TIRANË, 23 Korrik /ATSH/ Nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zhvilloi sot mbledhjen plenare, e cila nisi me shqyrtimin e kandidaturave për emërimin e kryetarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, Lushnje, Tropojë, Fier dhe Korçë.
Para zhvillimit të seancave dëgjimore me kandidatët, Presidenti Nishani dha një mesazh të fortë në mbështetje të kryetarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apeleve.
Në këtë linjë Presidenti Nishani tha se, "KLD duhet të jetë mbështetje për kryetarin e Gjykatës, roli i të cilit është deçiziv për mbarëvatjen e punëve në Gjykatë. Por nga ana tjetër Kryetari i Gjykatës duhet të jetë i kujdesshëm më administrimin e Gjykatës. Kryetari i Gjykatës duhet t'i japi prioritet eksesit të publikut, për ta sjellë Gjykatën sa më afër qytetarëve".
Duke e vënë theksin tek puna e deritanishme e bërë nga Këshilli, Presidenti Nishani, u shpreh se pavarësisht se ka ende sfida, puna e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është vite drite larg, krahasuar me punën që është bërë disa vite më parë.
Në këtë linjë, Presidenti Nishani theksoi se, "garantoj qytetarët, se për herë të parë, ky Këshill me punën e tij është kthyer në binarët e ligjit. Praktikat e mëparshme, këtë Këshill e kanë diskretituar. Proceset janë të tilla që shkojnë gjithmonë drejt perfeksionimit, por emërimet nuk bëhen më në dyert e partive politike. Nuk bëhen më siç përmendeshin në vlerësimet e raporteve ndërkombëtare deri para katër apo pesë vitesh. Puna e këtij Këshilli është vite drite larg me punën e Këshillit paraardhës. Por natyrisht ka edhe sfida".
Më pas mbledhja vijoi sipas rendit të ditës të përcaktuar. Pasi dëgjuan platformat e kandidatëve, anëtarët e Këshillit me shumicë votash zgjodhën në detyrën e Kryetarit të gjykatës kandidatët
Esmeralda Çeka - Kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnje.
Artan Hajredinaj - Kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë.
Roland Jaupaj - Kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.
Admir Belishta - Kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.
Më tej, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përputhje me kornizën ligjore përkatëse, zhvilloi procedurat për shqyrtimin e kërkesave të gjyqtarëve kandidatëve për plotësimin e 1 (një) vendi vakant, në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe të 2 (dy) vendeve vakante, në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
Duke pasur në konsideruar natyrën e vecantë dhe rolin shumë të rëndësishëm te Gjykatës për Krime të Rënda, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të jenë pjesë e kësaj trupe gjyqësore u fokusua rigorozizht vetëm në kandidatët me pikët më të larta sipas sistemit të pikëzimit. Po ashtu në emërim e gjyqtarëve në Apelin e Krimeve të rënda, Këshilli mbajti në konsideratë përvojën e kandidaturave që vijnë nga gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë votash, vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës kandidaturat e;
Irena Gjoka (Maneku), aktualisht gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Fier, renditur e para me 140 pikë, sipas sistemit të pikëzimit - gjyqtare në gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Gurali Brahimllari, aktualisht gjyqtar në gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, renditur i dyti me137 pikë, sipas sistemit të pikëzimit - gjyqtar në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
Nertina Kosova, aktualisht gjyqtare në gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, renditur e treta me 132 pikë, sipas sistemit të pikëzimit - gjyqtar në gjykatën e Apelit për Krime të Rënda
Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit. /gj.m//a.ke/