Kockalëpirësi i Mbretit tonë

Kockalëpirësi i Mbretit tonë
Dy republika, kjo e jona, dhe ajo e Kosovës, u përkulen para kockave te mbretërisë, te vetëshpallurit. .mbret i shqiptareve. Natyrisht jo i vetmi mbret yni, po ne mes te Vidit qe na e solli Evropa dhe Emanuelit, qe e kurorëzuam ne shqiptaret me duart tona.

Ne këtë komedi, kryeaktori dhe njëkohësisht kryeministër, mban fjalimin historik për meritat historike te Zogollit për rolin e tij ne demokratizimin e jetës se vendi dhe ndihmesën ne ngritjen e flamurit ne Vlore (?), por si gjithmonë, duke ua lëne historianeve te bëjnë vlerësimin e figurës se tij. Komiku ynë kryeministër foli dhe për kontributin e mbretit ne holokaustin e Luftës se Dyte, ndërkohë qe Zogolli ynë jo vetëm qe nuk shkrepi një arme ( pa llogaritur këtu armen qe shkrepi djali i tij para KQZ-se dhjetëvjeçare me vone.), por mbushi valixhet me ar dhe ia mbathi nga sytë këmbët, natyrisht për te mirën e Atdheut dhe te popullit te tij. Me tej, komiku ynë ne krye te qeverise foli dhe për bashkimin e mbretit me koalicionin antifashist, domethënë, paskësh luftuar se bashku me Enver Hoxhën, udhëheqësin e Luftës sonë brenda këtij koalicioni. Irakianet kishin Ali Komikun e tyre, ne kemi Sali komikun tonë.

Komicitetin e kësaj ceremonie e vazhdoi presidentja e Kosovës, kur na thotë se Zogolli na qenka ne qendër te historisë sonë këto 100 vjet, duke luftuar kundër serbëve në Shkodër. Si mundet, moj zonjë e nderuar, që një mbret i ardhur me bajonetat serbe në krye të shtetit, t'u kthejë armët shpëtimtarëve të tij? Ky Zogu i parë të ka vrarë pas krahëve Hasan Prishtinën tënd dhe tonin, Bajram Currin e plot të tjerë dhe ka nënshkruar me Serbinë një marrëveshje nënshtrimi, ku, ndër të tjera thotë për Kosovarët, që mbetën nën zgjedhën serbe dhe mbretëria nuk ka të drejtë të ndërhyjë për të drejtat e tyre. Mbase mua ju, zonjë e nderuar nuk me besoni, po këtë marrëveshje e ka denoncuar Partia Demokratike kohë më parë, kur kryetari i saj President përzuri të birin e Mbretit si të padëshirueshëm në këtë farë republike. Injorantum, non est argumentum, thoshin latinet.

Kryeministri ynë, gati sa nuk qau në ceremoninë e kockave të mbretit, se i qan syri për mbretërinë, pa minimum demokracie, pa opozitë, duke persekutuar kundërshtarët e duke lënë vendin në më të varfrin në Evropë e botë. Dhe kur vjen çasti, që si komandant i përgjithshëm të organizonte rezistencën antifashiste, ia mbath me të katra si emigrant, duke marrë me vete edhe atë pak thesar që kishte shteti asaj kohe. Në ceremoninë pasmortore, me vetëdije apo pa dashje, iu bë një provokim i hapur mbretit dhe mbretnisë. U këndua Himni kombëtar, ku tingëlluan në mënyrë kuptimplote vargjet:
Prej luftës veç ai largohet, që është lindur tradhtar…

Himni ynë quan tradhtar çdo qytetar ushtar që largohet dhe jo me komandantin e madh, që braktisë ushtrinë e tij në çastin e pushtimit. Po të njëjtën gjë mund të bënin edhe Mujo Ulqinaku, Abaz Kupi e të tjerë, që ngritën pushkët kundër pushtuesit fashist. Të largoheshin se bashku me komandantin e tyre dhe të kuvendonin për rezistencë në ekzil. Kur turqit rrethuan Konstadinopojën me 1453, luftëtarët iu lutën komandantit të tyre, Kostandinit, perandori i fundit i Bizantit, që të largohej me familjen e tij, ai parapëlqeu të luftonte bashkë me ushtarët e tij dhe të kishte fatin e tyre. Ç'krahasime bëj dhe unë; me ata që kanë bërë histori dhe me ata që duan të futen dhunshëm në histori!

Ish-sekretari i Partisë së Punës, parti që ia kishte ndaluar ardhjen e mbretit ne Shqipëri, kur ishte president mbajti një fjalim për 70-vjetorin e revolucionit te qershorit dhe, ç't'iu them unë çka folur për këtë mbret. Lexojeni vetë:

" Dhjetori i vitit 1924 ishte një dhjetor i zi për shqiptarët dhe Shqipërinë. Rrëzimi i qeverisë Noli nga Ahmet Zogu me mbështetjen e Serbisë përben njërën prej ngjarjeve më tragjike të historisë sonë kombëtare. Shqipëria e idealeve të mëdha demokratike për 68 vjet me radhë njohu vetëm pushtime dhe mynxyra, tiranira, diktatura nga më të egrat e më çnjerëzore… Ndaj dhe ngricat e mëdha të dhjetorit të '24 ngrinë ëndrrën e madhe te demokracisë shqiptare…"
Dhe me poshtë komediani ynë kryeministër vazhdon: "Revolucioni i qershorit u realizua nga një lëvizje popullore e drejtuar nga atdhetarë të flaktë, jashtë çdo aleance të dyshimtë, apo marrëveshje komprometuese që kishin nënshkruar dhe do të nënshkruanin me Beogradin sundimtarët e mëvonshëm shqiptarë për të siguruar dhe ruajtur fronin e tyre." Pra, kryeministri ynë flet për një marrëveshje komprometuese qe do nënshkruante sundimtari i ardhshëm, dmth, i vetëshpalluri mbret.
Zonja e nderuar presidente e Kosovës, mbase nuk e di marrëveshjen qe ka zbuluar dhe demaskuar Partia jone Demokratike. Për kulture po i kujtoj vetëm piken 12 te kësaj marrëveshjeje të fshehtë: "Qeveria shqiptare do te heqë dore nga një politike ngushtësisht kombëtare dhe nuk do te interesohet nga elementi shqiptar jashtë kufijve te veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në token e saj dhe elementë te tjerë të ditur dhe të dyshimtë ne sedimentet e tyre kundërshtare te politikes jugosllave…" ( Gazeta RD, 12 qershor 1994)

