatave në studim shfaqen sipas vend ndodhjes së tyre gjeografike.

Ela Zaimi, Instituti i Policisë Shkencore, Tiranë foli për gjenetikën forensike. Msc.Alban Lauka prezantoi punimin “Prejardhja e fiseve Krasniqe dhe Nika nën dritën e të dhënave gjenetike, historike dhe traditës burimore”, me bashkautor Ardian Muhaj, Instituti i historisë (ASA) dhe Gjergj Bojaxhiun. 

Rezultatet e këtij punimi tregojnë që anëtarët e të dy fiseve u takojnë vijës atërore J2b2a (J-M241) dhe degëzimit të saj J2b2a1 (J-L283), e cila i vendos brenda spektrit të larmisë së sotshme gjenetike shqiptare, 15% e popullates por 25% ndër gegët.

Në popujt e tjerë përreth, J2b2a gjendet ndjeshëm më rrallë. Në studime të ndryshme gjenetike mbi rumunët, serbët, grekët, kroatët, boshnjakët e bullgarët përqindja e haplogrupit J2b nuk i kalon 5%. Edhe në Itali, frekuenca lëviz nga zero deri në 8.3% sipas rajonit.

Në planin filogjenetik, jashtë vetë dy fiseve në shqyrtim, lidhja më e afërt e gjetur deri sot, llogaritur nga YFull si rreth 800- vjeçare, është me një person po nga Tropoja, të fisit Gash Guri, fshati Luzhë. Fqinjësia e sotshme gjeografike mes Krasniqes, Nikajt dhe Gashit ka vijuar me pak ndryshime të paktën prej fillimit të shekullit të XVII, kur Gjergj Bardhi i përshkroi si Krasniqen edhe Gashin pranë bregut verior të Drinit. Afria tashmë e zbuluar gjenetike sugjeron përhapjen fillestare të trungut mashkullor prej të cilit rrjedhin të tria fiset.

Lidhja në kontekst kohor mesjetar të hershëm vazhdon me fise në Lurë/Mirditë/Mat dhe Kastratin në Malësi të madhe dhe në distanca akoma më të largëta me fisin Orosh të Mirditës.-tha Alban Lauka, i cili e përcaktoi popullsinë shqiptare si popullsinë me identitet më të lartë në Europë. 

Msc Armanda Deda, Instituti i Policisë Shkencore, Tiranë, foli për përcaktimet e atësisë, problematika dhe dinamika, trajtuar:

a) në rastet civile; kur pranë IPSH vjen një vendim nga Gjykata Civile, me objekt: njohje atësie, kundërshtim atësie, vërtetim i faktit juridik dhe

b) në rastet kriminale; përcaktim atësie i një fëmije të lindur si pasojë e një MSDH me të mitur me të rritur apo me persona të pazotë, përcaktim atësie i një fetusi të palindur kur shtatzënia është ndërprerë.

Në të gjitha rastet, me vendim të Prokurorit\ Gjykatë dhe e metodat e specializuara për ekstraktimin e ADN-së.  Dr. Ariol Rama, departamenti i biologjisë, UT foli për variantet gjenetike rs10757278 dhe rs 1333049 në lokusin e kromozomit 9p21 në infarktin e miokardit dhe sëmundjes së arterieve koronare në popullatën shqiptare Studimi i tij u mbështet në rolin e gjenit MEF2A , CYP27A1  dhe ST6GALNAC5 në sëmundjen e arterieve koronare dhe bëri

Interpretimin e imazheve të përftuara nga leximi i ADN-së së amplifikuar (rs10757278) Prof. Edor Kabashi, Instituti i sëmundjeve gjenetike, Paris, Francë, foli për rëndësinë e gjenetikës për avancimet e sëmundjeve neurologjike. Prof. asoc. Fahri Gavazaj nga Prishtina, Kosovë referoi për përdorimin e metodave të ndryshme të analizave gjenetike në forensikë.

Në fund të simpoziumit pati diskutime. Arkeologu prof.dr. Neritan Ceka tha gjatë këtyre diskutimeve se paraqitja e rezultateve të punimeve është identike me atë që ka nxjerrë arkeologjia në një kontekst tjetër. Kërkues të fushave të ndryshme shtruan pyetje me interes  për argument më të zgjeruar të punëve të prezantuar në këtë simpozium.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja