Bashkëpunimi me partitë e tjera është në kuadër të hartimit të një Kodi të ri Zgjedhor, thotë Adriatik Lapaj. Në një bisedë në “Studio Live” në Report Tv, ai thekson rëndësinë e infrastrukturës ligjore dhe thotë se është i hapur ndaj propozimeve.

“Në këtë moment që flasim, është shumë e rëndësishme të ndërtojmë infrastrukturën ligjore. Ti mund të kesh Ferrari, por nëse ke rrugë, nuk mund të ecësh dot. Edhe puna e partive, ti mund të performosh, por duhet të ndërtosh edhe infrastrukturën ligjore që ta përkthejë. Subjektet e reja duhet ta përmirësojnë infrastrukturën ligjore. Ne nuk themi që idetë tona janë më të mirat. Nuk jemi të mbyllur. Jam në pritje që të shoh propozime konkrete dhe nga dimensione të tjera. Jemi në pritje”, tha Lapaj.

Në këndvështrimin e tij, ligji i tanishëm nuk prodhon demokraci.

“Ligji aktual elektoral është i padrejtë, nuk prodhon demokraci. Listat e mbyllura kanë prodhuar idiotokraci. Njerëzit nuk përfaqësojnë asgjë përveç dakordësisë së liderit të partisë”, tha Lapaj.

Kreu i lëvizjes Shqipëria Bëhet thotë se propozimet e kësaj force politike bazohen në 4 shtylla: vota e diasporës, depolitizimi i administratës zgjedhore, hapja e sistemit zgjedhor dhe ligji për referendumet.

I pyetur nëse do t’i bashkohej një force më të madhe opozitare si PD apo një koalicioni me Lëvizjen Bashkë të Arlind Qorit, Lapaj tha se PD është e ndërgjegjshme për nevojën e dakordësisë me palët e tjera dhe kjo është pikë që duhet shfrytëzuar.

“Unë nuk nënvlerësoj askënd. Çdokush që përfaqëson një X numër njerëzish meriton respekt sepse përfaqëson qytetarë të këtij vendi. Nuk po i imponohemi kujt, po propozojmë idetë tona. Na duhet një ligj elektoral që të demokratizojë Shqipërinë. PD është e ndërgjegjshme që për të krijuar kohezion në opozitë, i duhet patjetër mendimi i atyre që janë në opozitë. Këtë duhet ta shfrytëzojmë për mirë, jo për presion, të ulemi dhe të bëjmë propozime objektive dhe të shohim mundësinë si ta bëjmë dakordësinë në opozitë për këtë gjë se nuk do të thotë që bashkëpunove për Kodin Zgjedhor dhe do të shkosh bashkë në zgjedhje”, tha Lapaj.

Koalicionet parazgjedhore i sheh si të nevojshme për të mos çuar dëm asnjë votë.

“Me koalicionet parazgjedhore asnjë votë nuk shkon dëm. Nëse subjekti mendon që e kalpn pragun, mund të garojë i vetëm. Nëse mendon që nuk e kalon pragun, mund të bëhen 2, 3, 4 subjekte, bashkohen, prodhojnë një mendim politik dhe kalojnë pragun. Koalicionet parazgjedhore krijon mundësinë që rreth ideve të bashkohen dhe të mos digjet asnjë votë”, u shpreh Lapaj.

Duke bërë një reflektim lidhur me rrugëtimin e partisë së tij, Lapaj thotë se ndihet më i përgatitur dhe i vendosur për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa quan “proces historik” nismën për të thirrur dy referendume.

Sa për rezistencën e tij prej 108 ditësh para kryeministrisë, Lapaj nuk shprehu asnjë keqardhje duke thënë se diçka të tillë e ndien si thirrje edhe nga historia familjare.

“Unë po bëj detyrën si stërgjyshi im, si gjyshërit e mi pa i kërkuar asgjë këtij vendi”, përfundoi ai.