TIRANE-Fondacioni ”Down Syndrome Albania“ protestoi pasditen e sotme para parlamentit në nisje të seancës plenare, që shënoi edhe sesionin e ri pas rikthimit të deputetëve nga pushimet. Protesta e fondacionit ishte kundër gjuhës së përdorur nga deputeti i djathtë Myslim Murrizi gjatë debatit me një komentues në rrjetet sociale.

Me pankarta në duar me mbishkrimet 'Kërko falje dhe jep dorëheqjen, luftoni injorancën tuaj, edhe unë kam ndjenja dhe dashuroj!! Edhe ti, apo jo? Sindroma Down nuk është sëmundje" protestës iu bashkua edhe këngëtari i njohur Landi Hysi i grupit “West Side Family”, por edhe personazhe të tjerë në mbështetje të tyre.

Myslim Murrizi gjatë seancës së sotme parlamentare

Murrizi e cilësoi një qytetar si 'Down' gjatë debatit duke sjellë reagimin e fondacionit. Në protestë ishin persona me sindromën Down dhe familjarë të tyre. "Ne gjykojmë që gjuha e përdorur nga deputeti është një praktikë e dëmshme kundrejt komunitetit të personave me aftësi të kufizuara dhe specifikisht personat me sindromën Down dhe familjarëve të tyre pasi nxit diskriminim, urretjen, promovon stereotipet dhe prek dinjitetin e tyre dhe të familjarëve të tyre" thuhej pak ditë më parë në reagimin e Fondacionit "Down Syndrome Albania“ që drejtohet Emanuela Pepkola Zaimi, ndërsa sot protestuan para parlamentit.  

Ndërkohë që deputeti Murrizi i zgjedhur në Lushnje në zgjedhjet e 2017 dhe që u përjashtua nga Basha, pasi nuk pranoi që të digjte mandatin, ende nuk ka reaguar.