Këshilli Bashkiak miraton 
rritjen e çmimit të ujit me 44% Sondazh/E gjykoni të arsyeshme rritjen e çmimit?

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me 31 vota, nga 61 anëtarë, propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3.

Ky vendim i Këshillit Bashkiak, autorizon Bashkinë e Tiranës për të kërkuar nga Enti Rregullator i Ujit (ERU) rritjen e çmimit të ujit.  

Ishin 25 votat e PS, dy të LSI, Genta Mezini dhe Agim Kraja, tre të PDIU dhe 1 votë e FRD që bënë të mundur bërjen e kuorumit dhe miratimin e projektvendinmit pas rreth 2 orë diskutimesh.

Nga ana tjetër, këshilltarët e PD bojkotuan mbledhjen ndërsa akuzuan LSI-në për pabesi ndaj qytetarëve dhe pjesë të pazarit me Veliajn.
  
LSI kërkoi fillimisht përjashtimin nga rritja e çmimit të familjeve me ndihmë ekonomike dhe pensionistët, diferencimin e biznesit si dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Ishte kryebashkiaku Veliaj i cli shprehu dakordësi për kushtet e LSI, duke paralajmëruar edhe miratimin e rritjes së çmimit të ujit pasi siç tha ai votat ishin të mjaftueshme. 

“Kemi votat për ta bërë Tiranën me ujë 24h.  Bashkia do t'i përcjellë ERU plan biznesin me gjithë propozimet e LSI.
 
PS-LSI, Tirana me ujë më e rëndësishme se partitë
”, ka thënë kryebashkiaku Erion Veliaj. 

Pas deklaratës së Veliajt, reagoi kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Leonard Olli i cili akuzoi LSI-në për akt pabesie, ndërsa shtoi se dy forcat politike po bëjnë pazar me njëra-tjetrën në kurriz të qytetarëve. 

Zhvillimet minutë pas minute nga mbledhja e Këshillit Bashkiak

Ora 20:40 Këshilltari i PD: Çmimi i ujit nuk është rritur
Për këshilltarin e djathtë të Bashkisë së Tiranës, Fabian Topollaj, vendimet e miratuara sot nga këshilli bashkiak i Tiranës, përshirë edhe atë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, janë të paligjshme.

Topollaj tha se "qytetarët duhet të rrinë të qetë, pasi sipas tij vendimi për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë nuk ka kaluar".

Topollaj shpjegon dhe arsyen duke thënë se vendimi është marrë në mungesë kuorumi, pasi kanë votuar disa individë që nuk kanë qenë këshilltarë.

CMIMI i UJIT NUK ESHTE RRITUR
Mbledhja e Keshillit Bashkiak Tirane nuk kishte kuorum sepse kane llogaritur paraprakisht ne kuorum keshilltaret e rinj te cilet do merrnin mandatin vetem pasi te kalonte Vendimi i pare i mbledhjes, qe qe pikerisht dhenia e mandatit per keshilltaret e rinj. Pra kane llogaritur ne kuorum individe qe nuk ishin bere ende keshiltare bashkiake. Neni 8 i rregullores se Keshillit e qarteson ceshtjen,
” tha Topollaj.

Ora 20:30 Luan Rama: Dy votat në Këshill s'janë të LSI
Zv/kryetari i LSI, Luan Rama u shpreh gjatë një lidhje telefonike për Report Tv se dy votat e kësaj force politike në Këshillin Bashkiak, që shkuan për rritjen e çmimit të ujit, nuk përfaqësojnë qëndrimin e LSI.
 
Ai tha se ishte PD ajo që me pjesëmarrjen e saj në fillim, plotësoi kuorumin për nisjen e mbledhjes.
 
Qëndrimi zyrtar i LSI, tha Luan Rama ishte i shprehur më herët për transparencë në mbrojtje të interesit të qytetarëve.
 
“Nuk kam asnjë qëndrim të ndryshëm nga ajo që ka shprehur koordinatorja e këshilltarëve të LSI, i cili konsistonte në bashkëpunim institucional dhe transparencë në funksion të mbrojtjes së interesit të qytetarëve.
 
Kjo për të ofruar kontributin tonë në interes të qytetarëve, prandaj vota atje nuk është votë e LSI.
 
Njërën nuk e njoh fare, më thanë që ka hyrë sot, tjetri ka qenë, ka ikur, ka ardhur prapë. Pra, është një këshilltar shëtitës, është çështje e tij. Por qëndrimi i tij, nuk është qëndrim i LSI. Pavarësisht kësaj nuk është ky qëndrimi i LSI dhe s'konsiderohet votë e grupit të këshilltarëve të LSI.
 
Vota zyrtare e LSI ishte largimi nga mbledhja pa filluar mbledhja. Ndërsa kuorumin për nisjen e mbledhjes e bënë këshilltarët e PD-së. Ne zgjodhëm të mosmarrim pjesë në mbledhje”,
u shpreh Luan Rama.  

Këshilltarët e LSI janë larguar nga Këshilli Bashkiak pa filluar ende mbledhja, ndërsa ata të PD e braktisën atë disa minuta pas nisjes. 

Ora 20:20 Dy anëtarët e LSI që dhanë votat për rritjen e çmimit 
Këshilli Bashkiak miratoi pas dy orë diskutimesh këtë të mërkurë, rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 31 vota.

Dy vota ishin të këshilltarëve të LSI, Agim Kraja dhe Genta Mezini, ndërsa 11 këshilltarët e tjerë të kësaj force politike nuk morën pjesë në mbledhje. 

Agim Kraja, biznesmen, ish-këshilltar i Lëvizjes së Legalitetit deklaroi votën e tij në Këshilli kur theksoi se investimet në ujësjellës ishin të domosdoshme. 

Ndërsa Genta Mezini mori pjesë në këtë mbledhje për herë të parë, pasi zuri vendin e kryetares së LRI, Floida Kërpacit e cila u zgjodh deputete në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Ora 20:00 Këshilli Bashkiak miraton rritjen e çmimit të ujit
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar me 31 vota, nga 61 anëtarë, propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Ishin dy votat e LSI, Genta Mezini dhe Agim Kraja, tre të PDIU dhe 1 votë e FRD që bënë të mundur bërjen e kuorumit dhe miratimin e projektvendinmit.  

Ky vendim i Këshillit Bashkiak, autorizon Bashkinë e Tiranës për të kërkuar nga Enti Rregullator i Ujit (ERU) rritjen e çmimit të ujit.  

Në mbledhje morën pjesë këshilltarët e PS, nga LSI 2 anëtarë, PDIU dhe FRD, të cilët bënë kuorumin e mjaftueshëm për miratimin e vendimit, ndërsa PD dhe pjesa tjeter e LSI-se bojkotoi. 

VIDEO/Votimi në Këshilin Bashkiak të Tiranës


Ora 19:50 Këshilltari i LSI, Kraja: Dakord me rritjen e çmimit të ujit
Këshilltari i LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Agim Kraja u shpreh pro rritjes së çmimit të ujit me 65 lekë për m3 nga 45 që është aktualisht. 

"Jam dakord me këtë vendim, për rritjen e çmimit të ujit.

Investimi në rrjetin e ujësjellësit është i domosdoshëm. S'është problem rritja e ujit në këtë masë, në këtë përqindje"
, u shpreh Kraja.  

kraja lsi
Agim Kraja, këshilltar i LSI i pranishëm në mbledhje

Ora 19: 30 Prezenca në Këshillin Bashkiak

PS - 25 këshilltarë

LSI - 2 këshilltarë

PDIU - 3 këshilltarë

FRD - 1 këshilltarë 

Ora 19: 20 Olli: Pazari vijon, tre këshilltarët e LSI bëjnë kuorumin
"Pak minuta para deklaratës time të parë, LSI më përgënjeshtroi duke thënë që nuk lëviz nga qëndrimet e veta, tani pazari ende vazhdon.

Në këto momente kuorumi për të vijuar teatrin, po vijon me patericat e tre përfaqësuesve të LSI.

I bëj apel publike LSI-së, të deklarojnë përjashtimin e tyre nëse nuk i janë bindur vendimmarrjes së grupimit politik"

    
Ora 19:10 Veliaj: Kërkojmë 20 lekë për Tiranën me 24 orë ujë
Kryebashkiaku Erion Veliaj mbrojti propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit në 65 lekë për m3. Sipas tij, bashkia kërkon 20 lekë nga qytetarët për ta bërë Tiranën me ujë të pijshëm 24 orë në ditë. 

