Keti Bazhdari, fillimi apo fundi? 

Keti Bazhdari, fillimi apo fundi? 
Nuk jam shkrimtar e as gazetar. Po marr të shkruaj këto rreshta nisur nga një shkrim i djeshëm, "Shkodra do të bëhet", i Keti Bazhdarit. Personazh që e kam shumë simpati, pavarësisht se personalisht jam i djathtë dhe asnjëherë nuk kam votuar Partinë Socialiste. E kam ndjekur në distancë gjithë fushatën e Keti Bazhdarit. Me shumë ftohtësi. Fillimisht shumë skeptik.

Në një bastion të Partisë Demokratike, një grua e re pa përvoje të gjatë në politikë do ta ketë të vështirë përshtatjen mes ujqërve të pushtetit. Absulotisht isha i bindur që më të veshtirën do kishte përballjen me të pakënaqurit e reformave dhe me të pakënaqurit e Partisë Socialiste për shkak të ndryshimeve të fundit brenda saj. Në Shkodër bëhej fjalë për 70% të popullatës që s'paguante energjinë elektrike deri para 1 viti, kryesisht në fshat dhe periferitë e qytetit dhe që sot u ka rënë për hise të paguajnë miliona: Po ta lidhim edhe me faktin se sa shume njerëz në po këto zona janë të gatshëm ta shesin votën, i bie që kjo grua të ishte heroinë. Ajo po i hynte një gare të pabarabartë.

Përballë kishte urrejtjen e një populli të indoktrinuar, ndërsa në krah urrejtjen e një populli "të tradhtuar", i mësuar të jetojë parazitçe dhe që sapo e kanë detyruar të paguajë "qimet e kokes". Unë me mendjen time isha i gatshëm të vija bast që ajo vete as do guxonte të afrohej nëpër disa zona të caktuara ku reformat kishin qenë më efektuese. Por për habinë time e të gjithëve, realiteti foli ndryshe. Ajo u afrua dhe i hyri në zemër njerëzve. Theu inatet e atyre që edhe pse të majtë, e kishin bërë me be që s'do e jepnin kurrë më votën majtas. U afrohej lehtësisht njerezve me buzëqeshjen e saj tipike dhe me sensin e fortë të humorit, 2 armët kryesore të komunikimit.

Pati avantazh sepse ndryshonte rrenjësisht nga kundërshtarja e saj e cila personalisht nuk percillte asgjë tek njerëzit përvec mesazhit që ishte anëtare e Partisë Demokratike. Inteligjenca e spikatur e Keti Bazhdarit u duk edhe tek personazhet që afroi rreth vetes. Intelektualë dhe figura të nderuara të Shkodrës u bënë pjesë e grupeve të saj të punës. S'ishte parë ndonjëherë që politika të shfaqte aq ndjeshmëri sa të kërkonte të diskutonte lirshëm me grupe të gjëra intelektualësh nga bota e artit e kulturës, akademisë, ekonomisë etj. Politika zakonisht ka qenë hermetike në këtë drejtim dhe penetrimi i saj nga intelektualët është bërë me sprova të rënda për ta. Bazhdari pati gjithë talentin dhe kultivimin e duhur që të kuptonte se ndërtimi i të ardhmes fillon nga elitat intelektuale dhe i kushtoi shumë vëmendje kësaj pjese. Përfshiu më të aftët për të hartuar strategjinë e zhvillimit të Shkodrës.

Une e them pa frikë që strategjia e Bazhdarit dhe stafit të saj është forma më e mirë për ta nxjerrë Shkodrën nga rrënimi social ekonomik e kulturor. E kam ndjekur dhe lexuar me vëmendje se sa qartë e saktë janë artikuluar në programin e saj problemet që pengojnë zhvillimin dhe se sa me zgjuarsi dhe prakticitet janë adresuar zgjidhjet. Njerëzit, deri ata më të pezmatuarit nga "pabesia" e pushtetit që po u mblidhte lekët e dritave dhe po u ndalonte ndërtimin pa leje, filluan të kenë dëshirë të ulen përballë Bazhdarit. Si në fshatra ashtu edhe në qytet, takimet e saj ishin plot dinamizëm, energji, shpalosje alternativash dhe diskutime të hapura pa censurë. Lajmet lokale nuk ngjanin më të velshme. Keti na bëri te enderrojme. Kjo shprehje pat mbizotëruar në qytet për një periudhë të gjatë kohe. Vazhdon edhe sot përmes psherëtimash nga shkodranët. Keti Bazhdari mori 15.000 vota opinioni të mirë vetëm në qytetin e Shkodrës, jo vota lekësh, as vota ideologjike me lopata.

