Në dhjetor të vitit 2019, Agron Tufa dha dorëheqjen si drejtor ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), ndërsa u largua nga Shqipëria duke kërkuar azil politik në Zvicër. Pas një përplasje në distancë me Spartak Brahon, Tufa pretendoi se kërkoi strehim politik për shkak të kërcënimeve që ka marrë dhe pasiguria për jetën e tij dhe të familjes se tij në vendin tonë. Tufa u zgjodh Drejtori Ekzekutiv i ISKK-së me 7 vota pro nga anëtarët e bordit, në 15 mars 2018. Pas katër vitesh zbulohet se z. Tufa është zgjedhur ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare.

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për auditimin e veprimtarisë së Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK) dhe Institutit të Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë, për periudhën janar 2018 deri në qershor 2022, thuhet procedura e zgjedhjes së Tufës si drejtor ekzekutiv i ISKPK nuk është bazuar në një rregullore dhe për më tepër një anëtar ka marrë ‘pjesë’ në mbledhje përmes telefonit, ndërsa një tjetër përmes skype. Gjithashtu nuk ka pasur as shpallje kandidature.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se ISKPK ka funksionuar si ‘han pa porta’. Shumica e dokumentacionit hyrës në ISKK nuk është i vulosur në protokoll. Në procesverbalet e mbledhjeve të Bordit Drejtues në thuajse 98% të rasteve mungojnë firmat e anëtarëve. Pra, veprimtaria reflektohet mbi dokumentacion fals. Gjithashtu, janë konstatuar vendime të bordit pa numër, duke sjellë pasoja. Në raport konstatohen shkelje të rënda sa i takon kolonës së botimeve, ndërsa lidhur me mënyrën e organizimit të konferencave nuk ka një akt nënligjor ku të bazohet ky proces.

Gjatë periudhës 2018-2022, KLSH ka konstatuar abuzime me procedurat tenderuese, ku janë në tre raste shpallur fitues subjekte që nuk plotësojnë kriteret. Gjithashtu, dosjet e personit janë të mangëta. Nga auditimi nuk rezulton të jenë nxjerr përgjegjësi apo të jenë marrë masa administrative në lidhje me vendimet gjyqësore për largimet nga puna në kundërshtim me ligjin.