Koço Qendro, sfidat e një aktori 93-vjeçar: Një jetë në skenë, mesazhi që dua t’u jap të rinjve

Koço Qendro fal fuqisë së tij aktoriale, energjisë së brendshme, mimikës ekspresive, u ka rezistuar deri në moshën 93-vjeçare si askush tjetër sfidave të skenës. Ish partizani i vogël 15-vjeçar, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore shërbeu 11 vite si oficer, por ai e ndryshoi rrugën e jetës, duke iu përkushtuar aktrimit. I frymëzuar në rininë e tij nga themeluesit e teatrit “Çajupi” të Korçës, Koço Qendro arriti që moshën 91-vjeçare t’i rikthehet fuqishëm publikut me një nga shëmbëlltyrat më të suksesshme të Harpagonit në Shqipëri, personazhit të njohur në gjithë botën nga komedia “Kopraci” e Molierit. Për këtë u shpall edhe aktori i vitit 2018 nga Akademia Kult, ndërsa “Kopraci” vijon të shfaqet ende me shumë sukses në skenë. Harpagoni i Koço Qendros do të mbetet në galerinë e roleve më brilante të teatrit shqiptar, duke qëndruar krahas atij të Zef Jubanit e Robert Ndrenikës. Në një intervistë ekskluzivisht për Report Tv, ky aktor energjik do të na rrëfejë, jo vetëm historinë e roleve të tij, por edhe të vetë teatrit të Korçës, që nga themelimi. 

Intervista
Urime për çmimin. Natyrisht ky çmim i takon gjithë karrierës tënde, por në radhë të parë kryerolit tuaj, rolit të Harpagonit, që është një rol që kërkon aktorë me temperament, por edhe që kërkon edhe një rol me fizionomi të veçantë, ndryshe nga rolet e tjera. Si ndiheni kur pas kaq vitesh karrierë, kur interpretoni një nga kryerolet  e artit botëror?

-Më bëtë një pyetje interesante, se ç’ndjej për këtë rol. Po afroj të shtatë dekadat në skenë, dhe jam një nga të fundit që kam mbetur në skenës korçare, “I fundit i Moikanëve”, siç i thonë. Ka luajtur 34 vjet aktor i estradës profesioniste.

Unë i përkas atij brezi të aktorëve të skenës korçare, që nuk i kanë bërë studimet e larta për skenën, mirëpo por them me bindje që kam mbaruar  “akademinë” e skenës korçare, ku ka pasur regjisorë, që nga i madh Sokrat Mio, që ishte i pari regjisor shqiptar, që ka mbaruar studimet e larta në Francë; si Pirro Mani, aktori i madh, si Mihallaq Luarasi, Aleko Skali, Dhimitër Traqe dhe pasuesi i tyre i denjë Dhimitër Orgocka, që ka hyrë në skenë me pantallona të shkurtra, dhe tani është zbardhur, dhe nuk i është larguar skenës.

Për mua janë disa role të veçanta. Por roli i Harpagonit ishte me të vërtetë një rol tepër, tepër i vështirë. Nuk do ta harroj sesi zgjidheshin pesë veta kush do ta luante më mirë këtë rol. Të katër ata që u provuan kishin mbaruar shkollën e lartë, por ma ngarkuan mua ta luajë. Ndoshta edhe për konstruktin, por edhe për atë dinamizmin që kërkon ky rol i Harpagonit. Pirro Mani thoshte që “fjalët i mëson edhe papagalli, por që aktori të hyjë në lëkurën e personazhit është tepër e vështirë, këtu duhet të punojë ai”. Nuk më zinte gjumi. Tekstin e përvetësova përnjëherë, por puna për rolin ishte tjetër gjë. Më dukej vetja sikur isha në fushën e Korçës dhe Molieri ishte lart në Moravë dhe sikur më thoshte: “Ngjitu, eja, eja!”. 

Filluan dhe u përgatit shfaqja. Të gjithë më thoshin “Je mirë Koço, je mirë”. Aktori nuk duhet t’u besojë, por t’u besojë ustallarëve që janë të kësaj pune...

