TIRANË, 13 Shtator/ATSH/-"Shqipëria ka dënuar prej fillimit agresivitetin e Federatës Ruse dhe dhe iu është bashkuar pozicionimeve të aleatëve tanë, duke përfshirë dhe sanksionet ndaj Rusisë", deklaroi të shtunën Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.
E pranishme në stërvitjen e përbashkët shqiptaro-britanike "Albanian Lion 14", në Bazën Detare në Kepin e Palit (Bisht-Palla), Kodheli vlerësoi angazhimin dhe rezultatet e arritura nga trupat pjesëmarrëse gjatë stërvitjes "Albanian Lion 14".
Kjo stërvitja që bëhet në vendin tonë, u shpreh Kodheli, është një tregues i madhësisë dhe rëndësisë së saj, por gjithashtu dëshmon bashkëpunimin e shkëlqyer të Royal Marines me Forcat tona të Armatosura dhe se përfitimi më i madh është pikërisht konsoludimi i miqësisë midis dy Forcave tona të Armatosuara.
Stërvitja "Luani Shqiptar 2014", tha më tej ministrja Kodheli, po zhvillohet në një kohë të brishtë për sigurinë tonë të përbashkët dhe në veçanti për  kontinentin europian.
"Nga ana tjetër, rreziqet nga jugu janë duke u bërë çdo ditë e më shqetësuese. Të gjithë kemi parë me një shpejtësi marramendëse brutalitetin e ngjarjeve tragjike në Irak dhe Siri. Terrorizmi dhe fondamentalizimi, të cilat kanë ekzistuar, po kapërcejnë çdo limit dhe po shkelmojnë çdo parim themelor dhe vlerë universale", vijoi më tej Ministrja e Mbrojtjes.
Prandaj tha Kodheli, Shqipëria mori vendimin për të vepruar shpejt dhe në koherencë me aleatët, për të mbështetur qeverinë e Irakut me armatim dhe municion.
Ajo vuri në dukje se ndër vite ne kemi treguar se kemi vullnet, jemi të përgjegjshëm dhe të vendosur për të vepruar, kudo dhe kurdo, ndërsa shprehu bindjen se kjo do vazhdojë të jetë e vlefshme dhe në të ardhmen.
Duke folur për samitin e NATO-s që u mbajt në Uells,  ministrja Kodheli tha se "Një javë më parë pata privilegjin, që në përbërje të delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri i Shqipërisë, të merrja pjesë në Samitin e NATO, Uells, në Mbretërinë e Bashkuar. Ky samit do të mbetet në historinë e Aleancës tonë, si samiti ku edhe njëherë me zë të fortë dhe të unifikuar u bë e qartë se Aleanca është e bashkuar, e fortë dhe e gatshme të mbrojë secilin vend anëtar të saj".  
Nga forcat dhe mjetet pjesëmarrëse në stërvitjen përbashkët shqitaro-britanike "Albanian Lion 14" u realizuan një varg demonstrimesh ushtarake, sulme amfibe nga deti, simulim i luftimeve në zona urbane etj.
Kjo stervitje po zhvillohet në disa rajone në vendin tonë si në Bizë, në Zall-Herr, në Kepin e Palit, Kuçovë, Pashaliman dhe Porto Palermo, si dhe u mbështetën nga deti me katër anije ushtarake.
Gjatë stërvitjes Baza Detare e Kepit të Palit u shfrytëzua si bazë furnizimi logjistik, si dhe për largimin e trupave dhe automjeteve pjesëmarrëse në"Albanian Lion 2014"./a.gegvataj/