GREQI- Greqia ka mohuar sot zyrtarisht zërat se ajo ka filluar kërkimet për naftë në det, brenda territorit shqiptar. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë z Konstantinos Koutras, duke ju përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me disa shkrime në shtypin shqiptar sipas të cilave, zonat të cilat do të tenderohen prej qeverisë greke për kërkim dhe shfrytëzim nafte dhe gazi natyror, shtrihen edhe brenda ujërave territoriale shqiptare, deklaroi se:
 
 “Greqia respekton plotësisht të Drejtën Ndërkombëtare mbi Detin. Është bërë kujdes që zonat që do të tenderohen, të mos krijojnë absolutisht asnjë problem me asnjë prej vendeve fqinje dhe në rastin konkret, me Shqipërinë. Sigurisht që kuadri ynë i referimit është gjithmonë , pranimi i përbashkët dhe respektimi i së Drejtës Ndërkombëtare të Detit’’.

Deklarata e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme është në të njëjtën linjë me atë që shprehu 3 ditë më parë mbi këtë çështje, edhe ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos.
 
Gjatë ditës së sotme, edhe shtypi shqiptar, duke iu referuar mediave greke, shkroi se Greqia ka nisur kërkimet në det, brenda kufijve shqiptarë, gjë që ngjalli pakënaqësi.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)