Vinte profesor Sokrat Miho që e njihte Molierin në prova. Ai rrinte në fund të skenës, rreth çerek ore dhe ikte, dhe mua më digjte kjo punë. Desha të dija mendimet e tij për rolin. Tre ditë para se të jepej prova gjenerale, erdhi dhe u ul në radhën e tretë.  Unë e pashë, në çdo shfaqje, në çdo provë që bëja, djersija nga sikleti. Ishte viti 1978, dhe kjo shfaqje është dhënë tre herë, dhe tre herë me të njëjtin sukses. Ndërsa tani është dhënë në tre shfaqjet, e 362-a e dokumentuar, jo vetëm në Korçë, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë, që nga Saranda deri në Shkodër, dhe që nga Korça, në Berat. Pra unë e kisha mendjen që të dëgjoja fjalët e profesor Sokratit.

Fjalët e tij janë këto. “Paske djersitur?!” -më tha mua. “Po profesor” -i thashë.  “Më pëlqen”, -më  tha. Më pëlqeu kjo fjalë “më pëlqen”, qe një nxitje. “Kam besim,- tha, - se do të ecësh përpara. Tani nuk ke bërë gjë tjetër veçse ke hedhur hapat e parë në skenë. Duhet punë”, -tha.  Mirëpo ky rol kërkon me të vërtetë një impenjim të jashtëzakonshëm.

Si i kujtoni teatrot, në kohën kur ju ishit shumë i ri, luanit në skena. Domethënë, si ishte jeta artistike e kohës, kur ju aktronit?

-Më bëtë një pyetje tepër interesante, le të marrim për shembull teatrin e Korçës, teatër-estradë. Kishte një përkushtim të jashtëzakonshëm, megjithëse kufirin ta kishin vënë tek thana, sepse ishte diktatura e proletariatit e deklaruar. Ka pasur vërejtje atëherë, që të thoshin “aty ku kalon personazhi pozitiv , të mos kalojë personazhi negativ” dhe bëhej fjalë për një skenë që ishte 12 metra me 10 metra...

Çfarë ndodhte me korçarët, kur iu drejtoheshin dyerve të teatrove?

-Ah...është për t’u çuditur, kur nuk ka spektatorë në një shfaqje, thonë e ka fajin shiu. Jo. Bie kjo tezë. Gjithmonë e ka fajin trupa, ose regjisori me atë që ka vënë në skenë. Nëse bënë një shfaqje e mirë, spektatori të ndjek. Ajo heshtje e spektatorit është një vërejtje me inteligjencë.

Çfarë të ka dhënë ty teatri në jetën tënde, vetëm gëzime e suksese, apo edhe shqetësime?

-Unë bëjë një krahasim të dy periudhave, të asaj që kemi kaluar ne në regjimin socialist dhe të periudhës që po kalojmë ne të demokracisë. Mendoj se ajo që duhet vënë dorë është në mënyrë të veçantë teatri, që organet qendrore ia kanë dhënë pushtetit lokal, dhe pushteti lokal e ka katandisur aty ku është sot.

Cili ka qenë roli i parë?

Roli i parë ka qenë te skeçi “Burokrati” dhe as që e merrja dot me mend që mund të vlerësohej kjo. Hera e parë pas kësaj ka qenë festivali i estradës profesioniste zhvilluar këtu në Tiranë. Qenë trembëdhjetë estrada, Estrada e Korçës, e Durrësit, e Korçës, e Pogradecit e Elbasanit dhe ora çmimin “Aktori më i mirë” i festivalit në vitin 1963.

