Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry mbërriti sot në Turqi në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme për të kërkuar mbështetjen e këtij vendi mysliman dhe anëtar i NATO-s për koalicionin kundër Shtetit Islamik.
Turqia, fqinje e Irakut dhe Sirisë, ku ndodhen bazat e xhihadistëve, refuzoi një pjesëmarrje aktive në operacionet e armatosura kundër ekstremistëve sunitë, ndaj të cilëve SHBA kërkon të vazhdojë goditjet me raketa konform një strategjie të re të zbuluar dy ditë më parë nga presidenti amerikan, Barack Obama.

Turqia nuk dëshiron t'u mundësojë amerikanëve përdorimin e bazës së saj ajrore të Incirlikut, që ndodhet në jug të vendit, pranë kufirit sirian, për misione luftarake, por vetëm për qëllime logjistike dhe humanitare duke iu trembur rrezikimit të jetës së 46 pengjeve turke që xhihadistët mbajnë që prej muajit qershor në Mosul, në veri të Irakut.

"Gjithashtu, SHBA do të japë 500 milionë dollarë shtesë ndihmë humanitare destinuar viktimave të konfliktit në Siri duke e çuar në 2,9 miliardë dollarë ndihmën totale që prej vitit 2011", njoftoi Departamenti amerikan i Shtetit, pas mbërritjes së Kerryt në kryeqytetin turk.

Në Ankara, shefi i diplomacisë amerikane do të takohet me homologun, Mevlut Cavusoglu si dhe kryeministrin Ahmet Davutoglu dhe président Recep Tayyip Erdogan./ATSH/