Kërkuan pavlefshmërinë e mandatit të Xhaçkës, Berisha: Gjyqtarët e Kushtetueses të gjykojnë nesër me paanësi

Ditën e nesërme, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë nëse ka qenë i drejtë apo jo vendimi i Kuvendit për t'u çuar në gjykatë mandati i Xhaçkës. Për këtë arsye, Sali Berisha i ka bërë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të gjykojnë me paanësi seancën e nesërme për mandatin e Xhaçkës. 

Në daljen për mediat hodhi akuza ndaj qeverisë se mbron Xhaçkën që sipas tij shkel ligjin pasi bashkëshorti i saj është investitor strategjik.

“Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre. Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të përligjin grabitjen përmes firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, të statusit të investitorit strategjik me së paku 5 milionë euro favore.

Kushtetuta e Shqipërisë ka qindra nene, por njëri nga këto nene, do ta quaja si nenin e artë, ai është neni që nuk lejon në mënyrë kategorike deputetët dhe ministrat, të pasurohen nga pasuritë publike gjatë periudhës që ushtrojnë detyrat apo burime të tjera përveç rrogës. Ky nen është shkelur në mënyrën më flagrante, kur ministrja Xhaçka siguron për burrin e saj strategjik, statusin e investitorit strategjik. Xhaçka kryen vepra të rënda penale, implikon kunatën e saj amerikane, me banim në Boston, si bashkëpronare në këtë aferë të tmerrshme korruptive.

Amant Josifi, njeriu që ka vjedhur 2.2 miliardë euro, i lidhur kokë e xhep me Olsi Ramën dhe Olta Xhaçkën, ka mobilizuar potencialin e tij financiar për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë jam këtu para jush për t’u bërë thirrje gjykatësve, të gjykojnë nesër me paanësi, bazuar në ndërgjegjen e tyre, mbi interesin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit. Gjykimi i nesërm është një provë e fuqishme e triumfit të Kushtetutës”, tha Berisha.

Pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës, Rithemelimi dhe Partia Demokratike e depozituan në Gjykatë Kushtetuese duke e cilësuar si “anti kushtetues”. Kuvendi votoi me 74 vota pro, raportin e mazhorancës të Këshillit të Rregullorës, që bllokonte dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të shqyrtimit të mandatit të Olta Xhaçkës. Nuk dihet ende se si do ta interpretojë një kërkesë të tillë Gjykata Kushtetuese, por nuk përbën logjikë ligjore që të çosh një vendim të një institucioni që në rastin konkret e ka tagër Kuvendi. 

PD dhe Rithemelimi kërkojnë heqjen e mandatit të Xhaçkës, pasi e akuzojnë se ka konflikt interesi përmes bashkëshortit të saj si investitor strategjik.


Lajmi kryesor:

Grupi i Alibeajt u tërhoq nga bashkimi i 2 statuteve, Berisha: AliBasha tallet me veten, pranuan Kuvendin e 11 dhjetorit! S'mund të bëhen palë në proces


A.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale