Gjykata e Tiranës vendosi sot masën "detyrim paraqitje" për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, të arrestuar pas protestës së dhunshme dhe të paligjshme dy ditë më parë tek Unaza e Re. Prokuroria kërkoi "arrest shtëpie", por Gjykata vendosi masë më të lehtë, detyrim paraqitje. Edhe për tre të arrestuarit e tjerë u vendos e njëjta masë. Banorët e zonës së 'Astirit', Lulzim Marqinaj, Elton Skënderi dhe Sit Hajdarasi së bashku me Balliun tentuan të pengojnë kalimin e kryeministrit Rama që do shkonte tek një fabrikë mielli, dhe u konfrontuan me policinë, ku mbetën të plagosur edhe 4 efektivë.

Prokurori Gjergji Tako kërkoi "arrest shtëpie" për Balliun me argumentin se ka marrë pjesë në një protestë të paligjshme dhe ka lënduar në shpatull një punonjës policie në tentativë për të dalë nga furgoni i policisë në momentin që po shoqërohej në komisariat. Prokuroria paraqiti si provë, filmime nga kamerat e trupit të dy efektivëve të policisë që ndërhynë për të shmangur përplasjen, por gjyqtarja Rexhina Merlika tha se këto pamje nuk janë prova të mjaftueshme pasi filmimet duheshin bërë sipas saj me autorizim nga gjykata. Arrestimi i Klevis Ballliut u bë në kushtet e flagrancës nga efektivët e forcave Shqiponja, ku në momentin e shoqërimit pati sërish kundërshti me dhunë të efektivëve aq sa u thye edhe xhami i furgonit të policisë. Ky moment u shfrytëzua nga ish-deputeti Balliu për të bërë shfaqje para kamerave, teksa doli nga xhami me dy gishtat lart, simbolin e Partisë Demokratike, duke i dhënë "zemër" banorëve të tjerë protestues, që mos të ndalinin protestën. Vetë Balliu ka mohuar gjithçka duke thënë se nuk ka dhunuar asnjë policë, pasi nuk kishte shikim si pasojë e gazit lotsjellës që sipas tij policia policia përdori në protestë.

Por më e çuditshme është fakti se gjyqtarja Merlika, thotë se edhe pse konfrontimi i Balliut ndaj efektivëve brenda furgonit të policisë, faktohet, ajo nuk është një vepër e rëndë.

"Arresti me burg si masë ekstreme nuk mund të aplikohet nga Gjykata për veprat të cilat në reflektim nuk kanë karakter të rëndë", thotë gjyqtarja në vendimin e saj. 

Gjyqtarja Rexhina Merlika ende nuk e ka kaluar procesin e vettingut, për shkak se ajo është gjyqtare në Shkallën e Parë dhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit kalojnë fillimisht gjyqtarët në listën prioritare, si në Kushtetuese, Apel dhe të Lartën.

Më poshtë PRETENDIMET e plota të palëve

Balliu: Si mund të qëlloja një polic kur nuk shihja nga sytë (prej gazit lotsjellës)?!

Nga ana tjetër vetë Balliu i mohoi akuzat e Prokurorit duke thënë se në momentin e konfrontimit nuk shihte për shkak të efektit të gazit lotsjellës që sipas tij është përdorur nga policia, dhe në këto rrethana nuk mund të ketë thyer krahun e askujt. Madje ai thotë se ka ndërhyrë që të shmangë përplasjet mes policisë dhe banorëve, dhe aty thotë se ka marrë edhe ai vet dëmtime në krah. Balliu tha se arrestimi i tij u bë nga policia për të shmangur prezencën e tij në protestën e 11 Majit.

