‘Kielinin dhe Bonuçin do t’i doja ministra’, Rama për ‘Tuttosport’: Ne shqiptarët ndihemi pjesë e Italisë

‘Kielinin dhe Bonuçin do t’i doja ministra’, Rama për ‘Tuttosport’: Ne shqiptarët ndihemi pjesë e Italisë

Në intervistën dy minutëshe e njëzet sekonda të dhënë për Tuttosport Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ka treguar mjaft gjëra. Ai e nis duke u shprehur: “Kundrejt virusit në Europë të gjithë po bëjnë katenaço, ndërkohë që duhet të bëjmë të gjithë si Milani i Arrigo Sakit: zero yje që sillen në fushë sipas kokës së tyre, por të mbrojmë dhe të sulmojmë të gjithë si skuadër”.

Arsyeja e kësaj interviste ishte dërgimi i tridhjetë mjekëve dhe infermierëve për të ndihmuar Italinë në luftën kundër koronavirusit. Për këtë temë kryeministri Rama u shpreh: “Nuk jemi të pasur, por as me memorie të shkurtër. Na keni pritur gjithmonë dhe ne nuk e harrojmë kurrë mikun tonë në vështirësi.”

Më pas ‘Tuttosport’ i bën edhe një biografi Edi Ramës ku e cilëson si ‘jo vetëm një politikan’. Një ish-lojtar basketbolli në moshë të re si dhe një pasionant i madh i sportit, përveçse piktor, pedagog në Institutin e Arteve dhe gazetar, Rama nisi udhëtimin e tij në politikë në fillim të viteve 1990, pasi ishte një mes themeluesve të lëvizjes demokratike në Shqipëri. Nga viti 2000 deri në 2011-ën ai mbuloi postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në krye për 3 mandate dhe pas dy vitesh edhe si kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend, në vitin 2013 bëhet kryeministër i Shqipërisë, madje një dopio rol duke qenë se tashmë mbron edhe pozitat e ministrit të jashtëm. 

Kryeministër Rama, pikësëpari duam t’ju falënderojmë për gjestin dhe fjalët e shprehura për vendin tonë, një fjalim vërtet prekës dhe mallëngjyes. Çfarë efekti ju jep të merrni kaq shumë konsense dhe empati me Italinë në orët e fundit?

I mirëpres me shumë nder dhe përulësi, por me sinqeritet absolut them se ne shqiptarët ndihemi pjesë e Italisë, pas asnjë dyshim. Dhe ky yni është një gjest jo thjesht solidariteti, por familjar, nëse mund ta quaj kështu. Një gjest mes dy fqinjëve që jetojnë në të njëjtin oborr.

Sa e vështirë është që të mbuloni një rol si i juaji në mes të një krize ndërkombëtare si kjo e këtij lloji?

Politika për mua nuk është ajo monstra e ligë për të cilën të gjithë janë gati që të flasin keq, por shpikja më e bukur e njeriut për të zgjidhur me burra të tjerë problemet që nuk mund të zgjidhen vetëm. Sigurisht që politika i ka shkaktuar shumë dëme njerëzimit dhe fatkeqësisht vazhdon t’i bëjë ende sot e kësaj dite!

Por gjithsesi pa politikën nuk do të kishim pasur asnjë nga ato shumë mrekullira që kanë transformuar botën, duke e bërë një vendbanim më të mirë për të gjithë. Qeveritë demokratike dhe jo pak politikanë të drejtë operojnë në mënyrë konstante për të përmiurësuar jetën e personave, hap pas hapi. Gjërat që arrijnë nuk bien nga qielli, edhe pse mund të duket kështu. Sepse fatkeqësisht në dukje vihen vetëm gabimet e qeverive dhe mëkatet e politikave.

Si po shkojnë gjërat në Shqipëri?

Në Shqipëri po luftohet një e kaluar shumë e rëndë dhe çdo ditë kërkohet që të fitohet një betejë sfilitëse kundër kohës së humbur. Por tashmë nuk ka thuajse më beteja të mëdha politike që nuk janë të ndërlidhura me popujt e tjerë, sepse kush mendon që t’i fitojë ato brenda kufijve thjesht zhgënjen popullin e vet. Duket sikur ky virus i mallkuar që po gjunjëzon shumë shtete ka ardhur për të na treguar pikërisht këtë, duke na bërë të vuajmë në një mënyrë me të cilën bota nuk ishte përballur kurrë.

Mendoni se kriza do të kalohet nga Europa dhe nga bota?

Besoj se jemi në një luftë botërore dhe kjo është lufta e parë ku ai që sulmon është vetëm armiku i të gjithëve dhe të gjithë ne jemi të detyruar që vetëm të mbrohemi. Nuk kemi luftuar dhe dëgjuar kurrë të flitet për një luftë që fitohet vetëm duke u mbrojtur.

Në këtë pikë, katenaço do të mjaftojë deri në një farë pike, sepse nëse nuk vendosim të dalim jashtë zonës sonë të rreptësisë, do të jenë të garantuara dhimbje më të mëdha, sesa këto që po përjetojmë deri tani. Nëse sot nuk arrihet që të varrosen trupat e viktmave në Bergamo, duke vazhduar kështu jo vetëm Europa, por edhe vetë vendet e mëdha demokratike do të jenë hi i një zjarri të tmerrshëm.

Si do të jetë e nesërmja? E mendoni, e imagjinoni?