"Sot ne lypim 20 lekë, që na nxjerrin mjaftueshëm mbi ujë në mënyrë që të na aprovohet kredia jonë me BERZH.

Korça ka sot 24 orë ujë dhe e kanë 99 lekë. Pogradeci gjithashtu ka ujë 24 orë dhe është bashki që uftet në rangun e dytë për nga varfëria. Nuk duam as nga Bathorja, Kamza me 65.7 lekë për m3.

E kemi shansin në dorë. Kjo do vendim të guximshëm si ata në Korçë. Të shpëtojmë nga depoizitat që janë kosto, pompat, blerja e ujit që është kosto më vete, energjia elektrike për pompën është kosto më vete. Të gjitha këto shpenzime e kanë bërë të pamundur misionin për 24 orë ujë në ditë. Lezha e 77 lekë dhe ka 24 orë ujë në ditë, Fieri e ka 65 lekë, sa do ta bëjmë ne dhe ka 24 orë ujë në ditë",
u shpreh kryebashkiaku Veliaj. 

Veliaj pranoi se vitin e kaluar UKT doli me 5 milionë euro fitime, por sipas tij investimi për ta bërë Tiranën me 24 orë ujë kushton 220 milionë euro. "Kjo kërkon 44 vjet. Të presim 44 vjet ne? Prandaj, këtë gjë e bëjmë për 5 vjet, duke lypur 20 lekë të cilat dikush i le kusur, bakshish apo ia jep lypësit", tha ai. 

10 milionë euro tha ai do investohen në burimin e ujit Guri i Bardhë në kufi me Burrelin, 50 milionë euro në sistemin e tubacioneve, 50 milionë euro të tjera në rrjetin e shpërndarjes, pasi pjesa dërrmuese e tubacionit janë tuba gize që në kohën e 'xhaxhit'. 

Ora 19:00 Olli: Mbledhja s'mund të vijojë, s'ka kuorum
Kreu i grupit të këshilltarëve të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Leonard Olli u shpreh se mbledhja nuk mund të vijojë sepse nuk ka kuorumin e nevojshëm.

"Nuk ka korum, mbledhja s'mund të vazhdojë.  Edhe forca të tjera në Këshillin Bashkiak duhet të mendohen mirë pasi çdo masë që e zbut këtë gjë do të bëjë të mundur kalimin e këtij akti kriminal.

Nëse çdo bashki dhe çdo bashki tjetër do të kërkojë rritjen e çmimit, mund të bëhet vetëm kur të realizohet furnizimi i plotë i qytetit me ujë gjatë 24 orëve dhe të jenë vetë qytetarët që do ta vendosin një gjë të atillë e jo një njeri që i duket vetja Pashai i Tiranës",
tha Olli.

Këshilltarët demokratë lanë mbledhjen menjëherë pas fillimit, ndërsa ata të LSI nuk ishin të pranishëm. 

Ora 18:50 Këshilltarët e LSI mungojnë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak

Ora 18:45 Debati/Olli: Paratë i doni për vete, Dalipi: Shihni makinat te PD
Këshilltarët e djathtë kanë braktisur sallën e Këshillit Bashkiak, në shenjë proteste për propozimin e rritjes së çmimit të ujit të pijshëm për kryeqytetasit. 

Në dalje, kreu i këshilltarëve të djathtë Leonard Olli duke iu drejtuar kreut të Këshillit Aldrin Dalipaj tha se rritja e çmimit të ujit të pijshëm nuk po bëhet për të kryer investime por për të futur paratë në xhepa.

“I doni paratë për t’i futur në xhepat tuaj”, tha Olli.

“Nardi i ke parë sa bëjnë makinat në oborrin e partisë suaj?”, tha kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi.

Ora 18:45 Nis mbledhja e Këshilit Bashkiak, largohet PD
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës janë larguar menjëherë pas nisjes së mbledhjes. 

Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Leonard Olli tha se rritja e çmimit të ujit është aferë korruptive dhe për këtë arsye PD nuk mund të qëndrojë në Këshillin Bashkiak. 