Por vlerësimin më të madh e kam patur për “Kopracin”. Këtë e kam parë në një vlerësim të jashtëzakonshëm në Stamboll. Sepse me “Kopracin” kemi konkurruar ne Festivalin Ndërkombëtar në Stamboll, në vitin 2005. Ishte një festival tepër serioz. Nuk patëm përkrahje prej këtej kur u nisëm me një autobus. Ishin të gjitha trupat që përfaqësonin 27 shtete atje. Mirëpo përulem me respekt para pritjes së artistëve turq që na pritën: “Arnaut, arnaut...”, Na vunë në skenën më të madhe të Stambollit ku konkurruam. E më në fund fare nuk dilnim dot nga skena. Më dhanë një tufë të madhe me lule, e më e madhe ishte tufa me lule, se unë...Pra, ata duhet t’i dëgjosh se ata janë, por ama nuk duhet të ta rritin mendjen. Dalin të tjerë që s’ta pret mendja ty. Ka artistë pa fund....

Por kur unë dhashë tani herën e tretë këtë shfaqjen e fundit, kur po ngjisja Harpagonin në skenë, erdhi ambasadorja franceze, e pa, dhe kur më takoi tha: “Ta dinte Molieri se Harpagonin e kishte këtu në Korçë....!”, “Je i madh”,- më tha ajo. “Jo!” -i thashë. -I madh është Molieri që bëri Harpagonin”. Duke folur për këtë rol, unë mund të rri pa përmendur regjisorin e kësaj shfaqjeje, Dhimitër Orgockën, që me vërtetë ma besoi këtë rol.,,,

Ju keni pasur edhe role të tjera, nuk keni pasur vetëm Harpagonin?

-Eh, unë kam pasur role edhe në shfaqje sidomos në estradë kam pasur role tek “Tabela e emulacionit”, etj, etj, po kanë qenë shumë role me temë që ç’te them unë...

Kanë qenë role të politizuar?

-Disa kanë qenë, disa nuk kanë qenë. Kujtoj një shembull “Mete Komisionin”. Ishte një personazh interesant, që kur u ngjit në skenë ngrihej salla në këmbë. I tillë ishte suksesi, kam marrë çmim unë për të. Ishte një personazh që të gjitha ia ngarkonin atij. “Eja këtu Mete, do bësh këtë e do bësh atë”; “Dakord, si urdhëron”, thoshte ai i ziu, “Këtu jam unë, po ka edhe të tjerë”. “Jo ti do ta bësh.” Mirëpo në këtë shfaqje ishte dhe Mehmet Shehu, ish kryeministri. Mua m’u bë qejf që ishte dhe kryeministri dhe duartrokiti dhe qeshën shuam atë natë. Mirëpo erdhi njëri nga ata..... e di ti (e ka fjalën për spiunët e sigurimit) dhe më thotë: “Si e luajte ti atë rol, Mete, Mete, për Mehmetin e bëre këtë?” “Jo!!-“ i thashë unë. Ky është një skeç që ka qenë. Më vunë në një situatë shumë të vështirë me atë pjesë, dhe nuk u vu më në skenë. Ka qenë edhe një dramë e Namik Dokles, dramë shumë e bukur. Kisha rolin e një murgu patriot. Qe një rol tepër i goditur imi. Ishte një rol interesant dhe mua më pëlqente shumë. Dhe kishte një moment të lojës në skenë, kur salla po duartrokiste shumë. Ishte ai momenti pranë pikturës së Shën Mërisë së Beratit, që grekët donin ta quanin të tyren, por ajo ishte Shën Mëria e Beratit. Dhe momenti ishte kur hidhej boja nga anash skenës. Unë hapja kraharorin dhe dukej sikur gjakosesha shumë. Ishte i vështirë ai moment të realizohej, por  qe razlizuar shumë bukur. Por e ndaluan edhe këtë dramë.  Eh ashtu ishte ajo kohë.

Puna është si po shkon drama shqipe sot, sepse ka një gjë interesante, që mua nuk me duket e drejtë: ku janë autorët që të përkrahen. Duan dramën e huaj. Dakord, ka drama që u rezistojnë shekujve nga dramat botërore, po ku janë autorët shqiptarë, po dramat tona, që kanë bërë emër, ku janë...

Unë prapë insistoj që ju të na tregonit një rol tjetër interesant, siç na treguat për dramën e Namik Dokles?

