Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda. Këtë kërkesë Veliaj e artikuloi që në seancën e 2 shkurtit që u mbajt në GJKKO.

Sipas burimeve, mësohet se relatori i çështjes, që do të shqyrtojë kërkesën e Veliajt është gjyqtari Bib Ndreca.

Gjatë seancës së fundit në GJKKO pati përplasje mes kryebashkiakut Veliaj dhe trupit gjykues. Veliaj braktisi sallën e gjyqit me pretendimin se nuk u dëgjua nga trupi gjykues.

Pas seancës, Veliaj përmes mbrojtjes së tij deklaroi se procesi ndaj tij i ka kaluar kufijtë e çdo standardi minimal të një gjykimi të rregullt ligjor.

Veliaj deklaroi gjithashtu se nuk i ishte dhënë mundësia nga trupi gjykues për t’u njohur me dosjen dhe për të organizuar mbrojtjen e tij.

Kujtojmë se Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt të vitit të kaluar.