Kam përshtypjen se kjo është edhe lufta e parë në të cilën asnjë nga forcat luftuese nuk e imagjinon dot të nesërmen. Luftohet ditë pas dite kundër një armiku të padukshëm, një luftë në të cilën edhe ushtria më potente e botës, ajo amerikane, duket njësoj si ushtria e dobët shqiptare. E pabesueshme apo jo? Por edhe më e pabesueshme se kjo është se ende sot në horizont nuk shihet një tavolinë europiane për të folur për këtë dramë, apo akoma më shumë një tavolinë në nivel botëror. Po, po flasim nëpërmjet videove vërtet, por po komunikojmë për t’i thënë jo Italisë që digjet, por pa folur për atë kundërsulm që nevojitet për të fituar.

Deri tani kemi folur vetëm për maska, respiratorë dhe për të marrë dritën jeshile nga shtetet të ndryshme për të rritur borxhin e secilit. Tashmë ka ardhur koha që të shohim në aksion një manovër “sakiane” (alla Arrigo Saki), ku shtetet kampione të luajnë për skuadrën, me të gjithë që mbrojnë në zonë dhe sërish që të gjithë hidhen në sulm si një dallgë gjigante. Ka ardhur koha të markojmë një për një virusin.

Nëse qëndrojmë të mbyllur në kufijtë tanë dhe luajmë si “Galaktikët” e atij Reali që fitoi pak ose asgjë, jo vetëm Europa, por askush nuk do të arriojë të fitojë asgjë.

Mendoni se kjo krizë do të lërë diçka të mirë, si për shembull një solidaritet më të madh mes popujve?

Fatkeqësisht duket sikur jemi krijuar për ta pasur memorien e shkurtër, sidomos kur e keqja kalon. Nuk e di nëse do të arrijmë ta transformojmë këtë krizë kanionike globale në një mundësi për të rivizituar vende të përbashkëta dhe të transformojmë këtë botë, në të cilën ndërsa flasim për inteligjencë artificiale, nuk kemi as maska për të mbrojtur mjekët! Unë di vetëm që njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi, por qeveritë e shteteve të mëdha nuk mund të qëndrojnë në shtëpi, nëse duan që ta fitojnë këtë luftë.

Ju keni qenë një sportist në rini. Keni luajtur basketboll?

Po dhe ishulli im ka qenë italiani Dino Menegini.

Mendoni se sporti mund të na mësojë diçka për të kaluar krizën aktuale?

Mua personalisht më ka mësuar shumë në nivel mentaliteti dhe strategjie. Dhe jo më kot kam ndjekur shembujt e skuadrave të mëdha dhe të trajnerëve të mëdhenj për t’u përmirësuar në rolet e mia të kryetarit të bashkisë, të liderit të opozitës, apo sot të kryeministrit. Kam mësuar shumë dhe i jam shumë mirënjohës shumë prej tyreve, Zhoze Murinjos dhe master-klasit të tij autentik pikësëpari.

E sigurt është që kam mësuar shumë edhe prej Juventusit, klub me të cilin jam i lidhur që në vegjëli, por që në shumë momente për mua kky klub ka shërbyer edhe si një shkollë, sesi të bësh skuadër për të fituar.

Në rrjetet sociale italiane u bënë virale fotot tuaja teksa kishit dalë në inspektim për orarin e lëvizjes, teksa mbanit veshur një xhup me logon e Juventusit. Nuk është mister se kjo është skudra juaj e zemrës, por pyetja është sesi lindi dashuria për Juventusin? E ndiqni shpesh?

Juventusi për mua është mishërimi i shpirtit fitues, edhe kur parashikimet më pozitive thonë të kundërtën. Kam disa xhupa të ndryshëm të skuadrave të ndryshme, të cilat më kanë ndihmuar në stërvitjen time psikologjike.

Çfarë mendoni për vendimin e futbollistëve të Juventusit për të ulur pagat (kanë hequr dorë nga 4 pagat e fundit të sezonit)?

Është forca e atij shpirtit që po ju flisja më parë dhe që e bëjnë Juventusin një fe, jo vetëm një skuadër të madhe futbolli.

Me respekt të madh them se të njëjtët lojtarë, nëse do të kishin qenë pjesë e skuadrave të tjera të pasura, nuk do të kishin hequr dorë nga pagat e tyre.

Jeni dëgjuar në telefon me presidentin Anjeli, gjatë ditëve të fundit?

Jo, jemi parë vetëm një herë së bashku, por nuk njihemi me njëri-tjetrin. Gjithsesi për mua është një burrë i madh, sepse të bashkëjetosh me mitin e “Avokatit” është me të vërtetë një arritje e jashtëzakonshme e vetëbesimin. I ul kapelen…

Në Romë u njohët me Ronaldon dhe Bufonin. Çfarë përshtypje ju bënë?

Dy “fëmijë” kolosë. Burra me një zemër të madhe… Kjo, edhe si rrjedhojë e faktit se edhe ata brenda vetes së tyre e mbajnë ende fort të gjithë rrugën e bërë dhe nuk e kanë harruar kurrë kur ishin askushi.

Cili është futbollisti juaj i preferuar?

Ka qenë dhe do të jetë gjithmonë Dino Xof (ish-portieri i Juves dhe i Italisë).

Cilët nga juventinët do të donit në kabinetin tuaj qeveritar?

Kielinin si ministër të punëve të brendshme dhe Bonuçin si ministër të mbrojtjes.


Lajmi kryesor:

Rama përkrah Ronaldos, gazeta e madhe sportive në Itali hapet me kryeministrin shqiptar: Virusi mposhtet me metodën Sachi


Ne.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël