Nga sot, transporti publik Urban dhe Interurban ka reduktuar deri në 30% numrin e autobusëve, masë që sipas operatorëve është e detyruar përballë kostos së papërballueshme financiare, nga çmimi i lartë i karburantit.

Dashnor Memaj, Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, tha për Report Tv se institucionet duhet të ndërhyjnë menjëherë, pasi reduktimi i autobusëve do të jetë edhe më i madh, deri në pikën ku asnjë nuk do të dali në rrugë dhe kjo do të sillte një kaos për qytetarët.

“Do të ketë një reduktim edhe një pikë më të madhe, ku operatorët mos të nxjerrin asnjë autobus në rrugë. Jemi në prag të sezonit shkollor, prandaj vëmendja duhet të jetë e shtuar dhe mos të neglizhohet. Kjo është situatë emergjente dhe ndërhyrja duhet të jetë urgjente. Linjat Kombinat-Kinostudio, Tiranë e Re dhe Tiranë -Kamëz kanë fluksin më të madh dhe kjo situatë ndihet më shumë. Jemi në 1 shtator dhe punët nuk kanë rifilluar ende normalisht, me mesin e muajit do të kemi një situatë tjetër dhe institucionet kanë kohë të ndërhyjnë. Me një mesatare vjetore janë deri në 240 mijë veta që e përdorin transportin publik në rrugë”, tha Dashnor Memaj, Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban.

Në një kërkesë drejtuar qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, operatorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre për vijimin e subvencionimit të naftës.

Duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion”, thanë shoqatat në një deklaratë një ditë më parë.

Shoqatat paralajmërojnë se do të ketë më pak mjete në qarkullim, pritje më të gjata në stacione dhe mbingarkesë të autobusëve që do të vijojnë shërbimin. Ata thonë se reduktimi i flotës nuk është zgjedhje, por pasojë e pamundësisë financiare për të vijuar shërbimin me kapacitet të plotë.

"Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin public.

Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm”, thuhet në letër.

Që prej muajit maj shoqatat e transportit publik vijojnë të përsërisin shqetësimin për mospërballimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe për kohëzgjatjen e periudhës për të përfituar 50 lekë për litër kompensim për naftën.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas vetëm gjatë muajit gusht ka përsëritur 2 herë kërkesën se kostoja e operimet mbetet e papërballueshme dhe se kjo shumë shpejt do të sjellë reduktim të mjeteve për lëvizjen e qytetarëve.

Nëse nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë, qytetarët pritet të përballen me më pak autobusë në linja, pritje më të gjata dhe mbingarkesë më të madhe, veçanërisht në oraret e pikut.