Ora 18:20 Erjona Bixha e LSI: Veliaj të tregojë seriozitet
Anëtarja e LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Erjon Bixha u shpreh se LSI është pjesë e shqetësimit qytetar për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
 
Ajo tha se LSI pret seriozitet nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
 
“Presim seriozitet nga Bashkia, jemi pjesë e shqetësimit qytetar”, u shpreh ajo. 

Ora 18:10 Nis protesta kundër rritjes së çmimit të ujit
Përfaqësues të Shoqërisë civile, kanë filluar një protestë kundër rritjes së çmimit të ujit nga Bashkia e Tiranës. 

Ata kërkojë kthimin e projektvendimit për rishqyrtim pasi një vendimmarrje e tillë cenon rëndë buxhetin e familjeve. 



[gallery]23249[/gallery]
Ora 18:05 Mbledhja e Këshillit Bashkiak ende nuk ka nisur
Mbledhja e Këshillit Bashkiak ishte njoftuar për të nisur në orën 18:00. Nuk bëhet e ditur arsyeja e vonesës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak ku do të shqyrtohet propozimi i Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit me 44%, nga 45 lekë për m3 në 65 lekë/m3.

Ora 18:00 Olli: LSI, akt pabesie ndaj qytetarëve
Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë në këshillin bashkiak të Tiranës, Leonard Olli u shpreh se LSI bëri një akt pabesie ndaj qytetarëve të Tiranës.

Reagimi i Ollit erdhi pas deklaratës së Veliajt se pranon kërkesat e LSI për përjashtimin nga rritja e çmimit të ujit disa kategori si familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët dhe diferencimin e biznesnit. 

"I kërkuam LSI bojkot, por ajo pranoi 'pazarin'. U provua kush është opozita e vërtetë. Po diskutohen pazaret e fundit PS- LSI

LSI bëri një akt pabesie ndaj qytetarëve dhe ndaj nesh"
, u shpreh Olli.  

Partia Demokratike ka deklaruar votën kundër projektvendimit për rritjen e çmimit të ujit. 

Ora 17:55 Pritet të nisë mbledhja e Këshillit Bashkiak

Ora 17:30 Veliaj: Pranoj kërkesat e LSI, kemi votat
Pak minuta para mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se pranon tre propozimet e LSI. 

“Kemi votat për ta bërë Tiranën me ujë 24h.
 
Bashkia do t'i përcjellë ERU plan biznesin me gjithë propozimet e LSI.
 
PS-LSI, Tirana me ujë më e rëndësishme se partitë
”, ka thënë kryebashkiaku Erion Veliaj. 

Ora 17: 20 Këshilltarët e PDIU pro rritjes së çmimit të ujit
PDIU ka dalë sot në një deklaratë për mediat me Vjollca Brahon, ku shprehet në favor të rritjes së çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë me qëllim shtimin e investimeve për rrjetin e ujësjellësve.

Mirëpo, ajo ka bërë të ditura edhe kushtet mbi bazën e të cilave do të votojë për rritjen e çmimit.

DEKLARATA E VJOLLCA BRAHOS
PDIU  shprehet dakort per rritjen e cmimit te ujit per te shtuar investimet e nevojshme ne rrjetin e ujsjellsit te Tiranes per te bere te mundur:

1- Rritjen e kohes se furnizimit te popullsise me uje per 24 ore;

2- Permiresimin e cilesise se sherbimit te ofruar nga Ujsjellesi;

3- uljen e humbjeve te ujit dhe kostove te prodhimit te tij.

Por PDIU eshte per perjashtimin nga rritja e cmimit te ujit per : a)kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

b) familjet, që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

c)kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat     dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

ç) familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

d) të verbrit;

dh) personat paraplegjikë e tetraplegjikë.

e) grate e veja kryefamiljare.


Veliaj: 170 mln euro që Tirana të ketë 24 orë ujë
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka thënë se do të investohen 170 mln euro në sistemin e trasmetimit dhe shpërndarjes që qytetarët e Tiranës të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.

Në dëgjesën e zhvilluar gjatë pasdites së të martës në sallën e Këshillit Bashkiak me një grup këshilltarësh të PS dhe LSI, ku argumentoi dhe shpjegoi propozimin për çmimin e ri të ujit, Veliaj tha se e vetmja mundësi për të rritur investimet dhe për t’i siguruar Tiranës ujë të pijshëm 24 orë është rregullimi i çmimit.

Ai theksoi se megjithëse në këto dy vite ka patur dyfishim të orarit të furnizimit me ujë, është e nevojshme që të kryhen investime madhore për të bërë të mundur që Tirana të ketë ujë pa ndërprerje.

Familjet paguajnë 13 herë më shumë se ndërmarrjet e ujit
Bashkia e Tiranës po shqyrton rritjen e çmimit të ujit, sipas një vendimi, që do t'i propozohet Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ditën e sotme. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3.

Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Ne relacionin e bashkisë theksohet se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021, dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018.

Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura.

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit.

Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015. 

tabela
(Tabela e të ardhurave të UKT)

VKM e shtatorit 2016 caktonte çmimin 5 lekë për metër kub si tarifë për ndërmarjet që tregtojnë ujin
Nderkohe ka një Vendim të Këshillit të Ministrave, që rregullon pagesat nga bizneset, të cilat merren me shfrytëzimin për qëllime fitimi (tregu) të ujërave nëntokësore dhe mbitokësore.

VKM-ja përcakton tarifat që duhet t’i paguajnë, për çdo metër kub të shfrytëzuar, ndërmarrjet e sektorit në fjalë shtetit, që është pronar me Kushtetutë i pasurive natyrore.

VKM-ja e fundit është mjaft e freskët, ajo i përket qeverisë aktuale dhe tarifat e përcaktuara mbajnë datën 21 shtator 2016, fiks 10 muaj më parë. Të bëjnë përshtypje dy gjëra në këtë VKM.

Aty tarifat përcaktohen në vetëm dy grupe: tokësorë dhe nëntokësorë. Pra, asnjë tarifim plus për ndonjë burim me aftësi të veçanta minerale nuk duket në këtë Vendim.

Besojmë se asnjë vend i botës nuk do ta bënte një tarifim kaq bujar.

Të vijmë tek çështja e dytë, që ka lidhje edhe me problemin, i cili diskutohet sot në tarifimin në Tiranë.

Siç duket në tabelën shoqëruese të Vendimit të Këshillit të Ministrave 662, qeveria Rama ka vendosur që njësitë tregtare të prodhimit të ujit mineral dhe natyral të ambalazhuar, destinuar për pirje, të paguajnë në shtet 5 lekë për një metër kub ujë të shfrytëzuar, në rast se uji merret në sipërfaqe të tokës dhe 12.3 lekë për metër kub në rast se fjala është për ujë burimi.

Natyrisht, Ujësjellësi i Tiranës ka të drejtë me ligj të caktojë vetë tarifat e përdorimit të ujit nga klientët e vet, kontrolluar kjo edhe nga Enti Rregullator përkatës. Por, me çmimin e propozuar së fundi, prej 65 lekësh për një metër kub, tarifa për familjarët bëhet 13 herë më e lartë se ajo çka paguan një ndërmarrje e tregtimit të ujit mineral, që e merr dhe e shet më pas ujin në shishe e bidonë.

Po flasim këtu për shfrytëzimin e ujit sipërfaqësor, pasi shumica absolute e familjeve të Tiranës përdor ujin e Bovillës, që furnizohet nga një rezervuar dhe jo ujë burimi. Madje, që nuk paraqet cilësitë e duhura për t’u përdorur si ujë i pijshëm dhe tiranasit në masë preferojnë ta blejnë ujin në dyqan. Një diferencë e tillë tarifore nuk besojmë se ka një taban të besueshëm logjik…!

Enti Rregullator i Ujit në publikim të raportit vjetor 2016, vuri në dukje se kostot e punës zënë pjesën më të madhe në totalin e shpenzimeve të ndërmarrjeve. Përgjithësisht operatorët UK kanë numër të lartë .


dokument uji pishem
   Vendimi i këshillit të Ministrave i 2016

Bashkia e Tiranës propozon rritje 100% të tarifës fikse
Bashkia e Tiranës propozon rritje 100% të tarifës fikse për ujin për të gjitha kategoritë e abonentëve si familjarë ashtu edhe biznese.
 
Propozim i Bashkisë për familjarët, tarifa fikse parashikohet të rritet nga 100 lekë në 200 lekë.
    
Tarifat mujore fikse për entet private nga 100 shkon në 200 lekë.
 
Propozimi i Bashkisë për klientët e veçantë, furra buke, si dhe institucionet buxhetore shkon gjithashtu në 200 lekë.
 
Rritet edhe tarifa e furnizimit me ujë
Bashkia e Tiranës propozon edhe rritje të tarifës së furnizimit me ujë. 

Për familjarët Bashkia propozon të rritet nga 45 lekë në 65 lekë/m³, për entet private nga 135 lekë/m³ në 190/m³, për institucionet buxhetore në 170 lekë/m³, klientët e veçantë nga 170/m³ në 235 lekë/m³. 
tabela e propozimeve per ndryshimin e cmimit te ujit

bashkia per ujin
LSI paralajmëron votë kundër: Të plotësohen tre kushtet
Lëvizja Socialiste për Integrim ka përsëritur kushtet e saj lidhur me propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%.
 
Përmes një deklarate për mediat, këshilltarja e LSI, Erjona Bixha, u shpreh se tre kushtet e LSI janë të panegociueshme dhe mosplotësimi i tyre, do bëjë që të mos bëhet pjesë e vendimmarrjes në Këshillin Bashkiak.
 
"LSI do t’i qëndrojë fort idesë që çështja e ujit nuk mund të mbetet peng i interesave të vogla, të një biznesi të lidhur me politikën apo të një partie politike.
 
Ne jemi të prerë në qëndrimin tonë që është në mbështetje të interesit të qytetarëve.
 
Për këtë qëllim, vota jonë në Këshill do jetë sipas këtyre pikave: ndërprerja e lidhjeve të paligjshme dhe favorizimi që u bëhet disa bizneseve; të përjashtohen nga vendimi të gjitha familjet me ndihmë ekonomike si dhe familjet e pensionistëve; çmime të diferencuara për bizneset; fabrikat e birrave, pijeve freskuese, alkoolike, qumështit, mishit, apo hotelet, të mos kenë të njëjtat tarifa me baret, kafene apo zyra e shërbimit me më pak se 5 punonjës
”, u shpreh ajo.
 
Gjithashtu, LSI u shpreh kategorikisht kundër propozimit të Bashkisë për dhënien me koncesion të ndërtimit të 17 shkollave në kryeqytet.
 
“Për shkollat jemi kundër koncesioneve. Nëse këto propozime, nuk merren parasysh, LSI s’do jetë pjesë e vendimmarrjes sot në Këshillin Bashkiak”, deklaroi më tej anëtarja e LSI në Këshillin Bashkiak, Erjona Bixha.  

PD fton LSI: Të bojkotojmë Këshillin Bashkiak
Partia Demokratike fton LSI-në të bojkotojnë seancën e sotme të këshilli bashkiak të Tiranës, ku do të shqyrtohet dhe hidhet në votim propozimi i Bashkisë së Tiranë për rritjen e çmimit të ujit me 44%.
 
Kreu i grupit të këshilltarëve të PD, Leonard Olli bëri thirrje që të bojkotet mbledhja e këshillit bashkiak.
 
“Koncesioni për shkollat, i qëndrojmë qëndrimit të LSI, por gjykojmë se nëse bashkë nuk do arrijmë të pengojmë këtë votim, do jetë një dëm i madh që i bëjmë interesit publik qytetar.
 
Për arsye kuorumesh, është më mirë që kjo mbledhje të bojkotohet, në mënyrë që interesat mafioze të Veliajt të bllokohen.
 
Të bllokojmë kaliomin e këtij akti famëkeq të bashkisë së Tranës.
 
I bëj apel publik jo vetëm kolegëve të LSI, por edhe të forcave të tjera përfshirë PS që të mos bëhen pjesë e këtij akti mafioz
”. 

KSHH: Të studiohen kushtet social ekonomike më parë
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka reaguar pas propozimit të Bashkisë së Tiranës për të rritur me 44% çmimin e ujit të pijshëm.
 
Sipas KSHH, zgjidhja e kësaj çështje kërkon studim të kushteve aktuale dhe të perspektivës.
 