-Unë nuk jam shkëputur nga skena. Edhe pse dola në pension dhe ky është libri i gjashtë, kam kujtime tepër interesante. Ka shembuj me të vërtetë që iu duhet përulur deri në fund. Bie fjala, si profesor Sokrat Mio. Ai mbaroi shkollën greke dhe në moshën 24 vjeçare ka luajtur në Teatrin e Korçës Dezdemonën, e pasi mbaroi shkollën në gjuhën greke, ai shkoi për studime në Rumani.

Përse luanin burrat role grash në atë kohë?

-Ah, është një gjë interesante kjo, që kur ishte ashtu për Korçën, për Shqipërinë ishte e padiskutueshme kjo: se në qoftë se për meshkujt ishte lirë rruga të luanin në teatër, as që bëhej fjalë që do luanin femrat në skenë, por kishte një gjë që ishte tipike për Korçën, kishin frikë aktorët. Nëse Koçoja luante një çupkë në skenë, ta ngjitnin nofkën korçarët “Koço çupka!”. Por kaluan këto gjëra. Në Korçë ka shumë që me gjithë mend duhen kujtuar dhe nderuar, secili me të vërtetë ka meritat e tij që kanë kontribuar. Artistët korçarë luanin shfaqje në Tiranë me lekët e tyre dhe me të ardhurat e shfaqjeve të tyre blinin abetare për fëmijët. Për secilin nga ata mund të flasësh me orë të tëra. Kam kujtime shuam me ta. I kam hedhur në libër të gjitha.  Për rolet më ke folur më shumë për ata që i ke pasur peng, ose t’i kanë ndaluar dhe nuk ke folur për të tjerët....

-Po kam pasur edhe role të tjera. Kishte kërkesa në atë kohë, ku tema ishte kufizuar. Na thoshin bëni premierë për mbjelljen e misrit me fole katrore. Kështu e kujtoj një premierë të Ruzhdi Pulahës, dhe pavarësisht temës që kërkohej humori ishte më kërkesa shumë të larta në atë kohë. Po unë kam shumë përvoja se deri më sot nuk i jam ndarë skenës...

Ju falënderoj për të gjitha këto kujtime. Unë shoh se pavarësisht kujtesës suaj të ngarkuar ju jeni nga ata aktorë që kur punojnë shumë nuk e kthejnë kokën mbrapa, por ne duam të dimë nëse keni një mesazh pas gjithë kësaj përvoje?

-Mesazhi im është ky, sidomos për të rinjtë, për brezin që vjen, duhet medoemos që pas studimeve të larta, të mos thonë kot që u bënë aktorë të mëdhenj. Skena i bënë aktorë të mëdhenj. Duhet të them tani se unë vërtetë deri në këtë moshë nuk i jam ndarë skenës, por ama, të tëra ato kujtime që kam, dua t’i lë, edhe të evidentoj ata që kanë vënë gurë themeli në skenën korçare, sepse me të vërtetë ndaj tyre iu jemi borxhli. Ishin ata që na drejtuan, na mësuan dhe që bënë të shkojmë përpara. Ishin ata që dhanë kontribut që nga shkollat e para shqipe dhe përballuan çdo vështirësi.  Sa të ecë papara, aq më lehtë do ta kenë këta, menduan, por sot kërkesat e kohës janë më të shumta, por edhe mundësitë janë më të mëdha, prandaj aktorët e rinj duhet të sjellin art. Art! Teatri ka një mision të madh përpara...!

Epilog
Aktori i njohur edhe në kinema me disa role në filmat më të famshëm shqiptarë si “Vendimi”, “Agimet e ditës së madhe”, “I teti në Bronz” dhe “Përballimi” është vlerësuar për meritat e tij në luftën Nacionalçlirimtare, por mbi të gjitha për rreth 70 vite të karrierës artistike; me 6 Medalje, si dhe me 3 Urdhra: “Ylli i kuq”, “Naim Frashëri”, Klasi II dhe Klasi III, por edhe me çmime e vlerësime të panumërtat për rolet e dashura që i ka dhuruar publikut shqiptar.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU