TIRANË- Një shtetas italian i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia kufitare e Rinasit me qëllim ekstradimi drejt Francës.

Në prangat e policisë ka rënë Alessandro Giorgi, 41 vjeç, banues në Itali, i cili kërkohej nga Interpoli pasi ishte dënuar për mashtrim nga drejtësia franceze.

Italiani po udhëtonte nga aeroporti i Romës në drejtim të aeroportit të Rinasit, ku dhe u bë arrestimi provizor i tij.

Njoftimi i policisë:

Rinas

Arrestohet përkohësisht një shtetas italian i shpalluar në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi drejt Francës.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas bënë arrestimin provizor të shtetasit italian të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

- Alessandro Giorgi, 41 vjeç, banues në Itali.

Ky shtetas është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Parisi/Francë, pasi Gjykata De Dresse në Francë ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi” parashikuar nga nenet 313/1, 313-1 Al.2, 313-7, 323-8 të Kodit Penal Francez.

Ky shtetas po udhëtonte nga aeroporti i Romës në drejtim të aeroportit të Rinasit, ku dhe u bë arrestimi provizor i tij.

Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga zyra e Interpolit në Tiranë.