“Përparësi për këtë ka edhe ekspertiza objektive dhe e kualifikuar në fushën përkatëse. Megjithatë, në diskutimin e kësaj çështje nuk duhet të nënvlerësohet dhe duhet të mbahet parasysh respektimi i parimit të proporcionaliteti dhe më konkretisht që rritja e propozuar të studiohej në raport me kushtet sociale – ekonomike të popullit tonë dhe veçanërisht duke patur në konsideratë edhe familjet apo shtetasit në nevojë”
 
Gjithashtu, KShH vlerëson se diskutimi i këtij problemi është sensitiv dhe paraqet interes publik. Kjo çështje dhe ka sjellë reagime nga qytetarët në media. Në këtë vështrim, KShH do të sugjeronte që ai të mos kufizohej vetëm në debatin në organet e qeverisjes vendore, por të ishte gjithëpërfshirës dhe transparent. Në këtë drejtim, kemi parasysh edhe zbatimin e detyrimeve që parashikohen në Ligjin Nr.146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, i cili kërkon respektimin e afateve dhe procedurave për konsultimin e politikave në interes publik.
 
Çdo konsultim që kryhet për politika apo projektakte që kanë interes publik duhet të jetë efektiv dhe jo formal, të garantojë gjithëpërfshirje të të gjithë grupeve të interesit, organizatave të shoqërisë civile dhe çdo shtetasi që kërkon të kontribuojë me rekomandime ose sugjerime në këtë proces.

Rritja e çmimit të ujit, banorët: Po s’u bë i pijshëm s’paguajmë
Në kulmin e debatit për çmimin e ujit, Report TV pyeti banorët e disa zonave të Tiranës.

Ata thonë se uji është tërësisht i papijshëm, dhe vjen ose me orare, ose mungon fare. Puset dhe botet janë alternativa kryesore.
“S’ka ujë fare, nuk kemi ujë. Ne këtu e kemi ujin jo të pijshëm na ka shkatërruar të tëra çezmat. S’kemi as lidhje asgjë. Ujin dalim e mbushim nëpër njerëz. Kam vetëm dy herë në ditë nga 10 minuta. Nuk është as për të pirë as për të gatuar, vetëm për të larë enët, për të pirë nuk bë e blejmë. Përdoret vetëm për banjot se edhe rrobat me atë mbajnë erë të keqe.  Ka një muaj që nuk vjen fare”, thonë banorët.

Pavarësisht se rritja parashikohet 44 % më shumë sesa tani, qytetarët thonë se janë të gatshëm të paguajnë nëse uji i çezmave bëhet i pijshëm. Ndërsa disa të tjerë e kundërshtojnë kategorikisht.
 
“Nuk mundem, më mirë kur e blejmë 200 lekë bidonin. Po nuk u bë i pijshëm nuk e paguaj. Është absurde në fillim të rrisin cilësinë pastaj të rrisin çmimin”, shprehen banorët.

Nëpër Tiranë çdo ditë shpërndajë ujë për banorët autobote, uji i të cilëve përdoret për gatim dhe për të pirë.

Rritja e çmimit të ujit, këshilltarët e LSI-së: Duam dëgjesë publike
Këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Bashkinë e Tiranës do kërkojnë dëgjesë publike për propozimin e Erion Veliajt për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. 

Lajmi konfirmohet për Shqiptarja.com nga burime pranë LSI-së. Vendimi është marrë pas një mbledhje të zhvilluar mes këshilltarëve mesditën e kësaj të marte. 

Bashkia e Tiranës kërkon rritjen e çmimit të ujit me 44% nga 45 në 65 lekë për m³. Më herët ishin këshilltarët e djathtë ata të cilët u shprehën kundër rritjes së çmimit të ujit, ndërsa kërkuan protesta nga qytetarët për të kthyer pas propozimin në Këshillin Bashkiak për rritjen e çmimit të ujit. 

Këshilli Bashkiak pritet të mblidhet nesër në orën 18:00 me rend dite pikërisht rritjen e çmimit të ujit të pijshëm për kryeqytetasit. 

PD kundër: Rritja e çmimit të ujit, aferë korruptive, qytetarët të ngrihen
Këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kundërshtojnë rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%.
 
Kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli u shpreh pas një mbledhje të zhvilluar në selinë blu, se rritja e çmimit të ujit është një aferë e pastër korruptive.
 
“Rritja e tarifës së ujit është një vjedhje, sërish një vjedhje e qytetarëve të Tiranës. Një abuzim i pastër me rritjen e ujit dhe kjo nuk justifikohet”, u shpreh Olli.
 
