Sipas kallëzimit të bërë prej tyre në policinë e Kavajës, Bizhdilli u ka shitur 2 apartamente të cilat ua kishte shitur më herët personave të tjerë.
Shpëtim Bizhdili i njohur ndryshe me emrin Nexhat, dyshohet se ka shitur dy herë apartamentet në fshatin turistik Shpëtimtari në Golem.
Ai është shpallur në kërkim nga policia pas kallëzimit të qytetarëve, të cilët kuptuan mashtrimin pasi u përballën me pronarët e tjerë të apartamenteve që kishin blerë nga Bizhdilli.
Ky nuk është rasti i vetëm që Bizhdili ka probleme me drejtësinë shqiptare, pasi ai është marrë i pandehur për akuzën e “Paracaktim i rezultatit në garat sportive”. Ndërkohë në Itali mësohet se është dënuar për disa vepra penale.
Bastet për serbët
Dy vite më parë prokuroria ka zbardhur dosjen e trukimit të ndeshjeve të futbollit nga presidenti i klubit futbollistik të Kavajës, Shpëtim, alias Nexhat Bizhdili. Mësohet se Bizhdili kërkonte të trukonte ndeshjet fillimisht për një kompani bastesh serbe dhe më pas për ndere dhe miqësi, kundrejt 15 mijë dollarëve amerikanë. Prokuroria ka zbardhur edhe bisedat që Bizhdili ka bërë me presidentin e klubit të Tomorit, zyrtarëve të ekipit të Tiranës, përfaqësuesit e klubit Apolonia, me trajnerin e para të rinjve të ekipit të Lushnjës, arbitra, futbollistë dhe portierë të ekipeve të ndryshme.
Gjatë gjithë këtyre bisedave mes tyre, Bizhdili ofronte nga 10 milionë lekë për trukimin e ndeshjeve të futbollit. Në disa raste, sipas akuzës, Bizhdili kërkonte trukimin e ndeshjes për ndere, por edhe për përfitime financiare. Protagonistët e këtyre bisedave telefonike, të pyetur nga Prokuroria, kanë pranuar se presidenti i klubit të Besës u ka ofruar lekë për të trukuar ndeshjet e futbollit.
Përfundimi
Nëse akuzat e Prokurorisë do të vërtetohen, Nexhat Bizhdili rrezikon burgun, por pasojat e dënimit të tij do të zgjeronin gamën e hetimeve, por njëkohësisht edhe kampionati shqiptar, sidomos Kategoria Superiore, do të pësonte ndryshime.
Besa do të dënohej nëse vërtetohen akuzat, shto këtu edhe ndonjë ekip tjetër që Bizhdili ka toleruar ose ka blerë ndeshjen. Por jo vetëm kaq. Nëse Bizhdili do të rrëfehej, shumë aktorë mund të përfshihen në këto hetime, deri në homologë të tij apo pjesëtarë të FSHF-së. Është vetëm maja e ajsbergut, pasi në këtë çështje ishin të përfshirë shumë, që nga presidentë klubesh, gjyqtarë, futbollistë, trajnerë dhe deri në nivele më të ulëta. Gjithsesi, është faza e parë e një hetimi, që tashmë ende ndodhet në proces gjykimi në gjykatën e Kavajës. Kjo pasi dosja i është transferuar kësaj gjykate nga prokuroria e Tiranës.
Hetimet, Bizhdili nuk pranoi akuzën e trukimit të ndeshjeve
Gjatë marrjes në pyetje për trukimin e lojrave sportive, Bizhdili ka treguar në prokurorinë e Tiranës se ai nuk kishte lidhje me akuzat e ngritura. Sipas tij, e gjitha kjo po bëhej me qëllim për të dëmtuar imazhin e tij dhe ekipin e futbollit të “Besës”. Bizhdili njihet si ndërtues në Kavajë dhe Golem, ndërkohë që ndërtime ka kryer dhe në Tiranë. Ky ka qenë rasti i parë në Shqipëri që ndaj një president klubi futbolli është nisur hetim për trukimin e ndeshjeve sportive. Bizhdili njihet dhe si person me precedent penal në Itali, pasi dyshohet se drejtësia e këtij shteti e ka dënuar me disa vite burg.
Njoftimi i policisë/ Bizhdilli u procedua më 30 korrik për akuzën e mashtrimit
Më datë 30.07.2015 u procedua ne gjendje te lire shtetasi, Shpëtim Bizhdilli 52 vjec, lindur dhe banues ne Kavajë i dyshuar për veprën penale të “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal, pasi në ngarkim të tij ka bërë kallzim penal shtetasi R. H, 64 vjec, lindur ne Durres dhe banues ne Kavaje.
Ky shtetas ka kallzuar se: më datë 25.07.2014 i ka blerë një apartament shtetasit Shpëtim Bizhdilli , në kompleksin “Fshati Turistik” tek Mali i Robit Golem Kavajë, në pronësi të shoqërisë “Shpëtimtari” sh.p.k., administrator i së cilës është ky shtetas, banesen e ka nlete me një vlere të cilën ja ka likuiduar tërësisht duke marrë dhe çelësat e këtij apartamenti.
Pas kësaj shtetasi R.H ka mësuar se këtë apartament shtetasi Shpëtim Bizhdilli ja kishte shitur më parë një personi tjetër, apartament të cilin e posedonte ky person. Për këtë nga ana jonë u kryen veprimet e para proceduriale hetimore, materialet do ti dërgohen Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprën penale të lartpërmendur, në ngarkim të shtetasit Shpëtim Bizhdillit
Redaksia Online
(Gre.M/a.h/Shqiptarja.com)