Më 5 tetor të vitit 2023 Orges Shehi largohej nga posti i trajnerit të KF Tiranës jo pa polemika. Trajneri durrsak e kishte provën e profesionit të ri në stolin e klubit më të titulluar në Shqipëri dhe në 981 ditët e tij si trajneri i KF Tiranës ia doli të bëhej tekniku më jetëgjatë i këtij klubi, të paktën në epokën 'Halili'.
Nga 27 janari i vitit 2021 e deri më 5 tetorin e vitit 2023, Shehi e drejtoi skuadrën në fushë për 120 ndeshje, me një mesatare pikësh prej 1.85 për ndeshje. Në stolin bardheblu Shehi siguroi 66 fitore, 30 humbje dhe 24 barazime. Gjatë kësaj periudhe ai fitoi titullin kampion në sezonin 2021-22 dhe një sezon më pas Superkupën e Shqipërisë.
Tanimë, fiks pas 873 ditësh dhe përvojave të tij te Partizani (Superligë) dhe Ballkani në Kosovë, durrsaku 48-vjeçar është rikthyer sërish te KF Tirana. Kontrata e tij është e vlefshme deri në fundin e këtij sezoni dhe objektivi është mbijetesa në Superligë.
Pasi zëvendësoi Ardian Nuhiun në stolin e KF Tiranës, Orges Shehi bëhet trajneri i katërt që do drejtojë bardheblutë këtë sezon dhe debutimi i tij do jetë më 27 shkurt (e premte) në orën 19:00 në 'Loro Boriçi' të Shkodrës, aty ku Tirana luan kundër Vllaznisë kryesuese në 'Klasiken e Shqipërisë' për raundin e 26-të në Superligë.
KF Tirana e nisi kampionatin me Vangjel Milen në stol, për të vijuar me Roberto Bordin dhe më pas me Ardian Nuhiun. Për momentin KF Tirana me 21 pikë mbetet në vendin e parafundit dhe rrezikon seriozisht rrëzimin në Kategorinë e Parë.
Komente