Ai i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës dhe përfaqësuesve të biznesit të ngrihen dhe të protestojnë.
 
“Thirrje qytetarëve të ngrihen për të pasur njëherë ujë, pastaj për të rritur çmimin.
 
Shpresoj që do kemi mbështetjen e qytetarëve, thirrjeve subjekteve politike t’i thonë jo rritjes së tarifës së ujit të pijshëm nga strukturat e vjedhjes që po ngre Erion Veliaj”,
tha kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli. 

Ai paralajmëroi gjithashtu rezistencë në mbledhjen e nesërme të këshillit bashkiak, për të pamundësuar miratimin e projektvendimit. 

“Bojkoti nuk është një zgjidhje. Ne do bëjmë betejën tonë në këshillin bashkiak. Do paraqesim argumentet tona pse kemi të bëjmë me një vjedhje. 

Qytetarë e Tiranës të bashkohen rreth një të drejte të tyre legjitime dhe kushtetuese për t’u furnizuar dhe pasur ujë të pijshëm. Kjo është një betejë jo thjeshtë e këshilltarëve, ne jemi në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Tiranës. Do kemi të gjithë mbështetjen. Ju bëj apel këshilltarëve të PS e forcave të tjera, që të reflektojnë në dobi dhe interes të qytetarëve e jo kryemafiozit Veliaj”,
tha Olli. 



Veliaj: 170 mln euro që Tirana të ketë 24 orë ujë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka mbrojtur propozimin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3.

Veliaj tha se brenda 5 viteve të ardhshme, kryeqyteti do të furnizohet me ujë të pijshëm 24 orë, bazuar edhe në planin e investimeve te Ujësjellës-Kanalizimeve, i cili do t’i hapë rrugën investimeve të mëdha e të nevojshme për mospërsëritjen e situatave të emergjencës.

Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të kursejnë ujin e pijshëm, pasi jemi ende në një situatë krize. Duam që brenda 5 viteve, me planin tonë të investimeve, Tirana të ketë ujë 24 orë. Nëse dikush është i shqetësuar për atë 20 lekëshin, mjafton vetëm 10 sekonda të mbylli çezmën. Sikur 10 sekonda të kursejë ujë në ditë, as nuk e ndjen fare në faturë të gjithë diferencën e çmimit. Ama, me çmim sikur të ishim në Bathore, do kemi ujë sikur të ishim në Korçë”, theksoi Veliaj, teksa inspektoi përfundimin e punimeve për rikualifikimin urban të bllokut të kufizuar nga rrugët “Muhamet Gjollesha” – “Myslym Shyri” - rruga e “Kavajës”.

Basha: Rama-Veliaj po dënojnë qytetarët për keqqeverisjen
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas propozimit të Bashkisë së Tiranës për të rritur me 44% çmimin e ujit të pijshëm.
 
Përmes një postimi në Facebook, Basha e konsideron këtë gjë si një veprim kriminal ndaj qytetarëve, të ndërmarrë nga Rama dhe Veliaj, të cilët sipas tij po iu faturojnë qytetarëve koston e keqqeverisjes.
 
STATUSI
Rritja e çmimit të ujit të pishëm është veprim kriminal ndaj qytetarëve i Ramës dhe Veliajt. Është një tjetër rekord i një qeverie thellësisht anti-popull.
 
Pasi harxhoi më shumë se 500 milionë euro të parave publike për fasada dhe luks, Edi Rama u kujtua se qytetarët e Tiranës nuk kanë ujë. Për të kompensuar keqmenaxhimin dhe vjedhjen në ujësjellësin e Tiranës, Edi Rama përmes Erion Veliajt ka vendosur të dënojë qytetarët duke jua faturuar atyre koston e keqqeverisjes së tij.
 
Partia Demokratike do të votojë nesër kundër këtij vendimi anti-popullor dhe ju bën thirrje të gjithë këshilltarëve të tjerë bashkiakë të votojnë për interesat e qytetarëve që ata përfaqësojnë dhe jo të dyshes Ramës e Veliajt.


/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Lulzim Basha i bashkohet lutjeve për Kryepeshkopin Anastas Janullatos

Lulzim Basha i bashkohet lutjeve për Kryepeshkopin Anastas Janullatos