Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka uruar Klodian Brahon për marrjen e detyrës si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Në reagimin zyrtar, delegacioni i BE-së vlerëson SPAK qëndrueshmërinë përballë presioneve politike si dhe për integritetin e treguar nga paraardhësi i Brahos, Altin Dumani. Nën drejtimin e këtij të fundit, delegacioni i BE thekson rezultatet e institucionit në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta si dhe për rritjen e besimit tek publiku.
Delegacioni i BE-së dhe njëherë konfirmon mbështetjen për SPAK dhe Shqipërinë për integrimin në BE.
“Delegacioni i BE-së në Shqipëri uron Klodian Brahon për marrjen sot të detyrës si Kreu i SPAK-ut dhe i dëshiron suksese në këtë rol të rëndësishëm për vendin.
Njëkohësisht, vlerësojmë SPAK-un për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike, si edhe për vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori i mëparshëm, Altin Dumani. Nën drejtimin e tij, SPAK shënoi hapa përpara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kontribuoi në forcimin e besimit të publikut te drejtësia.
Lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si edhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kyçe dhe një element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, rrugë e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të bashkëpunojnë pa rezervë për të garantuar llogaridhënie, në dobi të të gjithë qytetarëve.
Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.
Klodian Braho mori sot zyrtarisht detyrën si drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për 3 vitet e ardhshme. Ai u zgjodh si pasardhës i Altin Dumani më 11 dhjetor me 7 vota pro nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Që prej krijimit në vitin 2019, SPAK është drejtuar fillimisht nga prokurori Arben Kraja e më pas Altin Dumani.
Lajmi kryesor:
Mbaron ‘epoka’ e Dumanit në SPAK ‘stafeta’ i kalon Klodian Brahos: Standarde dhe pavarësi, misioni ynë për qytetarët
Komente