Mire kur ka qenë komunist dhe sekretar partie do mbronte qëndrimin e partisë se tij për mbretin dhe mbretërinë, po kur ishte president i një vendi demokratik, kush e detyroi ta quante mbretërinë e Zogut si me tragjike ne historinë tone kombëtare? Se i duheshin votat e majta ne atë kohe, ndërsa sot i duhen të djathtat dhe për karrigen e tij kryeministri ynë faqe ndërron, dje te shante sot te lëvdon, po te perifrazonim udhëheqësin e revolucionit te qershorit. Aktoret komike janë të nderuar në rolin që luajnë. Po komik ynë nuk mban te paktën një linje, po e ndërron tekstin dhe regjinë sa herë t'i nevojitet ne skenën e politikës sonë. Si meseleja e atij shefi policie qe thirri policet për paradën e përvjetorit:

- Të dielën kemi parade. Po ra shi paradite, paradën do ta bëjmë mbasdite, po ra shi mbasdite, paradën do ta bëjmë paradite!
Thotë një fjale e urte angleze: hera herës është më mirë të heshtësh e te dukesh budalla, sesa të hapësh gojën e të shuash çdo dyshim. Natyrisht kjo s'ka lidhje me komikun tonë, që vetëm budalla nuk është. Po nga dëshira dhe mania për të folur shumë dhe për të parë veten në ekran, për ullinjtë, për pjeshkë, për mjaltin, për abetaren, për kromin, për turizmin, për malet, fushat, lumenjtë, për leshin, për preshin, për ujin, për token, për Zotin, për…, këput dhe budallalleqe. Dakord që nga logoreja e tij e përditshme do këtë edhe budallallëqe, por këmbëngulja për t'i quajtur ato të vërteta historike, apo shkencore, e çojnë deri atje sa të duket qesharak në sy të të huajve, se ne e njohim kush është. "Sado mire te flasësh, - shkruan Dumai,- po të flasësh shumë, në fund të fundit do fillosh të thuash budallallëqe". Natyrisht, duhet të gjesh edhe dëgjues si puna jonë që i kapërdijmë të gjitha dhe qajmë fatin tonë, si ata personazhet e Kafkës që nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar gjendjen e tyre.

" Gjënë më të keqe që mund të them për demokracinë, është se ka duruar për katër vjet e gjysme zotërinë tonë të nderuar, kryeministër." - iu drejtua popullit anglez një politikan i famshëm ne vitet '40. Po ç'mund te themi ne për demokracinë dhe për kryeministrin tone? Ndoshta fjalët proverbiale te zëvendëspresidenti amerikan (që më vonë u bë president), R.Nikson drejtuar presidentit legjendar Ajzenauer, për mosangazhimin ne luftën kundër korrupsionit, me 1952: "Strateg, vjen një kohë që, ose duhet të shurroni, ose duhet te largoheni nga karrigia juaj". Me të drejtë lexuesi im do të pyes pse përdor thëniet e te huajve te famshëm për të përshkruar komikun tone kryeministër. E thjeshte, me ne i është argasur lëkura dhe nuk ka me as ndjenjën e pergjegjesise dhe as ndjenjën e turpit. Vetëm servilizmi ndaj te huajve i ka mbetur, se mjafton t'i jap dorën ne një korridor konferencë një homologu te huaj, menjëherë vjen këtu e na e tregon ngjarjen historike për shqiptaret katër herë: herën e parë në mbledhjen e qeverisë, herën e dytë në grupin kuvendor të partisë së tij, herën e tretë në kuvend dhe herën e katërt ne përurimin e radhës te një rruge apo shkolle fshati. Dhe te katër herët pështyn mbi opozitën dhe kujtdo që i del përpara dhe i bën shenjë me dorë se nuk je mirë nga fiqiri. Pështy e lëpi duket se është bërë slogan i politikës sonë këto vite të pambarimta tranzicioni. Pjesëtarët e fisit Masai ne Tanzani, ne shenjë përshëndetjeje e nderim te thelle, me rastin e takimit ose ndarjes, pështyjnë njëri- tjetrin. Po te hulumtohet, jo nga akademia jone e shkencave, kam bindjen se politikanet tanë me Komikun tonë ne krye, duhet ta kenë prejardhjen nga ky fis. Se si e qysh, kjo u takon historianëve, siç thekson përditë udhëheqësi ynë i madh dhe i pagabueshëm. Edhe morali ka ligjin e tij te gravitetit: i keqi ngjitet, i miri zhytet.

Në fund, po të perifrazonim vjershën e Nolit, do te kishim një ditiramb te merituar për kryeministrin tone:
Rroftë Sali Berisha, rroftë
Shakaxhiu i përparimit
Brez pas brezit u kujtoftë
Si stërnip i Nastradinit!

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)

Sulmohen me gurë 2 autobusë me tifozë të Skënderbeut, nga Tirana po ktheheshin në Korçë! Thyhen xhamat (FOTO)