Regjisori Fatmir Koçi ka nis xhirimet për ekranizimin e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit.  

"Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" (1973) ka në qendër kronikën e karrierës së palavdishme të një zyrtari "në vijë" gjatë realizmit socialist, por në të njëjtën kohë është edhe pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës.

““Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një nga romanet jo vetëm më të mirë të shkrimtarit Dritëro Agolli, por të të gjithë letërsisë shqipe, tashmë po kthehet edhe në film”, shkruan ministrja e Kulturës, Elva Margariti në profilin e saj në “Facebook”.  

Filmi me skenar dhe regji të Fatmir Koçi është prodhim i shtëpisë kinematografike "K.Koçi Production". 

Ky film, i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë̈ është bashkëprodhim me shtëpinë filmike “Circle Production”, me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe shtëpinë filmike “Kino oko”, Maqedonia e Veriut.

“Ishte kënaqësi të shihja kaq shumë të rinj, jo vetëm në rolet kryesore të filmit, por edhe në paskuinta, çka na jep besim se një brez i ri aktorësh e kineastësh kanë nisur udhëtimin e tyre”, thotë Margariti pas vëzhgimit të punës në sheshxhirim.