Koalicioni i të mëdhenjve
 

Koalicioni i të mëdhenjve<br /> 
 
Koalicioni PDK-LDK nuk është i madh vetëm për shkak të numrave të deputetëve.

Është koalicioni i sfidave të mëdha, i rivaliteteve të mëdha dhe lëvizjeve të mëdha.
Vetëm pritjet janë të vogla për këtë koalicion.

Ato nuk kanë arritur që të paraqiten si të mëdha as nga vetë dy njerëzit që qëndrojnë prapa Hashim Thaçit e Isa Mustafës, Enver Hoxhaj i PDK-së dhe Lutfi Haziri i LDK-së.

Që të dy janë përmendur si ideatorë të koalicionit të madh dhe si pretendentë të mundshëm për kryeministër konsensual në rast së të dy partitë nuk merren vesh që njëri nga liderit të jetë shef i kabinetit qeveritar.

Në një sallon të mbajtur nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim, edhe Hoxhaj e edhe Haziri u kanë dhënë mbështetje shefave të tyre për të qenë kryeministër, ndonëse macja e kafe librarisë “Dit e Nat”, ku po mbahej takimi, u ul pranë anëtarit të kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, derisa ai dhe Hoxhaj po pyeteshin se cili nga ta mund të jetë kryeministër.

“Misioni i Ri” i PDK-së, që ka për qëllim krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës, zhvillimin i dialogut me Serbinë dhe përafrimi e vendit sa më afër BE-së.
PDK-ja ka për qëllim që t’i kthehet mbështetjes për bizneset e vogla dhe të mesme. Mbështetja në sektorin e bujqësisë dhe thithjen e investitorëve të jashtëm, janë qëllimet tjera.

Lidhja Demokratike nga ana tjetër ka program përafrisht të ngjashëm. Fusha ku LDK-ja e Isa Mustafës mendon të ketë fokus të veçantë, është reforma në arsim.
Sistemi i edukimit, sipas LDK-së, është në gjendje të keqe. Në gjendje edhe më të rëndë sipas LDK-së është Administrata Publike në të cilën duhet një reformë e thellë që nuk do të jetë aspak populliste.

Por, të dy partitë nuk do të mund të fokusohen shumë në çështje të zhvillimit ekonomik apo shoqëror për shkak të shumë angazhimeve që ka shteti ende i  pakryer.
Kësisoj, Kosova ende është jashtë sistemit ndërkombëtarë të shteteve dhe qeveritarët e saj do të duhet që të punojnë fort që në fund të një qeverisje kaq të gjerë, shteti t’i ketë të përfunduara dy procese të ndryshme.

Deri atëherë, Kosova do të duhej të kishte ushtrinë e vet, por njëkohësisht do të duhej ta përfundonte dialogun e normalizimit me Serbinë.
Normalizimi nuk do të jetë i thjeshtë dhe rezultatet e tij mund të jenë krejtësisht të kundërta, duke e vendosur edhe të ardhmen e vendit.

Në fund të këtij procesi, Kosova mund ta ketë Serbinë fqinj normal, duke mundësuar kështu që shteti i ri në mënyrë normale të jetë pjesë e OKB-së.

Në rast të një dialogu kualitativ dhe të zgjuar, Kosova, gjatë kësaj qeverisje do të duhej ta zbulonte edhe fatin e qytetarëve që rezultojnë të zhdukur  dhe do të zgjidhte një varg problemesh tjera praktike në raport me Beogradin e që e vështirësojnë jetën e qytetarëve.

Por, nëse ky proces do të bëhej keq nga kjo qeverisje, Kosova rrezikon që të ketë një Serbi anëtare të BE-së që ende nuk e njeh dhe pamundëson anëtarësimin e Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.

Kosova, për më shumë do të mund të ketë probleme në rregullimin e brendshëm për shkak të organizimit të të gjitha komunave serbe në kuadër të një asociacioni që do të merrte kompetenca ekzekutive dhe do të luante rolin e një Qeverie paralele.
Dhe sikur të mos mjaftonte ky angazhimi në dialogun me Serbinë, Kosova do të duhet që gjatë kësaj qeverisje të përballet edhe me një eksperiencë unike.
Duhet të krijojë një Gjykatë që do ta quajë të veten dhe ta vendosë në Holandë. Gjykata do të jetë speciale dhe për të hyrë në sistemin e Kosovës duhet që të ndryshohet kushtetua.

Rezultati do të jetë një sistem i drejtësisë që ka një Gjykatë mbi të gjitha gjykatat e që është diku jashtë territorit të republikës.
Me fjalë të tjera, do ta ndërtojmë një sistem të drejtësisë që nuk ekziston askund në botë, në asnjë shtet normal.

Natyrisht se kjo nuk ka qenë zgjedhje e vullnetit politik të Kosovës, por një përballje e çuditshme me krimet e luftës ku vazhdimisht dëshmitarët janë rrezikuar, ka bërë që një pjesë e komunitetit ndërkombëtarë të kërkojë Tribunal të veçantë për krimet që pretendohet se mund të jenë bërë nga pjesëtarët e UÇK-së.

Prodhimi i padiskutueshëm i kësaj Gjykate janë shumë lajme, por në thelb të saj gjithmonë do të mbetet kontradikta e madhe nëse është Tribunal Ndërkombëtar apo Gjykatë e Republikës.

Të gjitha këto angazhime do të jenë alibi e fuqishme e arsyetuesve të koalicionit të partive, deri dje me rivalitetin më të madh politik në Kosovë.

Arsyetimet megjithatë nuk do të mbyllin mosbesimin, mashtrimet dhe adresimet që në të kaluarën i kanë bërë të dyja në raport me njëra-tjetrën.

Ato do të vazhdojnë të jenë të mëdha.
E madhe do të vazhdojë të mbetet edhe lëvizja e LDK-së. Prej një Blloku partish të krijuara panatyrshëm, por me kundërshtimin e përbashkët ndaj PDK-së dhe Thaçit, tek një parti që do të bashkëqeverisë me PDK-në dhe Thaçin.

E madhe do të mbetet kjo lëvizje që nga shumë do të përshkruhet edhe si tradhti e përmasave të tilla.

Të vogla, Qeveria PDK-LDK do t’i ketë vetëm pritjet.
Pritjet e qytetarëve të zhgënjyer që nuk po presin më, por po mundohen të gjejnë rrugë që çojnë jashtë Kosovës.
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?