Italia do të marrë pjesë në Bordin e Paqes për Gazën, por vetëm si vëzhguese. Pa të drejtë vote dhe pa rol si anëtare me të drejta të plota.
Këtë e bëri të qartë ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, duke sqaruar se vendimi lidhet me përmbajtjen e statutit të këtij formati të promovuar nga presidenti Donald Trump.
“Jemi ftuar të marrim pjesë si vëzhgues dhe kemi vlerësuar se është e përshtatshme të jemi aty, sepse duam të jemi protagonistë, por si vëzhgues, ashtu siç do të jetë edhe Komisioni Europian,” tha Tajani pas një takimi dypalësh me homologen kanadeze Anita Anand.
Ai sqaroi se Italia nuk mund të marrë pjesë si anëtare për shkak të nenit 9 të Statutit të Bord-it, që sipas tij bie ndesh me Kushtetutën italiane.
“Po e bëjmë këtë sepse kemi dhënë shumë për Gazën dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Jemi ndër vendet që kanë kontribuar më shumë,” u shpreh ai, duke shtuar se Italia është gati të trajnojë policinë e re në Gaza dhe atë palestineze, si dhe të rrisë praninë e karabinierëve në Rafah.
Sipas Tajanit, Italia ka interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe për ndërtimin e paqes në rajon.
Ndërkohë, kryeministrja Giorgia Meloni nuk e ka konfirmuar ende nëse do të marrë pjesë personalisht në takimin inaugurues. Ajo i ka kërkuar Tajanit të jetë gati për të përfaqësuar Italinë në samit, ndërsa vendimi final mund të ndikohet edhe nga qëndrimi që do të mbajë kancelari gjerman Friedrich Merz.
Pasditen e së hënës në Palazzo Chigi është planifikuar një mbledhje qeverie mes Melonit, Tajanit dhe zëvendëskryeministrit Matteo Salvini, në prag të komunikimeve që ministri i Jashtëm do të mbajë në Parlament për pjesëmarrjen e Italisë në mbledhjen e parë të Bordit të Paqes për Gazën.
Të martën në orën 16:45, Tajani do të dëgjohet në komisionet e Jashtme dhe të Mbrojtjes në Senat, siç bëri me dije presidenti i Senatit, Ignazio La Russa./LaRepubblica
Komente









