Kodiku i Korçës, Dorëshkrimi i rrallë
tashmë botim faksimile për lexuesit

Kodiku i Korçës, Dorëshkrimi i rrallë<br />tashmë botim faksimile për lexuesit
Kodiku i Korçës 93 është pjesë e koleksionit prej 100 dorëshkrimesh bizantine dhe pasbizantine që sot ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës në Shqipëri.

Me kontributin e Shoqërisë Biblike Ndërkofesionale të Shqipërisë, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, u bë i mundur realizimi i botimit faksimile i këtij kodiku fort të rëndësishëm. Kopja faksimile shoqërohet nga një studim shterues i kodikut si edhe nga transkriptimi paleografik i Ungjillit sipas Lukës dhe përkthimi gjegjës në shqip. Dy autorët që punuan për studimin dhe përgatitjen cilësore të këtij botimi janë historiani-paleografi z. Andi Rembeci nga Fakulteti i Historisë i Universitetit të Tiranës dhe paleografi z. Sokol Çunga nga Arkivi Qendror Shtetëror. Një kontribut të vyer dhanë gjithashtu z. Agamemnon Celika, një personalitet i shquar i paleografisë bizantine në rang botëror dhe z. Joan Vitalioti, studiues i artit bizantin në Akademinë e Athinës. Ia vlen të shënohet fakti se një botim faksimile i këtij lloji është i pari në historinë e botimeve dokumentare në Shqipëri, përgatitur me bashkëpunimin e institucioneve vendase.
 
Në ditët e sotme, ky dorëshkrim i AQSh është i vetmi që daton në shek. X, i shkruar me këtë stil shkrimi dhe në këtë formë teksti. Bashkë me llojin e veçantë të dekoreve, kodiku bëhet një kopje jo vetëm e rrallë, por dhe unike. Këto ishin arsyet fillestare që shtynë dy autorët e punimit për të zgjedhur kodikun në fjalë. Nga ana tjetër, shkenca e paleografisë dhe botimi i thesareve arkivore që ruhen në Shqipëri gjithmonë ka vuajtur nga mungesa e specialistëve dhe, vetvetiu, botimet kanë qenë të pakta. Botimi në fjalë është një kontribut në çuarjen më përpara të botimeve që lidhen me Mesjetën shqiptare dhe të Shqipërisë. Sjellja e këtij botimi vijon traditën e mëparshme të studimeve të Mesjetës, në gjurmët e të ndjerit Theofan Popa, dhe pionierëve të tjerë të studimeve historike. Ndërkohë, ky botim, veç botimit faksimile Meshari i Gjon Buzukut, punuar nga prof. Eqerem Çabej, është i vetmi faksimile i përgatitur nga studiues shqiptarë, sipas standardeve moderne të botimit shkencor dhe teknik, duke u kthyer në një urë lidhëse mes brezave të vjetër dhe të rinj të studiuesve në Shqipëri.

Vepra, me autorë Andi Rëmbecin dhe Sokol Çungën, u vlerësua nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me çmimin “Kërkuesi i Ri më i suksesshëm” në kuadrin e Çmimeve Shkencore Kombëtare Vjetore 2016 me motivacionin “Për rëndësinë e posaçme që ka ky botim i veçantë për shtimin e burimeve të njohjes se zhvillimit lëndor dhe shpirtëror të vendit; për cilësinë e interpretimit shkencor dhe të botimit filologjik-kritik të dorëshkrimit; për ndërthurje e suksesshme ndërdisiplinore të dijeve në procesin kërkimor; si një shembull për mënyrën e vënies së teksteve kishtare në funksion të ndriçimit të historisë”.

[gallery]22363[/gallery] 
I. Rilindja Maqedonase dhe Kodiku i Korçës nr. 93
Çdo monument i shkruar është fakt i prekshëm i qytetërimit të një periudhe si dhe i mjedisit kulturor në të cilin është prodhuar apo është përdorur. Libri i dorëshkruar që mban emrin “Kodiku i Korçës 93”, është pjesë e fondit 488 me emërtimin “Kodikët e Shqipërisë” të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSh), i cili përmban të gjitha dorëshkrimet bizantine dhe pasbizantine që u sollën nga raftet e bibliotekave të manastireve dhe mitropolive ortodokse në AQSh.

Ky kodik, prodhim i punishteve libërshkruese të Konstandinopojës, për nga periudha historike është i vendosur në epokën e dinastisë Maqedonase(867-1056), gjatë së cilës Bizanti njohu fuqinë dhe lavdinë më të madhe të tij. Gjatë kësaj periudhe perandoria arriti zenitin e fuqisë së saj ushtarake, politike, ekonomike dhe kulturore. Shekulli X, i quajtur ndryshe si “Epopeja Bizantine”, është shekulli kulmor i lëvizjes së fuqishme intelektuale dhe artistike që njihet si “Rilindje Maqedonase”. Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje ishin dijetarë të shkëlqyer me edukim të gjerë, si Leon Filozofi, Foti dhe Aretha. Është periudha kur “fuqia e letrave bizantine është duke pranuar në çdo formë dhe në çdo mënyrë modelet antike, duke i shkrirë ato në kuadrin kulturor dhe ideologjik të shoqërisë bizantine, duke pasur njëkohësisht prirjen për përsosmëri edhe më të lartë”. Kjo lëvizje intelektuale u bë shtysë për kërkimin, kopjimin dhe koleksionimin e kodikëve më të hershëm (të shek. IV-VII), me qëllim shpëtimin e veprave të rëndësishme të letërsisë klasike helene. Kjo lëvizje kishte lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin e shkrimit të greqishtes. Që në fund të shek. VIII shkrimi germëmadh shënon fillesat e kalimit të tij në sistemin germëvogël. Ky kalim, që do të konsolidohet nga shekulli IX e më pas, përbën reformën themelore që ka njohur shkrimi i greqishtes në historinë e saj. Shkrimi germëvogël u përdor për rishkrimin (transkriptim, transliterim, translittération) e teksteve nga shkrimi germëmadh në atë germëvogël.

Shekulli X, është gjithashtu epoka e enciklopedizmit, që lidhet me emrin e perandorit Konstandin të VII-të Porfirogjenetit (913-959), si frymëzues dhe shprehës kryesor të humanizmit të hershëm në Bizant, si dhe referuesit të enciklopedizmit. Gjatë kësaj periudhe u përqendruan njohuri enciklopedike që shtriheshin në shumë sektorë, siç ishte strategjia ushtarake, agronomia, mjekësia, veterinaria, leksikografia dhe hagjiologjia. Vepra kolegjiale u shkruan edhe nga pena e vetë Porfirogjenetit, vepra të një rëndësie të veçantë për njohjen e politikës së jashtme dhe të diplomacisë bizantine, të historisë së administrimit dhe të kulturës në përgjithësi.

Duke e përqendruar vëmendjen tonë në sferën e librit të dorëshkruar, vërejmë se gjatë kësaj periudhe gjen pjekurinë e plotë procesi novator i transkriptimit, që kishte filluar me Fotin dhe Arethën që një shekull më parë. Kjo traditë dhe përvojë mjaft e pasur në transkriptimin e kodikëve më të hershëm germëmëdhenj pasqyrohet në shekullin X jo vetëm në pamjen e jashtme të librit, por dhe në vetë llojin e shkrimit germëvogël. Ky shkrim fiton gjithnjë e më shumë një formë më të çlirët dhe më të shkujdesur, por duke ruajtur rregullin dhe finesën e vet. Tipat e shkrimit që karakterizojnë ekskluzivisht shek. X, janë tre: tipi “Bouletée”, tipi i “murgut Efrem” (ky shkrim e mori emrin nga murgu Efrem, i cili pati nënshkruar shumë dorëshkrime gjatë gjysmës së dytë të shek. X.) dhe tipi “Perlschrift”. Tipi “Bouletée”, me të cilin është shkruar edhe Kodiku i Korçës nr. 93, u krijua krahas shkrimit germëmadh liturgjik dhe kryesisht ishte i destinuar për libra të Shkrimit të Shenjtë dhe të Etërve të Kishës, veçanërisht kur bëhej fjalë për dorëshkrime luksi. Shkrimi liturgjik germëmadh, një sajesë teknike e shkrimit germëvogël të shek. IV dhe V, u përdor deri në shek. XI për librat liturgjikë ekleziastikë.
Gjatë kësaj periudhe krijuese, teksa ndodhnin lëvizje të theksuara politike dhe kultivoheshin stile të kaligrafisë në Konstandinopojën e punishteve të begata libërshkruese dhe me një veprimtari të theksuar transkriptimi, një dëshmi historike e padiskutueshme që flet për librin fetar në bizant është dhe Kodiku i Korçës nr. 93. Kodiku i Korçës nr. 93, pjesë e atij grupi të kodikëve më të vjetër të dekoruar (codices vetustissimi), paraqet interes të përveçëm artistik dhe historik. Na jep një pamje interesante të prirjeve artistike që kishin punishtet bibliografike të Konstandinopojës gjatë periudhës së quajtur si rilindje maqedonase dhe veçanërisht për periudhën e Konstandinit VII Porfirogjenetit. Prandaj dhe zë vend të përveçëm mes atyre dorëshkrimeve që për shumë shekuj u përdorën dhe u ruajtën në mjedisin shqiptar.
 
