Klientela Vip dhe pasioni i fshehtë i Bujarit, rrobaqepësi nga Kuçova rrëfen të pathënat në 'Një nga ne': Zanati im është art

Në një prej rrugicave të kryeqytetit, në një dyqan të vogël, vëmendjen ta merr zhurma e makinës qepëse. Kjo është melodia që e shoqëron Bujar Muçajn prej vitesh. Ka dalë në pension, por rrallëherë bën pushim.

“Në kohën që e kam filluar kam qenë 12 vjeç. Unë e kisha qejf sepse në atë kohë punonte edhe ime më rrobaqepëse. Bëra shkollën profesionale në Kuçovë, 2 vjeçare që ka qenë në atë kohë, shkollë nate i thonim. Pas ushtrie fillova ta ushtroj si profesion.

Nuk doja të dilja në pension. Doja të isha i ri gjithë kohën. Po prap sa të jem mirë që të shkoj gjilpërën, të kaloj tegelin, unë do punoj”, rrëfen rrobaqepësi nga Kuçova.

I përkulur në tryezën e punës, pret me kujdes përmasat për një kostum. Ndonëse dyqanet e veshjeve janë të pafundme, ai pohon se klientët duan veshje të veçanta që i përshtaten përmasave trupore.

“Do i përgjigjesh punës, çfarëdo lloj pune që të vijë mos thuaj që nuk e bëj. Çdo gjë bëhet me porosi. Jemi shërbim, kush vjen i qepim çfarë të ketë nevojë: pantallona, këmishë, fustan, kostum, pallto.

Linoja ka dalë në modë, ngjyrën pana e pëlqejnë më shumë. I tërë sekreti i punës është tek qepja. Çdo gjë bëhet me kujdesin më të madh se një gabim i vogël mund të kushtojë shtrenjtë.”, tregon 64 vjeçari për emisionin “Një nga ne” në Report Tv.

Është përshtatur lehtësisht me jetën e re në Tiranë. Që ditën e parë ka pasur klientë në dyqan, ndër ta edhe Vipa.

“Zanati jonë është shumë i bukur. Vip sa të duash kam por s’mund t’i them emrat, edhe deputetë, këngëtarë etj. E lodhshme është se unë punoj nga mëngjesi deri në darkë. Jam i përqëndruar në punë, por kur dal për qejf, marr kallëmat dhe iki për peshq. Po ika për peshkim e mbyll telefonin, nuk dua të më shqetësojë njeri. Vete për të qetësuar nervat dhe për të hequr streset”, rrëfen ai.

Lidhja me këtë zanat është aq e fortë saqë edhe kur përfundon punën, mendjen e mban tek rrobaqepësia.

“Edhe rrugës kur shkoj në shtëpi më duket sikur kam gërshërët në dorë dhe metrin në qafë. Me këtë zanat nuk të zë as shiu, as era, është art”, tregon ndër të tjera.

Emisioni “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të mërkurë, ora 20:00 në ekranin e Report Tv.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ironia e Spahiut: Elisa Spiropali e përmendi më shumë bashkimin kombëtar sesa Albin Kurti

Ironia e Spahiut: Elisa Spiropali e përmendi më shumë bashkimin kombëtar sesa Albin Kurti