Me ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale prezumimi i pafajësisë merr peshë më të madhe. Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin hetimor, duke nxjerrë të dhëna, do të mbajë përgjegjësi. Në lidhje me prezumimin e pafajësisë organet hetimore detyrohen që të kenë kujdes të veçante me gjuhën që përdorin në dokumentet zyrtare.

“Ndryshimi i gjashtë ka një rëndësi të veçantë, sepse e nxjerr prezumimin e pafajësisë jashtë sallës së gjyqit dhe e bën standard sjelljeje për institucionet. Prangosja nuk është shpallje fajësie. Rrjedhja e sekretit nuk është transparencë. Gjyqi në pazar përpara gjyqit në sallë nuk është drejtësi. Do të ndalohet publikimi i përmbajtjes së përgjimeve jashtë pjesës që citohet në arsyetimin e një vendimi, i të dhënave identifikuese të viktimave pa pëlqimin e tyre, i pamjeve të personave nën masa shtrëngimi fizik dhe i vendimeve për masat e sigurimit përtej kufijve të përcaktuar nga ligji.

Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin dhe e shkel atë, do të duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo normë nuk synon në asnjë mënyrë të krijojë një polici mendimi ndaj medias. Përgjegjësia nuk bie asnjëherë mbi median, por bie mbi atë që ka detyrimin ligjor ta ruajë sekretin dhe që e nxjerr atë nga dosja.

Edhe gjuha e akteve zyrtare duhet të respektojë pafajësinë. Askush nuk mund të paraqitet si fajtor përpara një vendimi të formës së prerë. Kur kjo shkelet, personi fiton një mjet të shpejtë për korrigjimin e aktit”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Kodi i Procedurës Penale ndryshon në 105 nene/ Asnjë masë arrest me burg për dënimet nën 5 vite, jo më në qeli gratë shtatzënë dhe nënat me fëmijë nën 6 vjeç! Seancat mund të transmetohen live