Fazat e ndryshme të një shoqërie i kanë faktorët dhe dinamikën e tyre të brendshme, sipas të cilave zhvillohen, por shpesh ato mund të shënjohen nga një ngjarje margjinale dhe të mbahen mend nga një fjali apo edhe një fjalë e vetme. Thënia e mbretëreshës franceze, Marie Antoinette, “nëse s’kanë bukë, le të hanë ëmbëlsira”, drejtuar popullit në kohën e Revolucionit Francez - ndonëse historianët me kohë e kanë korrigjuar portretizimin e saj aq negativ – ka mbetur në kujtesë edhe sot e kësaj dite dhe shërben si shembull ilustrues i tëhuajësimit të prijësve politikë nga populli dhe humbjes së ndjenjës për realitetin.

Nuk duhet harruar, prandaj, aq lehtë thirrjen e profesorit të nderuar, Milazim Krasniqi, për “bijtë e shkinave”, të cilët “po përdhosin institucionin më sublim të dijes në shtetin tonë”, të bërë muajin e kaluar, gjatë protestave për dorëheqjen e rektorit Gashi. E thënë në një çast dëshpërimi a zemërimi apo e menduar mirë, ajo megjithatë shpreh tendencën që e lakmojnë shumë politikanët populistë - të parafytyrimit të popullit si “tërësi organike”, në të cilën individi shkrihet në tërësinë dhe masa është e lidhur në mënyrë mistike me prijësin “legjendar”. Siç e dimë nga historia, një atmosferë të tillë edhe idetë më të marra e më shkatërrimtare mund të paraqiten si të arsyeshme dhe në të mirë të popullit.

Në qoftë se dikush me nuanca më subtile do të shkruajë historinë moderne të shoqërisë kosovare, faktin se kjo thirrje jo që nuk i ndezi pasione populiste, por, përkundrazi, hasi në kundërshtim të përgjithshëm, do të duhej ta shënojë si një gur kufiri në fillimin e një faze të re të shoqërisë kosovare, më të pjekur dhe më shpresëdhënëse. Të gjitha ngjarjet e mëtejshme vetëm sa po dëshmojnë se këto zhvillime janë të qëndrueshme dhe se qytetarët më s’do të mund të manipulohen nga retorika populiste, por do të kërkojnë gjithnjë e më zëshëm më shumë arsye në politikë, demokraci dhe shtet të së drejtës në vend të shtetit partiak.Të tilla ishin protestat për dorëheqjen e rektorit, për shkak të botimit të punimeve në një revistë të paqenë, e të tilla janë edhe ato në Prizren, për dorëheqjen e kryetarit të komunës, tashmë të shpallur fajtor nga gjykata.

Por, atë që e ka kuptuar masa, nuk e kanë kuptuar edhe politikanët. I vetëdijshëm për gatishmërinë e qytetarëve për të kërkuar ndryshime, të shprehur fuqishëm në zgjedhjet e fundit lokale, dhe i dobësuar me ndarjen e partisë, kryeministri i Kosovës dhe prijës i partisë në pushtet, i ka dhënë zor të ngrejë balona të panumërt populistë, me shpresë mos e fiton edhe një mandat.

Ironikisht, në cilëndo fushë që ka ndërhyrë me intervenimet e tij të politikës “ho-pa!”, ai vetëm se ka dëshmuar se deri tash këmba s’i ka shkelur kurrë aty: me rritjen e pagave pa rritje ekonomike, me ndarjen e mjeteve për fondin për shërimin e të sëmurëve rëndë, duke e shquar kështu edhe më shumë gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë kosovare; me nënshkrimin e kontratës kolektive, duke nxjerrë në pah gjendjen pothuajse skllavërore të punëtorëve të sektorit privat... Atë, me gjasë, e mban shpresa mos populli i entuziazmuar nga “mrekullitë”, nuk do të vërejë se të gjitha ata balona po i pëlcasin pa i lëshuar ende nga duart. Ndonjë i tillë – premtimi bombastik se do të sjellë “njerëz të rinj” në qeveri, i pëlciti sapo iu desh ta mbrojë kryetarin e “ri” të Prizrenit nga dorëheqja, apo premtimi se punëtorët ferizajas do ta marrin hisenë e tyre nga privatizimi i Fabrikës së Tubave, të cilit nuk mundi t’i rezistojë së dhëni, ndonëse të gjitha faktet tregonin se ato para s’i ka askush.

Ky pushtet do të duhej të ndërrohet në këto zgjedhje. Por, këto rrjedha do të duhej të jenë vërejtje e mirë për këdo që ta krijojë pushtetin e ri: se nuk bën të vazhdohen me njerëz të rinj politikat e vjetra.

Marë nga "Zëri"