Kryeministri Edi Rama ka bërë ndalesën e radhës në qytetin e Dibrës në kuadër të turit “Punët për Shqipërinë”. Në fokus të takimeve me qytetarët, është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe sfidat e angazhimet që duhen ndërmarrë me qëllim adaptimin me kriteret e BE për çdo sektor.
“Punët e Shqipërisë po shkojnë në drejtimin e duhur dhe po fillojnë të japin gjithmonë e më shumë rezultate. Misioni ynë kombëtar për ta çuar Shqipërinë dhe për ta ulur në tryezën e përbashkët të Evropës është sot në fazën e vet finale. Kjo është një fazë e vështirë, kërkon angazhim të madh, kuptim të drejtë se çfarë na pret. Vetëm PS mund ta kryejë këtë mision kombëtar”, tha Rama.
Rama foli për zhvillimin e qytetit të Dibrës ndër vite e që sot qëndron më mirë se më parë, me një rritje të interesit për investime. Këtu kreu i qeverisë përmendi dhe të mirat që ka sjellë rruga e Arbrit.
“Fatmirësisht, Rruga e Arbrit tani nuk është më as premtim, është vepër që i takon mandatit që lamë pas, por ama sot janë frutat e para të rrugës që po fillojnë të dalin e të preken. Pasuria e patundshme e banorëve, trashëgimtarëve të kësaj zone, është rritur në vlerë tokash; metri katror dhe kërkesat për të ndërtuar në Peshkopi dhe në këtë territor, që deri dje ishin minimale, sot janë rritur. Kushtet për të sjellë më shumë investime nga fitimet dhe kursimet e djemve dhe vajzave në emigracion janë më të mira se kurrë. Kam besim që këto vite do të jenë vite të një rilindjeje tjetër të kësaj zone edhe në aspektin e ripërtëritjes sa i përket popullsisë. Një tendencë që ka filluar: në Berat janë regjistruar më shumë kthime sesa largime, tendencë që do të shfaqet edhe këtu. Dibra është shumë afër kryeqytetit, jastëku i gjelbër i kryeqytetit”, tha Rama.
Në mbyllje, Rama foli dhe për akuzat e vazhdueshme që vijnë nga opozita duke i cilësuar si të verbuar nga suksesi i Partisë Socialiste dhe pamundësia për ta mundur.
“Nuk na mundin dot. Kjo gjë i çon në verbëri. I çon në pikën që t’i turren vendit të vet, jo neve. Më ndodh dhe nuk di çfarë të them, ndihem keq pavarësisht se nuk më drejtohet mua. Kur miqtë e huaj më thonë si ka mundësi që vijnë nga Shqipëria njerëz që përfaqësojnë popullin shqiptar dhe nuk lënë gjë pa thënë dhe nuk ndalen së kërkuari nga ne që të bllokojmë Shqipërinë. Ka pasur situata të rënda edhe në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka bërë vaki që opozita maqedonase të shkojë në Bruksel, Berlin e Romë dhe të mos lërë shpifje e energji negative pa mbledhur për t’i hedhur në çdo vend ku hapet dera për të dëgjuar se çfarë po thonë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama me fermerët në Dibër: ‘Kooperativa e re’, prodhoni më vete, por shisni bashkë! Nuk shesim dot me çanta rrugëve të Brukselit











