KAJRO- Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry mbërriti në Kairo për bisedime me presidentin e Egjiptit Abdel Fata Al-Sisi dhe Kreun e Ligës Arabe Nabil al-Arabi mbi koalicionin ndërkombëtarë kundër shtetit islamik. Deri më tani BBC raporton se Presidenti Sisi ka pranuar të japë mbështetjen e tij për ndihmë ndaj koalicionit amerikan kundër militantëve ekstremistë të njohur si ISIS të cilët përveç masakrave në Irak dhe Siri, kanë kërcënuar drejtpërdrejtë dhe Amerikën e shtetas nga vende të tjera.
 
Deri më tani ai ka marrë mbështetjen e 10 shteteve arabe, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katar-in, por të premten ai përjashtoi mundësinë e përfshirjes së Iranit në këtë koalicion. Militantët ekstremist islamikë kontrollojnë disa zona në të dy vendet dhe prej javësh janë targetuar nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Që nga koha kur Shtetet e Bashkuara filluan sulmet ajrore ndaj militantëve në Irak muajin e kaluar, zyrtarët amerikanë po i quajnë veprimet ushtarake luftë, ndërkohë që po formohet një koalicion ndërkombëtar për të luftuar Shtetin Islamik.
   
Përmes një deklerate zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se lufta kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri është një luftë e ngjashme me atë kundër grupit famëkesh al-Qaida.

Deklerata shënoi herën e parë që zyrtarët e administratës e kanë përshkruar publikisht ofensivën kundër grupit militant në Irak dhe Siri si luftë.
 
 Greqia bashkohet në aleancën kundër ISIS
Athina zyrtare i është bashkuar aleancës globale të shteteve kundër ISIS-it. Shteti helen i është përgjigjur pozitivisht krijimit të kësaj “aleance globale të shteteve”, për të koordinuar përpjekjet ndërkombëtare ndaj Shtetit Islamik, një organizatë terroriste, aktiviteti i së cilës ka shkaktuar zemërim dhe dënohet në mënyrë unanime nga e gjithë bota e qytetëruar.

Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme greke thuhet se qeveria greke shpreh solidaritetin e saj ndaj qeverisë së Irakut, të krishterëve dhe të gjitha komuniteteve etnike dhe fetare në rajon, që po vuajnë nga aktet primitive dhe barbare të të ashtuquajturit “Kalifatit Islam”, një organizatë xhihadiste ekstreme, që duhet të eliminohet.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)