Koalicioni me PDK-në alternativa e moskrijimit të institucioneve nga koalicioni paszgjedho


 
PRISHTINË, 18 Nëntor /ATSH-Behlul Jashari/- Koalicioni me PDK-në i kryeministrit Hashim Thaçi, i kandiduar për mandatin e tretë nga koalicioni i para zgjedhjeve të 8 qershorit, mbetet opsioni i vetëm për krijimin e qeverisë së re të Kosovës, nëse partitë e koalicionit paszgjedhor nuk pajtohen të shkojnë më tej me marrëveshjen e 10 qershorit LDK-AAK-Nisma e me marrëveshjen e parimeve me VV-në të 10 shtatorit apo nuk arrijnë ndonjë marrëveshje të re rreth postit kryeministror.
Me marrëveshjen e 10 qershorit, i kandiduari i koalicionit paszgjedhor për kryeminsitër ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, por pas anulimit nga Gjykata Kushtetuese të zgjedhjes në 17 korrik të Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit tashmë partia e tij, LDK si "si prijëse e koalicionit të shumicës parlamentare", kërkon që lideri i saj të jetë i kandiduari  për kryeministër me ridizajnim të marrëveshjes.
Nuk është arritur ndonjë marrëveshje e re në takimin e fundit, të premten në mbrëmje, të liderëve të partive të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe subjektit të marrëveshjes së parimeve, VV-së, ndërsa ende nuk ka ndonjë takim të ri të tyre edhe pse ishte paralajmëruar për këtë fillimjavë.
Edhe kryesia e LDK-së, edhe kryesia e AAK-së, që janë mbledhur ndërkohë, kanë ritheksuar qëndrimet për kandidaturat e kryetarëve të tyre për postin e kryeministrit. Kryesia e LDK-së është paralajmëruar të mblidhet edhe sot, ndërsa pritet të mblidhet ditët në vijim edhe Këshilli Drejtues i kësaj partie për të marrë vendime për hapat e mëtejshëm, nga të cilët varet edhe e ardhmja e koalicionit paszgjedhor.
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, lidhur me zhvillimet e fundit është shprehur "i inkurajuar që partitë kryesore politike kosovare më në fund e kanë kuptuar se bllokimi i mëtejshëm i themelimit të institucioneve të reja është i pakuptimtë dhe i pajustifikueshëm" dhe se "ndjen keqardhje për kohën e humbur".
"PDK-ja si parti fituese vlerëson se bazë per ndërtimin e institucioneve të reja duhet të jetë rezultati zgjedhor dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Unë besoj në vullnetin e mirë dhe pjekurinë politike të përbashkët. Kosova dhe qytetarët na kanë dhënë besimin e tyre dhe ne duhet ta materializojmë atë duke punuar bashkërisht për të mirën e vendit tonë", u shpreh mbrëmë Thaçi.
Në Kuvendin e Kosovës me 120 anëtarë secili subjekt parlamentar nga koalicioni paszgjedhor mund t'ia bëjë numrat PDK-së për zgjedhjen e kryeparlamentarit e formimin e qeverisë së re duke pasur edhe votat e deputetëve të komuniteteve pakicë, ndërsa koalicioni qeveritar më i qëndrueshëm me shumicë shqiptare do ishte koalicioni PDK-LDK, me gjithsej 67 deputetë.
Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 8 qershorit, të shpallura e të çertifikuara nga KQZ, koalicioni i PDK-së ka 30,38 % të votave - 37 deputetë , ndërsa LDK 25,24 % - 30 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 13,59 % - 16 deputetë, AAK 9,54% - 11 deputetë, Nisma për Kosovën 5,15% - 6 deputetë.
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, Lista Srpska (Srpska Lista) ka 5,22% të votave - 9 deputetë, Partia Demokratike Turke e Kosovës (Kosova Demokratik Türk Partisi) 1,02% - 2 deputetë, Koalicioni Vakat i komunitetit boshnjak (Koalicija Vakat) 0,89% - 2 deputetë.
Pikërisht para dy muajve, në 18 shtator, u rindërpre vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të nisur para katër muajve në 17 korrik, pas zgjedhjeve të para gati gjashtë muajve, 8 qershorit.
Drejtuesja e seancës, deputetja më e vjetër Flora Brovina, pasi konstatoi se kandidati i propozuar nga koalicioni parazgjedhor nuk mori vota të mjaftueshme për kryetar të Kuvendit, rindërpreu seancën duke paralajmëruar se deputetët do të njoftohen me shkrim për rivazhdimin "gjatë javës së ardhshme", por ende nuk ka asnjë rithirrje seance, pas shtyrjes që u bë në 2 tetor dhe Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, më shumë se gjysëm viti pas vetëshpërndarjes së legjislaturës së kaluar në seancën e jashtëzakonshme në 7 maj.
Gjatë kësaj jave priten lëvizje konkrete drejt rivazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, zgjedhjes së kryeparlamentarit, e pastaj në seancë tjetër edhe të kryeministrit dhe qeverisë së re të Kosovës./k.s/

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS