Avokati Edmond Petraj foli për draftin e Kodit të ri Penal, dhe ndryshimet që janë bërë veçanërisht për krimet e të miturve. Në një intervistë për Report TV, ai tha se duhet të krijohet një institucion riedukues, ku fëmija i përfshirë në krim të ndiqet dhe të jetë nën mbikëqyrje të shtetit. 

“Duhet një masë edukuese dhe duhet futur pjesa e një shkolle riedukimi, që të ndjekë mësimet atje dhe të jetë nën mbikëqyrjen e shtetit. Kjo situatë e mbikëqyrjes së prindërve për rastet me risk mendoj se do të kemi një cedim. Duhet rifutet pjesa e një institucioni riedukues, siç kanë qenë më përpara shkollat e riedukimit, ku një fëmijë që kryente një vepër penale ishte nën mbikëqyrjen e atij institucioni. Ishte institucioni që 'risillte' në jetë këta personazhe dhe i riedukonte. Te shkolla mund të mësohen me element mbijetues, të punojnë me dru, metal...pra ka disa elementë që e edukojnë dhe e forcojnë në jetë.”, u shpreh Petraj. 

Petraj theksoi se një person deri në 21 vjec, duhet të klasifikohet te pjesa e riedukimit. Sa i përket elementit që personat me dënim të përjetshëm mund të kenë mundësi për të bërë kërkesë për lirim me kusht pas 35 viteve, ai tha se duhet të ishte adaptuar modeli grek. Sipas tij, është e nevojshme që të vlerësohet risku dhe të 'testohet' personi i dënuar, pasi jo të gjithë mund ta meritojnë lirimin.

"Ajo që dua të them është qe ne duhet të marrim elementët që kanë kodet penale të shteteve fqinje. Psh Greqia, edhe një person edhe pse dënohet me burg përjetë, vihet në shërbim të komunitetit për x vite nën mbikëqyrjen e territori të caktuar. Ne i kemi të ekzagjeruara pjesën e ashpërsimit të viteve të burgimit të përjetshëm. Duhet ulur dhe duhet marrë praktika greke, që është më riintegruese. Nuk është zgjidhje të mbash 37 vite një person dhe t'i japësh mundësi. Për mendimin tim duhet ulur pjesa e burgimit të përjetshëm, që nuk duhet të jemi mbi 37 vjet, unë e quaj drastike. Ne duhet të konvertohemi me pjesën se si e kanë shtetet e BE. Ne nuk kemi nevojë më të shpikim. Nëse ecim me këtë model që merremi 10 vjet për një Kod, për kaq kohë do të ishte adaptuar një kod penal me standarte demokratike për riintegrimin dhe riedukimin. Kemi modelin gjerman, grek, pjesën angleze e belge. Nëse do të shikojmë disa nene të veçanta, duhet të ishin marrë disa përshtatshmëri me shtetet e BE. Ne nuk kemi nevojë të shpikim.  Masa maksimale e dënimit të përjetshëm është mbi 37 vjet. ", tha ai.