Një lojtar bastesh fitoi gati gjysmë milioni dollarë nga arrestimi i presidentit të Venezuelës vetëm pak para se të bëhej zyrtar, duke nxitur pyetje nëse ka pasur përfitime nga informacione të brendshme për operacionin amerikan, raporton BBC.

Bastet në Polymarket, një platformë që funksionon në sajë të kriptomonedhave, se Nicolás Maduro do të ishte jashtë pushtetit deri në fund të janarit, u rritën në orët përpara se Trump të njoftonte të shtunën se lideri venezuelas ishte arrestuar.

Llogaria, e cila iu bashkua platformës muajin e shkuar, fitoi më shumë se 436,000 dollarë nga një bast prej 32,537 dollarësh. Ende nuk dihet se kush e vendosi bastin. Llogaria anonime ka një identifikues “blockchain” me shkronja dhe numra.

Të dhënat e Polymarket tregojnë se mesditën e 2 janarit lojtarët përcaktuan me 6.5% shanset për largimin e Maduros. Shanset u rritën në 11% pak para mesnatës dhe u ngritën ndjeshëm në orët e para të 3 janarit, një ndryshim i beftë pak para njoftimit të presidentit amerikan. Disa përdorues të tjerë të Polymarket gjithashtu fituan dhjetëra mijëra dollarë nga bastet mbi kapjen e Maduros.

Tregjet e parashikimeve kanë fituar popullaritet në SHBA vitet e fundit, me kompani si Polymarket dhe Kalshi që lejojnë përdoruesit të vënë baste mbi mbi gjithçka. Kompani të mëdha të industrisë kanë tërhequr qindra miliona dollarë në bastet mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së 2024. Bastet me informacion të brendshëm janë të paligjshme në tregun e aksioneve, por ka më pak rregulla në tregjet e parashikimeve.

Një zëdhënës i Kalshi tha se faqja e basteve “ndalon shprehimisht çdo formë të basteve me informacion të brendshëm, përfshirë punonjësit e qeverisë që vënë base në tregjet e parashikimeve lidhur me aktivitetet qeveritare.”