Jeta private dhe korrespondenca, veçanërisht ajo telefonike, do të kenë mbrojtje të posaçme me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale. Organet hetuese nuk do të mund të kontrollojnë përmbajtjen e celularëve pa autorizim të gjykatës, e cila do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Çdo informacion i marrë jashtë kufijve të autorizimit do të jetë i papërdorshëm.
E njëjta logjikë do të zbatohet edhe për përgjimet, ku do të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato në favor të personit. Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike do të rregullohen me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësimin e detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë.
“Ndryshimi i katërt vjen si domosdoshmëri për të mbrojtur jetën private në epokën e telefonit inteligjent. Telefoni nuk është më thjesht një mjet komunikimi. Ai është arkivi i jetës së një njeriu, i komunikimeve, fotografive, lëvizjeve, financave dhe marrëdhënieve të tij. Prandaj sekuestrimi i pajisjes nuk mund të jetë më në asnjë mënyrë një leje e pakufishme për të lexuar dhe parë gjithçka që arkivi i saj përmban. Policia dhe Prokuroria mund ta sekuestrojnë pajisjen, nuk diskutohet, por për ta hapur, kopjuar ose përpunuar përmbajtjen e telefonit duhet autorizim paraprak i gjykatës. Vendimi i gjykatës do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Në rastet e urgjencës, të përcaktuara edhe këto ngushtësisht nga ligji, veprimi duhet të vleftësohet nga gjykata brenda 48 orëve. Çdo e dhënë e marrë jashtë autorizimit është e papërdorshme, ndërsa çdo material i nxjerrë që s’ka lidhje me hetimin duhet të asgjësohet. E njëjta logjikë zbatohet për përgjimet. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit. Jeta private e njerëzve pa lidhje me veprën penale nuk mund të kthehet në material të përdorshëm si instrument presioni apo si produkt konsumi mediatik. Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike rregullohen për herë të parë në mënyrë të plotë, me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësim të detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, jo më në qeli gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live








