Kështu nis një artikull i posaçëm me titullin “Të liruar nga Guantanamo, uigurët bëjnë pica në Tiranë”, dedikuar azilkërkuesve uigurë që prej vitesh jetojnë në kryeqytetin shqiptar, publikuar nga media prestigjioze si AFP-ja franceze, “International Herald Tribune” etj.
"Unë fillova një jetë të re në Shqipëri dhe nuk mund të kthehem në Kinë, pasi autoritetet kineze nuk do ta lejonin familjen time të largohet nga vendi dhe të vijë në Shqipëri," citohet uiguri i lartpërmendur. Duke shtuar më tej faktin sesi ai punon në një piceri të vogël nëpër rrugë, diçka shumë e ndryshme nga puna në një fabrikë lëkure që ai bënte kur ishte në Kinë. Çdo pasdite ai vjen në orën 16:00 dhe punon deri në kohën e mbylljes.
"Unë kisha për të mësuar se si të bëj pica në Tiranë, gjë e cila nuk ishte e lehtë, sepse nuk është saktësisht një specialitet i vendit tim", pohon më tej Qassim përmes një buzëqeshjeje.
Megjithëse, Shqipëria i paguan qiranë e shtëpisë si dhe një shtesë prej 300 eurosh në formën e një kompensimi mujor, Qassim tha se ai kishte për të punuar për të fituar para’ të mjaftueshme për të mbështetur familjen e tij.
"Konkurrenca është e ashpër dhe unë të përpiqem të bëj recetat e mia me përbërës të veçantë, për klientë të cilët janë kryesisht studentë të rinj," tha ai.
Qassimi, 43-vjeçar, është një nga pesë uigurët kinezë, të vendosur në Shqipëri pasi lirimit nga kampi i burgimit të SHBA-së në Guantanamo të Kubës, në vitin 2006. Ai ishte në mesin e disa uigurëve të kapur në Afganistan, kur Shtetet e Bashkuara filluan të ashtuquajturën luftë kundër terrorit, pas sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001.
Ai thotë se shkoi në Afganistan, për t'i shpëtuar persekutimit të uigurëve në provincën Xinjiang nga autoritetet kineze. Ndërkaq, artikulli i lartpërmendur, sqaron se Kina e akuzon atë për lidhje me Lëvizjen Islame të Turkestanit (ETIM), që lufton për të rivendosur shtetin e pavarur të Turkmenisë Lindor në Xinjiang, që kur provinca u bë një rajon autonom në vitin 1955.
”Qassim kaloi katër vjet e gjysmë në Guantanamo, por në fund u shpall i pafajshëm nga një gjykatë federale amerikane, e cila e dërgoi në Shqipëri”, citon artikulli. "Presidenti amerikan Barack Obama e kuptoi se Guantanamo ishte një gabim i madh që duhet të korrigjohej, por Kina ende na konsideron si terroristë," tha Qassim.
Në artikull nënvizohet edhe fakti se Shtetet e Bashkuara u kishin kërkuar disa vendeve për të marrë uigurët, por vetëm Shqipëria i pranoi ata, duke i kthyer në këtë mënyrë “shpinën” Kinës.
"Për vite kam shpresuar më kot se Shtetet e Bashkuara apo Kombet e Bashkuara do të më ndihmojnë të bashkohem me gruan dhe tre fëmijët, të cilët unë nuk i kam parë prej 12 vjetësh," tha Qassim, duke folur në gjuhën shqipe, me të cilët mban në fakt kontakt të rregullt në Kinë vetëm nëpërmjet internetit.
"Prandaj kam vendosur që të rimartohem. Gruaja ime është shtatzënë dhe për dy javë, ne do të kemi një fëmijë, vajzën tonë", thotë ai. Ndërkaq, gruaja e tij e dytë është gjithashtu uigure. Ajo jetonte me familjen e saj në një vend tjetër evropian, emrin e të cilit Qassim nuk e thotë arsye sigurie dhe ka marrë azil politik në Shqipëri. "Ne do ta quajmë fëmijën tonë Zejnep (lule e shkretëtirës) dhe ajo do të jetë xhevahir i kurorëzimit në këtë jetë të re në Shqipëri," shton Qassimi. ”Të ballafaquar me të njëjtat probleme si Qassim, dy nga katër shokët e tij uigurë, ish-të burgosur në Guantanamo, i kanë sjellë gratë e tyre uigure në Tiranë për t’u rimartuar.
“Ndërsa një i tretë shpreson për të gjetur një grua shqiptare, ndërsa i katërti ka kërkuar azil politik në Suedi”, shton më tej artikulli.
"Në Guantanamo kemi mbajtur mjekrat tona, sepse ajo ishte pjesë e zakoneve tona, por në Tiranë e kam rruar atë, sepse ka ende njerëz që mendojnë se prapa çdo mjekre fshihet një terrorist ... Unë u shpalla i pafajshëm. Unë kurrë nuk isha anëtar i ndonjë grupi terrorist. Dëshira ime më e madhe është pavarësia e krahinës sime dhe të kthehem në vendin tim kur ai të jetë i pavarur nga Kina," insistoi ai.
Gjithashtu, artikulli nuk lë pa përmendur edhe faktin se koha e tij, e kaluar në Guantanamo, i ka lënë plagë të thella. Ai ende ka ankthe dhe dëgjon britmat e të burgosurve të tjerë.
"Në Guantanamo ligji nuk ka ekzistuar dhe njerëzit ishin vetëm numra ... Unë nuk duhet të ankohem për jetën time të re në Shqipëri," përfundon ai këtë rrëfim interesant.
(Marre nga Express)









