Një shqiptar i dënuar disa herë për vjedhje në Britaninë e Madhe po kundërshton dëbimin e tij të pestë, duke pretenduar se kthimi në Shqipëri mund t’i rrezikojë jetën për shkak të një grupi kriminal. Gjykata i garantoi anonimitet gjatë procesit, por në ditën e seancës ai publikoi vetë në rrjetet sociale një video që dukej se tregonte se ndodhej brenda gjykatës.

30 vjeçari është dënuar për disa krime në Britani dhe është dëbuar disa herë nga Home Office. Sipas Daily Mail, pas secilit dëbim ai ka hyrë sërish ilegalisht në Britani.
Tashmë shqiptari ka apeluar urdhrin e fundit të dëbimit dhe ka kërkuar azil, duke argumentuar se jeta e tij mund të jetë në rrezik nëse kthehet në Shqipëri.
Gjatë një seance në Taylor House Immigration Tribunal Centre, në qendër të Londrës, ai deklaroi se ishte detyruar të largohej drejt Britanisë pasi, sipas tij, armiqtë e kishin “shumë të lehtë” ta gjenin në vende të tjera të Europës.
Shqiptari ka një fëmijë në Britani me ish-partneren. Ai pretendoi gjithashtu se shëndeti i tij mendor ishte ndikuar nga raportimet e mëparshme të mediave për çështjen e tij.
Por pikërisht ditën e seancës, ai publikoi një video në rrjetet sociale, e cila dukej se e tregonte të ulur në zonën e pritjes së gjykatës. Në përshkrimin e videos ai identifikoi edhe emrin e gjykatës.
Sipas Daily Mail, përveçse zbulonte vendndodhjen e tij, pamjet duket se bien ndesh me ndalimin e fotografimit dhe filmimit brenda godinave të gjykatave. Shkelja e këtyre rregullave mund të ndiqet si shpërfillje e gjykatës dhe mund të dënohet deri me dy vite burg.
Përfaqësuesi i tij, Eric Fripp, argumentoi se shqiptari kishte të drejtën e anonimitetit pasi po kërkonte azil mbi bazën e nevojës për mbrojtje.
Kërkesa u pranua nga gjyqtarja Ravinder Bagral. Sipas Daily Mail, medias nuk iu dha mundësia që ta kundërshtonte urdhrin për anonimitet gjatë seancës, ndërsa gazeta ka kërkuar më pas heqjen e tij.
Një përfaqësues i gjykatës konfirmoi pas seancës së 15 shtatorit se kërkesa për heqjen e anonimitetit ishte marrë dhe po shqyrtohej.
Vendimi u kritikua nga Alan Mendoza, drejtor ekzekutiv i Henry Jackson Society.
“Drejtësia e hapur ekziston që publiku të mund të shohë se si merren vendimet në emër të tij”, tha ai.
Mendoza kritikoi faktin që shqiptarit iu dha anonimitet ndërkohë që, sipas tij, ai kishte filmuar veten në gjykatë për rrjetet sociale dhe po përballej me dëbimin e pestë.
Gjatë seancës, Khdeeja Khan, e cila përfaqësonte Home Office, tha se shqiptari kishte kryer një sërë vjedhjesh gjatë qëndrimit në Britani, përfshirë edhe pasi ishte rikthyer ilegalisht pas katër dëbimeve.
“A e pranoni se keni kryer vazhdimisht krime të rënda në Britani që përfshijnë vjedhje? A e pranoni se keni shkelur vazhdimisht ligjet kufitare britanike dhe urdhrin e dëbimit katër herë?”, e pyeti ajo.
Shqiptari pranoi se veprat e tij ishin “shumë të rënda”, por pretendoi se ishte “detyruar” të hynte ilegalisht përsëri në Britani për shkak të frikës për sigurinë e tij.
Ai tregoi se kishte mbërritur për herë të parë në Britani në moshën 13-vjeçare dhe pretendoi se më pas kishte rënë në duart e një grupi të fuqishëm kriminal shqiptar, i cili e kishte detyruar të kryente vjedhje.
Sipas versionit të tij, kur u përpoq të largohej nga grupi, si ai ashtu edhe familja e tij u kthyen në objektiva.
Ai pretendoi se sa herë dëbohej në Shqipëri mësonte se anëtarët e grupit po e kërkonin dhe largohej sërish pas dy ose tre javësh. Fillimisht, sipas tij, ishte përpjekur të jetonte në vende të tjera europiane, por ata e kishin zbuluar edhe atje.
Shqiptari tha se grupi kishte tentuar fillimisht ta gjente edhe në Britani, por se prej më shumë se një viti nuk kishte pasur probleme dhe besonte se ata kishin hequr dorë. Për këtë arsye, ai pretendoi se Britania ishte i vetmi vend ku ndihej i sigurt.
“Grupi ka qenë në kontakt në Shqipëri. Më kanë rrëmbyer dhe një herë më kanë vendosur thikën në fyt. Pata fat që shpëtova. U përpoqa të qëndroja në Europë, por atje ishte shumë e lehtë të më gjenin, kështu që duhej të vija këtu”, deklaroi ai në gjykatë.
Ai pretendoi gjithashtu se kthimi në Shqipëri ishte i rrezikshëm pasi familja e tij ishte përfshirë në një gjakmarrje. Sipas tij, xhaxhai i tij ishte qëlluar dy vite më parë, ndërsa policia lokale, të cilën ai e cilësoi “të korruptuar”, e kishte “mbyllur çështjen”.
Përfaqësuesja e Home Office kundërshtoi pretendimet e tij, duke thënë se nuk kishte prova që mbështesnin pretendimin se ai ishte në rrezik në Shqipëri. Ajo vuri në dukje gjithashtu se shqiptari nuk kishte raportuar kërcënime në polici, as në Shqipëri dhe as në Britani.
“Arsyeja pse nuk kam raportuar asgjë në Shqipëri është sepse policia është e korruptuar dhe grupi është shumë i fuqishëm, me lidhje me policinë atje”, u përgjigj ai.
Në seancë u ngritën pikëpyetje edhe për aktivitetin e tij të shpeshtë në rrjetet sociale, ku publikonte fotografi me makina luksoze dhe në klube nate. Përfaqësuesja e Home Office e pyeti pse do të tërhiqte vazhdimisht vëmendjen ndaj vetes në internet nëse kishte vërtet frikë se po ndiqej nga një grup kriminal.
Ai u përgjigj se “ndihet i sigurt” në Britani, por pranoi se postimet e tij mund të shihen nga kudo në botë.
Çështja është shtyrë në pritje të vendimit të gjyqtares Bagral.










Komente
Komento