Kurti si Sali Berisha, sulmon ashpër prokurorët e Kosovës: ‘Kërmij’ e ‘lepuj’! Nuk shkoj të dëshmoj, ta shohim a kanë guxim të vijnë ata

Kurti si Sali Berisha, sulmon ashpër prokurorët e Kosovës: ‘Kërmij’ e ‘lepuj’! Nuk shkoj të dëshmoj, ta shohim a kanë guxim të vijnë ata

Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, njëjtë si Berisha, ka sulmuar ashpër drejtësinë, duke e akuzuar Prokurorinë e Kosovës për qasje të njëanshme në hetime. Ai tha se prokuroria "nuk reagon shpejt kur nuk bëhet fjalë për Lëvizjen Vetëvendosje", por "vepron menjëherë kur aludohet për ndonjë gabim procedurial të Vetëvendosjes".

Kurti ka përdorur terma të ashpra ndaj prokurorëve, duke i quajtur ata "kërmij" dhe "lepuj". Gjatë intervistës për KTV, Kurti ka thënë se “11 ministri kanë dorëzuar 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim”. Por, Kurti pretendon se Prokuroria nuk po vepron.

“Me këtë rast, ajo çfarë unë mund të konstatoj është që kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë. Nuk ka aktakuza, nuk ka epilog”, ka thënë Kurti.

Kurti ka refuzuar të përgjigjet ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur si dëshmitar, duke e kritikuar drejtpërdrejt Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“…Aty nuk duhet si dëshmitar, Ky është qëllimi. Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme po më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin, që e nxorën duarlidhur prej BQK-së. Prokurorët ua kanë mësyrë krejt ministrave tanë. Prokurorët kanë ardhur në Kryeministri edhe më herët. Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë. Gjithmonë publikisht, s’kam privatisht asgjë”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri e cilësoi Isufajn si “regjisor i pamjes kur Kurti hyn në Prokurori dhe bëhet lajm ndërkombëtar për korrupsion”. Ai rikujtoi gjithashtu faktin se Qeveria dhe Presidenca nuk e kanë pranuar Isufajn si Kryeprokuror, megjithëse ai është zgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Vështirësitë i kemi me kryeprokurorin e Shtetit që në krye është Blerim Isufaj. Fiks para një viti ai doli publikisht e na tha se është hequr urdhërarresti ndaj Milan Radoiçiqit, tre muaj pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjaku. Në krye të KPK-së kemi një kësi lloj njeriu. Prokuroria s’është pjesë e zgjidhjes, është pjesë e problemit. Kupola e saj. Krejt këta prokurorë kanë të drejtë të bëhen kryeprokurorë, por po na thonë o Blerim Isufaj o askush tjetër. Për drejtësinë, nëse bëhet kryeprokuror Blerim Isufaj, largqoftë, ose dikush si ai, atëherë s’ka shpresë për drejtësinë”, ka thënë Kurti. 

Qasja e Kurtit duke sulmuar drejtësinë e Kosovës është e njëjtë me atë të Sali Berishës. Edhe ky i fundit ka nisur sulme të ashpra ndaj SPAK dhe kryeprokurorit Altin Dumani, që pasi ndaj tij nisën hetimet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Madje Kurti refuzon të paraqitet në Prokurori të dëshmojë, siç ka bërë për vite me radhë Berisha, i cili i është shmangur drejtësisë për çështjet më të rënda gjatë qeverisjes së tij si 21 janari e Gërdeci. Por tashmë, Berisha është marrë i pandehur për ‘Partizanin’.

Pas deklaratave të Kurtit, Kryeprokurori Isufaj ka njoftuar një konferencë për shtyp sot në orën 13:00, ku pritet të japë përgjigje mbi akuzat e kryeministrit dhe situatën aktuale.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet: "Ju njoftojmë se të hënën, 30 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 13:00, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, do të mbajë konferencë për media".

Kurti është thirrur dy herë për të dëshmuar në Prokurorinë e Kosovës, për çështjen e rezervave shtetërore dhe një tender të zhvilluar për blerjen e grurit nga ana e shtetit. Për skandalin e rezervave shtetërore në Kosovë janë arrestuar dy zyrtarë të ministrisë së tregtisë dhe industrisë që tashmë janë të pandehur.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 30/12/2024 09:47

    Te lumte..!!! Edhe ti ne gjurmet e aleateve te tu ne Shqiperi po ecen. Edhe Saliu nuk eshte paraqitur kurre ne prokurori. Perkundrazi jo vetem nuk paraqitej, por dhe i fyente. Te njejten gje bente dhe Ilir Meta. Te njejten gje bente edhe Gruevski...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Keni shumë objektiva për të arritur...çfarë thonë yjet për ju sot

Keni shumë objektiva për të arritur...çfarë thonë yjet për ju sot