KLD, Cefa: Sulmi i Naços, politik
"Jo" ndërhyrjes së Parlamentit

KLD, Cefa: Sulmi i Naços, politik<br />
TIRANE - Një ditë pas përplasjeve mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ekzekutivit, pas vendimeve të fundit për të mos shkarkuar disa gjyqtarë të cilët janë nën hetim për fshehje pasurie, “beteja” ka vijuar edhe sot. Pas akuzave të ndërsjella të ditës së djeshme, ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa, shfaqen në një tryezë të përbashkët të OPDATE për etikën në kuadrin e inspektimit të gjykatave. Pasi kanë falënderuar donatorët për mbështetjen e reformave të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë, ata kanë hedhur akuza të ndërsjella në distancë.
 
Por nëse ministri Naço ka dalë nga dera e pasme e sallës ku zhvillohej seminari për të qenë në mbledhjen e Qeverisë, Cefa ka dalë nga korridori ku ishte vendosur barrikada e kamerave.
 
Në daljen e parë publike të nënkryetarit të KLD-së, Elis Cefa ka sulmuar ministrin e Drejtësisë se ka hedhur akuza të pabaza ndaj institucionit të KLD dhe se nuk do të tolerojnë ndërhyrjen e parlamentit.

“Jemi të shokuar nga deklaratat politike të ministrit të Drejtësisë. E prisja një reagim të tillë për të provuar pretendimet e tij, ministrit do t'i duhej një justifikim përballë eprorëve të tij. Dhe ky ishte sulm ndaj sistemit të drejtësisë. Akuzat e Naços janë të pabaza. Nuk mund të pranohet një ndërhyrje të parlamentit. Do vazhdojmë të veprojmë me shumë përgjegjësi. Reforma nuk sjell asnjë të re, por shkatërron institucionet kyçe. Këto shqetësime do ua bëjmë me dije faktorëve ndërkombëtarë”, tha Cefa.

Cefa: Deklaratat e Nacos sulme politike, krenar qe kam punuar krah Nishanit
Cefa tha se deklarimet e ministrit të Drejtësisë janë sulme politike, duke u shprehur se me këtë mënyrë ministri Naço ka zgjedhur të justifikojet përpara eprorëve të tij “në lidhje me paaftësinë e treguar për të provuar akuzat ndaj gjyqtarëve apo për të vërtetuar pretendimet e tij”.
 
“E riktheksoj faktin që jam krenar që prej disa vitesh kam drejtuar administratën e KLD dhe kam punuar në krahun e presidentit Nishani,” tha Cefa.
 
Cefa: Politika, jashte proceseve gjyqesore
Nënkryetari i KLD-së tha se, politika nuk duhet të ndikojë proceset gjyqësore.
 
“Procesi gjyqësor duhet të zhvillohet jashtë çdo ndërhyrje të pajustifikuar dhe paautorizuar. Duhet të ruhet pavarësia e institucioneve gjyqësore, dhe politika të mos ndërhyjë në proceset gjyqësore. Sjelljet jo etike përbëjnë një problem për të cilët duhet të ndërgjegjësohemi të gjithë. Duhet të përpiqemi të ruajmë standardet na ruajtjen e etikës në gjyqësor. KLD krahas masave ndëshkuese për gjyqtarët mban parasysh edhe rastet e shkeljes së etikës. Persona të caktuar të veshur me pushtet publik qoftë edhe gjykatës e prokurorë sillen si të plotfuqishëm, sikur kanë në dorë fatet e njerëzve, kur në të vërtetë nuk është kështu”, u shpreh Cefa.
 
Përplasjet në KLD arritën kulmin me vendimin e të martës kur me votim me dyer të mbyllura iu mbyll rruga procedimit disiplinor për Gjin Gjonin, gjyqtar në gjykatën e Apelit në Tiranë dhe anëtar i KLD-së, i kallëzuar penalisht nga ILDKPKI për falsifikimin dhe fshehjen e një pasurie rreth 2 milionë euro.
 
Ministri kërkoi ndërhyrjen e parlamentit pasi vendimet e KLD-së gjithnjë e më shumë shprehin, sipas tij, interesat vetjake dhe aleancat e anëtarëve.

Manjani: Ajo që ndodh në KLD, e papranueshme....100 % e korruptuar
Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas deklaratës së nënkryetarit të KLD-së, duke e quajtur të papranueshme atë që po ndodh në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në një deklaratë për shtyp, zv/ministri i Transporteve Ylli Manjani tha se kjo force politike mbështet çdo lloj nisme të parlamentit për të ndërhyrë apo hetuar me qëllim që të vihet në vend funksionimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
 
Sipas Manjanit, KLD është jashtë funksionimit normal dhe me vendimet e saj tregon se është 100% e korruptuar.
 
“Është një situatë e papranueshme ajo që po ndodh me drejtësinë. Sistemi gjyqësor është jashtë funksionimit normal. KLD është jashtë çdo lloj standardi qeverisës që një institucion kushtetues të rreshtohet pro reformës dhe kundër korrupsionit, ndërsa KLD bën të kundërtën. Sot KLD është 100% e rreshtuar në favor të korrupsionit dhe paaftësisë. Ka nisur një kurs antireforme. KLD nuk përfaqëson dot sot gjykatësit shqiptarë, aq më tepër ata i japin legjitimitet vetes të mbrojnë korrupsionin. Kjo nuk është erë shteti, kjo është erë e diçkaje tjetër. E papranueshme. LSI është reshtur në mbrojtje jo thjesht të ministrit Naëo, pasi është krenaria jonë që e bëjmë një gjë të tillë por të rreshtuar në favor të reformave dhe luftës antikorrupsion. Kjo është gangrena që ka marrë peng këtë vend”, tha Manjani.

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Kjo periudhë është ideale për ta lënë veten të shkoni të dashuria dhe ndjenjat... horoskopi për sot

Kjo periudhë është ideale për ta lënë veten të shkoni të dashuria dhe ndjenjat... horoskopi për sot