Në rubrikën “Shëndeti dhe Mendja” në emisionin Klinika 24 me autore dhe moderatore Doreada Mio, këtë javë, ndalemi te një klasë e veçantë joge ajo që mbledh gjatë gjithë vitit të mbijetuarit e kancerit. Këtu, frymëmarrja, lëvizjet e buta dhe solidariteti shndërrohen në terapi.

Instruktorja e jogës terapeutike Nina Ristani udhëheq me kujdes çdo seancë, duke i ndihmuar pjesëmarrëset të rigjejnë qetësinë dhe forcën e brendshme. Grupi nuk është aktiv vetëm në tetor, muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, por gjatë gjithë vitit – duke ndërtuar një komunitet që mbështet dhe shëron.

Një nga pjesëmarrëset, avokate dhe praktikante joge prej më shumë se tre vitesh, rrëfen se gjatë vitit të parë të praktikës u përball me diagnozën e kancerit të gjirit. Gjatë kemoterapisë, ndjehej e izoluar, por joga i hapi një rrugë të re. Me ndihmën e instruktures, ajo zhvilloi ushtrime të personalizuara për pasojat e mastektomisë, duke përmirësuar gjumin, gjendjen emocionale dhe lëvizshmërinë. Sot, e përshkruan jogën si “një jetë të dytë, plot dashuri dhe paqe”.

Një tjetër anëtare e re e grupit e sheh këtë përvojë si një “lirim të plotë të trupit” dhe një mënyrë për të çliruar mendjen nga stresi i trajtimit mjekësor.
Në këtë hapësirë të qetë, frymëmarrja bëhet simbol i jetës, forcës dhe shpresës.

 


Lajmi kryesor:

Klinika 24/ Menopauza sa e njohim, nga shenjat tek trajtimi