Asnjë kandidat i majtë tjetër apo edhe vetë Partia Socialiste s'i ka kaluar kurre 11.000 votat në qytetin e Shkodrës, përfshirë këtu edhe deputetin Namik Kopliku kur kandidoi vetë. Në shumicën e komunave Bazhdari ka marrë aq vota sa edhe vetë komunaret e majtë që kanë kandiduar e fituar ne 2011, do ta kishin zili. Po të ishte votuar në të njëjtin nivel sa është votuar në zgjedhjet lokale të vitit 2011, kuptohet me një përqindje rritje normale, Bazhdari sot do ishte kryetare e Bashkisë Shkodër me 52% të votave. Duke iu referuar ndarjes së re administrative, në vitin 2011 kanë votuar 54.000 vetë. Këtë rradhë kanë votuar 71.000 vetë, 17000 vota ose 31% votues më shumë se në zgjedhjet e kaluara lokale të vitit 2011. Cfarë ndodhi? Cfarë i shtyu gjithë këta votues shtesë? A mori Keti votën e majtë?

Në fakt për Keti Bazhdarin votuan të majtë e të djathtë. Ishte votë qytetare. Votë e atij që është i ndërgjegjshëm për efektet e jashtëzakoshme që ka menaxhimi i mirë ose jo i pushtetit lokal. Shkodra po të vazhdojë me ritmin e deri sotshëm, tejvarfërimin e ka të pashmangshëm. Jam i bindur se lotët në sytë e shumë qytetarëve ditën e humbjes së Bazhdarit, nuk ishin vetëm të sinqertë por edhe realiste. Eshtë evidente mefshtësia intelektuale e Voltana Ademit dhe babëzia 25 vjecare e atyre që e rrethojnë. 
Shkodra është e mbushur me histori fitoresh të pamerituara, por për herë të parë kjo fitore i ka vënë njerëzit në pozita të forta dyshimi. Edhe ata që e dhanë votën per inertësi ideologjike por që kurrë se menduan fitoren e Ademit, brenda vetes tyre ndjehen të penduar. Fryma ishte të fitonte Bazhdari. Ajo kishte inteligjencën, njerëzit, përgatitjen dhe mbështetjen e duhur që ta sillte ndryshimin në Shkodër. Humbja e kësaj fryme ka bërë shumë veta të mendojnë largimin nga Shkodra.

Dhe ata që e mendojne kështu nuk janë domosdoshmërisht socialistë të thekur, më shumë jane qytetarë të thekur. Shumë persona, përfshirë edhe mua ia kemi dhënë votën partive të djathta dhe Keti Bazhdarit. Kjo ishte një frymë që u perhap fort në Shkodrën që s'kishte guxuar ta mendonte kush ndonjëherë. Të djathtë që e japin masivisht votën majtas, por që zëvendësohen nga turma të pa ide që zgjohen për të votuar. E frikësuar nga humbja e pashallëkut të fundit, përballë disa strukturave historikisht të lodhura të Partisë Socialiste në Shkodër, me institucione e drejtore rrumpallhane, gjysma nga Malsia e Madhe, struktura e Partisë Demokratike e gjeti lehtësisht formën e mbijetesës. Penetroi mirë në terrene të periferisë me skemën e tyre të thashethemit dhe po sipas thashethemeve po del që këtu ka ekzistuar dhe dakordësia e drejtuesve lokalë të koalicionit. Detyra ishte të conin sa më shumë njerëz pa orjentim, që s'kanë votuar kurrë, të votonin nën panikun e pushtimit komunist. Këtu dha kontributin e vet edhe LSI-ja që zgjoi me mijra persona të tillë për të votuar partinë.

Dihet në një zonë bastion të një force politike, vota e tepërt është në disfavor të forcës tjetër politike. Partia Demokratike e dinte që e kishte të humbur davanë me cdo qytetar që njeh të drejtat dhe liritë e veta, ndaj i duheshin disa mijra frymë shtesë. Në këtë pikë ishte Keti Bazhdari ajo që humbi betejën dhe ndoshta ishte e shkruar kështu. Por kjo ka qenë humbja më me nder që kam parë ndonjëherë. Besoj edhe ajo vetë ka qenë koshiente që përpara se po i hynte një misioni të vështirë apo gati të pamundur. Keti Bazhdari e realizoi në fakt të pamundurën, atë që se bëri asnjë para saj. Ndërtoi në mendjet e kthjellta të shkodranëve mitin e shpresës për ndryshim. Shkodra mund dhe do të bëhet. Keti I bëri njerëzit të ëndërrojnë e shpresojnë. Humbja e saj është lexuar më së shumti si nje humbje e Shkodrës se sa e vete asaj. Znj Bazhdari pati grintën dhe moralin e duhur t'i jepte shpresë jo vetëm 29.000 votuesve të saj, por edhe të gjithë atyre që e dhanë votën kundër saj duke shpresuar thellë brenda tyre se fituesja do të ishte ajo.

Aq sa jam i bindur, e uroj me shpirt që Keti Bazhdari dhe historia e saj të jene vetëm fillimi I ndryshimit per Shkodren.
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin