Luan Qerimi, aktori i mirënjohur shqiptar është ndarë nga jeta ditën e sotme. Ylli i kinematografisë shqiptare ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Aktori i mbi 70 roleve në teatër dhe filma të ndryshëm ishte tërhequr prej vitesh nga jeta artistike por me siguri shumë e kujtojnë nga rolet e tij në “Arturo Ui”, “Otello”, “Orët e Kremlinit”, “Gracka”, “Vdekja e kalit”, etj.
Luan Qerimi lindi në Lushnje, 15 tetor 1929 dhe e nisi karrierën e tij me lëvizjen amatore, për t’u aktivizuar në Teatrin e Ushtrisë, ku talenti i tij spikati. Më pas në vitin 1954 hyri në Teatrin Popullor. Pas rolit episodik në komedinë “Prefekti” në vitin 1954, si Skënderi, Qerimit do t’i besoheshin me dhjetëra role të tjera.
Luan Qerimi mbante titullin “Artist i merituar”, që prej vitit 1989. Ndër rolet e tij spikatin ato në veprat skenike: “Toka jonë”, ”Orët e Kremlinit”, “Otello”, “Hamleti”, “Dragoi i Dragobisë”, “Përkolgjinajt”, “Cuca e maleve”, “Arturo Ui”, “Epoka para gjyqit”, etj. Në kinematografi ka luajtur në filmat “Qëndresa”, “Vdekja e kalit”, “Shpella e piratëve”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Eja”, “Koha nuk pret”, “Gracka”, “Nëntori I Dytë”, “Shembja e idhujve”, “Toka jonë”, “Debatik”, etj. Po ashtu ka interpretuar mbi 200 role në “Teatri në mikrofon”, siç ka kontribuar edhe në emisionet “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” dhe “Fjala artistike në mikrofon”.
Komente