"Shtëpitë të cilat rrezikohen nga një projekt mafioz. Aty kishte ardhur policia dhe FNSH-ja dhe kryeministri nuk ishte. Ne reaguam ndaj prezencës së policisë sepse menduam se ata kishin ardhur për të shembur banesat e tyre. Unë i kam mbështetur dhe do vazhdoj t'i mbështes. Fakti që arrestohet njëri apo shoqërohet njëri. Në tërësinë e saj për gjithçka ka ndodhur aty mund t'iu tregoj krahun e nxirë i cili më ka ardhur duke u përpjekur të shmang konfrontimet mes policisë dhe banorëve sepse unë kam respekt edhe për policinë. Të më thuash mua që paskam goditur policinë e shtetit. Kur kamë dalë nga fugoni kam dalë i shoqëruar nga policia dhe nuk shikoja sepse më hodhën gaz. Mjeku kërkoi që të shkoja në spital. Mjeku më tha të shkoja në spital por policia nuk më la. Si mund t'i thyej krahun unë një personi kur nuk shoh. Ata kanë frikë datën 11 Maj që të mos dalim në protestë. Të jeni e sigurt që këto janë hapat e para të arrestimeve politike", u shpreh Balliu nga Gjykata.

Ndërkohë për tre banorët e tjerë u kërkua masa e "arrestit me burg" sepse sipas Prokurorisë kanë kryer veprime të dhunshme ndaj forcave të policisë. Konkretisht nga pamjet filmike të realizuara nga policët me celularë shfaqen tre të dyshuarit Lulzim Marqinaj duke goditur policinë me tabela të sinjalistikës, Seit Hajdarasi duke goditur policinë me gurë dhe Elton Skënderi duke  goditur me grusht një punonjës policie. Por pikërisht këto filmime nuk janë pranuar si provë nga gjyqtarja, me argumentin se filmimet duhej të ishin bërë me autorizim.

Vendimi i gjyqtares: Balliu kundërshtoi efektivët brenda furgonit të policisë, nuk është vepër e rëndë!

Gjyqtarja e seancës, Rexhina Merlika, deklaroi se akuzat ndaj personave të arrestuar nuk mund të vërtetohen përveç rastit të Klevis Balliut i cili ka kundërshtuar forcat e policisë brenda fugonit.

Ajo paralajmëroi të pandehurit se nëse do ketë përsëritje të veprave të ngjashme penale do duhet të përballen me drejtësinë.

"Në një moment që nuk identifikohen veprime konkrete të personave të arrestuar, në reflektim me punonjësit e policisë që janë dëmtuar përveç rastit të Klevis Balliut që është edhe rasti që vetë organi akuzës ka dhënë sqarim në momentin e ndodhur dhe në raport me personat e tjerë reflekton kontekstin e veprimeve të kundërshtimit të punonjësve të policisë brenda fugonit. Me këtë masë Gjykata i jep mundësinë autoritetit të procedurës të drejtën e hetimit dhe identifikimit të veprimeve konkrete në raport me veprat penale.

Në këtë fazë për Gjykatën është e pamundur që të realizojë hetim të plotë dhe nga ana tjetër reflekton në respektim të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, për masën e arrestit me burg si masë ekstreme; Nuk mund të aplikohet nga Gjykata për veprat të cilat në reflektim nuk kanë karakter të rëndë dhe në këtë eventualitet Gjykata disponon zgjidhje për t'i dhënë akses akuzës, njëkohësisht dhe personave nën hetim të jenë përgjegjës ndaj organit të akuzës për t'u vënë dhe në dispozicion dhe në efektin e parandalimit. Personat në fjalë janë nën hetim dhe nëse përsërisin qëndrime apo vepra penale të tjera do përballen me drejtësinë", deklaroi gjyqtarja.

Në pjesën e parë të seancës, ish-deputeti Klevis Balliu u shfaq në Gjykatën e Tiranës i ulur në bankën e të akuzuarit. Në mbështetje të tij në seancë shkuan ish-deputetë të djathtë, si Edmond Spaho, Genc Pollo, Albana Vokshi, Ervin Salianji, dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Bashkë me të pandehurit, nga 'kafazi' i të akuzuarit, Klevis Balliu u shfaq i qeshur dhe ngriti dy gishtat, simbolin e Partisë Demokratike.

Gjashtë janë akuzat që rëndojnë mbi Balliun: Goditje për shkak të detyrës, kundërshtim me dhunë i policisë,organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, pengim i qarkullimit të mjeteve, shkatërrim prone, prishje e qetësisë publike.