SHKODËR - U largua në vitin 2009 si një fëmijë, por Elseid Hysaj nuk e ka harruar Shkodrën, vendlindjen e tij dhe klubin e Vllaznisë ku hodhi hapat e para si futbollist. Në 107 vjetorin e themelimit të klubit shkodran (16 shkurt 1919), KF Vllaznia mblodhi dje emrat që i kanë dhënë jetë këtij klubi.
I pranishëm mes tyre ishte edhe Elseid Hysaj, mbrojtësi i Lazios në Serie A dhe zëvendëskapiteni i Kombëtares. I ngacmuar nga mediet në lidhje me një rikthim te Vllaznia, 32-vjeçari Hysaj nuk ishte kundër kësaj ideje pas disa vitesh. Ai tha se duhet parë gjendja e klubit shkodran për një vendim të tillë, madje përmendi edhe një rikthim te Empoli në Itali, skuadra që e formoi si futbollist.
"E ndjek futbollin shqiptar për kënaqësi dhe shpresoj që Vllaznia të fitojë një titull kampion dhe të sjellë gëzim në Shkodër. Kemi qytetin me tifozët më të zjarrtë dhe besoj se e meriton titullin.
Do e mbyllnit karrierën në Shkodër me Vllazninë?
Nuk e kam menduar ende këtë gjë, kam edhe pjesën tjetër, ndoshta kam qejf që të kthehem edhe te Empoli në një moment, aty e kam nisur që i vogël. Nuk do ishte keq (kthimi në Shkodër), por varet sesi do jetë Vllaznia dhe çfarë gjërash do kenë bërë deri në ato vite", tha mes të tjerash Elsied Hysaj, veterani i mbrojtjes i cili është futbollisti me më shumë paraqitje me Kombëtaren (95 herë).
Komente









