Profesor Ziçishti, pas kaq vitesh si mjek në këtë shërbim, sipas jush, a është e vështirë të punosh në urgjencë? Të punosh mjek urgjence ka shumë vështirësi, jashtëzakonisht. Sepse, urgjenca është urgjencë dhe në kohën që ndodh i sëmuri është i papregatitur, vjen urgjent. Dhe vjen me një tufë njerëzish. Edhe mund të mos ketë gjë fare, por i sëmuri bërtet dhe është në një gjendje të caktuar, dhe një i sëmurë temeperon. Dhe në këto momente brigade e rojes së kirurgjisë duhet të veprojë e të zgjidhë problemin, por dhe të sqarojë familjarët. Përveç problemit të madh që është jetik për të sëmurët na intereson edhe problemi i sqarimit të familjarëve që ka një rëndësi të madhe. Sepse në një moment, në disa minuta, mjeku duhet ta ekzaminojë të sëmurin dhe duhet të veprojë. O do të ndërhyjë, o duhet të presë. Pritshmëria ka kohën e vet dhe këtu mund të acarohet me familjarët. Mjeku i urgjencës, sidomos i urgjencës kirurgjikale ka shumë vështirësi.
A ka raste kur familjarët kalojnë në ekstreme sjelljeje me mjekët?
Ka edhe raste të tilla, por mua gjatë gjithë eksperiencës sime nuk më ka ndodhur një gjë e tillë. Nëse në një anë veprohet drejt me pacientin dhe nga ana tjetër sqarohen familjarët për çdo gjë që mund të ketë, atëherë gjakrat ulen. Ka pasur raste që na ka ardhur edhe i vdekur i sëmuri dhe familjarët na thonin "shpëtoje". Por ne kemi biseduar me ta dhe i kemi sqaruar. Momenti i parë është më i keqi.
Në këtë urgjencë vijnë edhe raste të vecanta, njërëz që njihen si të fortë, të burgosur… në këto raste a ka presion stafi?
Unë vazhdoj të them me bindje se nëse gjërat sqarohen, thuhen ashtu sic janë dhe shikohet që çdo gjë bëhet me ndershmëri, nuk ndodh gjë fare.
Ju keni punuar në këtë urgjencë edhe në vitin '97, si ka qenë puna në këtë periudhë?
Ajo ishte një periudhë që mos ardhtë kurrë. Jashtëzakonisht e keqe. Ishte një periudhë, kur urgjenca shqiptare u përball me një punë voluminoze dhe me një punë që ishte ndryshe nga të tjerat. Sepse ka urgjencë kiururgjikale që ka sëmundje, por ka edhe urgjencë kirurgjikale që ka drama, plagosje me plumba. Asokohe kudo kishte plumba, në mushkëri kishte plumba, kudo. Kemi pasur konflikte, por kemi shpëtuar njerëzit. Unë nuk mbaj mend këtu në kirurgji, të kemi pas ndonjë incident. Kuptohet që kur ikën i sëmuri, tjetri nuk është se gëzohet, por duke parë përkushtimin e mjekëve, na kanë thënë edhe falemenderit.
Ju vinin shumë të plagosur në atë periudhë?
Po, jashtë mase shumë. Unë mund të them se vetëm brenda një natë janë hapur gjashtë torakse (mushkëri), që në kohë normale, nëse hapet një në dy muaj, janë shumë. Pra urgjenca masive…
Po kërcënime keni pasur në atë periudhë?
Në spitalin tonë jo, ndodhta pasi këtu shteti ishte më i fortë dhe policia gjithashtu. Dhe i kemi sqaruar se gjërat nuk bëhen ashtu.
A janë të paguar sa duhet mjekët e urgjencës?
Jo, jo! Pagesat janë dobët dhe mendoj se duhet të ketë diferencime. Paguhet turni i natës, por kjo nuk është zgjidhja.
Po sa i përket medikamenteve a ka mungesa, apo urgjenca s'ka problem të kësaj natyre?
Unë do të them një gjë, që në daç besoje, në daç jo. Në '97-'98 kemi pasur urgjencë jashtëzakonisht të madhe, por nuk na ka munguar gjë. Ishin gjërat. Gjaku po, ka qenë gjithmonë problem, pasi duhet të sensibilizohen vetë familjarët. Më tepër mungesa kemi pas tani. Jo se nuk kemi gjë, se në urgjencë ka gjithmonë furnizime, por jo që t'i kemi shpatullat e ngrohta. Ka disa mungesa. Për urgjencën është menduar. Këtu ku jemi është spitali i ri, ne kemi futur skanerin në urgjencë. Por ka mangësi në gjëra të tjera. P.sh vonesa e tenderave për fijet e operacionit, jo se nuk kemi, por janë të limituara. Dhe plot mungesa të tjera. Nëse të gjithë do punojnë me përgjegjësi, çdo gjë rregullohet. Mua mu bë qejfi, që i vetmi personalitet që ka ardhur na ka vizituar, është Jozefina Topalli. Ka ardhur dy herë. Më bëri përshtypje, pasi ajo nuk është e fushës së mjekësisë, por erdhi u interesua për urgjencën, për mamografinë e grave. Dhe unë e vlerësoj këtë.
Po sa i përket godinës ku jeni aktualisht, do zhvendoseni?
Këtu do të vijnë të gjitha urgjencat, kurse pavijonet fatkeqësisht do të qëndrojnë në atë vend të vjetër. Por rëndësi ka që së paku po rregullohen urgjencat.