SHBA-ja dhe aleatët arabë kryen sulme të reja ajrore kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik në Siri, veçanërisht kundër objekteve të naftës nën kontrollin e grupit, sipas një OJQ-je siriane.

"Është hera e dytë në dy ditë që këto objekte janë shënjestruar nga koalicioni i drejtuar nga SHBA në provincën Deir Ezzor (lindje)", sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).

"Në provincën Deir Ezzor, të paktën dy objektiva u prekën nga sulmet", theksoi Rami Abdel Rahmane, drejtor i OSDH-së, pa mundur të njoftojë menjëherë nëse sulmet kishin shkaktuar viktima.

Sot në mëngjes, OSDH njoftoi për sulme në një qendër komandimi të ISIS në rrethinat e qytetit al-Mayadine, në provincën Deir Ezzor, pranë kufirit me Irakun.
"Që prej fillimit të sulmeve ajrore në Siri të koalicionit të drejtuar nga SHBA-ja, të paktën 140 xhihadistë dhe 13 civilë janë vrarë", sipas OSDH-së./ATSH/