II. Analizë e shkurtër kodikologjike (Foto 2)
Kodiku i Korçës 93 është një dorëshkrim i shkruar në fillim të shek. X dhe përbën një nga shembujt më karakteristikë të prodhimit të librave në atë periudhë. Përbëhet nga 308 fletë pergamene me përmasa 153 x 120 mm. Këto përmasa ndryshojnë vetvetiu në dorëshkrim; kjo ndodh sidomos me gjerësinë e fletëve. Teksti i katër ungjijve, i cili përbën dhe formën fillestare të kodikut, është i shkruar në pergamenë të hollë, të punuar mirë, me ngjyrë të bardhë qumësht. Fletët 12, 92, 141, 225, përmbajnë miniaturat e katër ungjillorëve dhe pjesët e hypotheses dhe ndodhen të vendosura përballë fillimit të ungjijve gjegjës. Hypotheses (lat. argumentum) janë hyrje të shkurtra, të cilat i japin lexuesit informacione të përgjithshme mbi autorin, përmbajtjen dhe kushtet në të cilat u shkrua ungjilli. Hypotheses vendosen para fillimit të çdo ungjilli dhe zakonisht janë kopje të njëra-tjetrës dhe, shumica e tyre, me autor anonim. Sinaksari, që përmban leximet e festave të lëvizshme dhe Menologu, që përmban leximet e festave të palëvizshme sipas kalendarit bizantin, janë shkruar në pergamenë jo të njëjtë me atë të ungjijve dhe, së bashku me fletët e katër miniaturave, i janë shtuar kodikut në një periudhë të mëvonshme.

Sipërfaqja e shkruar e tekstit të katër ungjijve ka përmasa 105 x 75 mm dhe paraqitet në formë kryqi, një dukuri veçanërisht e rrallë në historinë e dorëshkrimeve bizantine. Ia vlen të shënohet fakti se, Kodiku i Korçës 93 përbën një nga dorëshkrimet më të vjetër të kategorisë së kodikëve të shkruar në shkrim germëvogël Bouletée dhe me të gjithë tekstin e të katër ungjijve në formë kryqi. Dorëshkrime të tjera me tekst në formë kryqi që sot ruhen në biblioteka dhe ariva të ndryshme në botë janë Katërungjillëshi i Princeton, Univ. Cod. Garrett. 1 (fund i shek. IX-fillim i shek. X); dorëshkrimi Dumbarton Oaks MS 3 (f 253v) i vitit 1084; Ungjilltari Dumbarton Oaks MS 1 (f 44r-47v, 49r-85v, 94r-131v) gjysma e dytë e shek. XI; Psalteri gr. 214 i Bibliotekës Shtetërore Publike të Moskës (gjysma e dytë e shek. XI); Ungjilltari i Neë York-ut, Pierpong Morgan Library, Cod. M 692 (gjysma e parë e shek. XII); Ungjilltari i Londrës, Brit. Library, Add. Ms. 39603 (gjysma e parë e shek. XII); Ungjilltari i Iviron 1404 në Malin Atos (fund i shek. XI-fillimi i shek. XII), në shkrim germëvogël. Të gjitha këto dorëshkrime të kësaj kategorie, të njohura deri më sot, u përkasin periudhave të mëvonshme, nga gjysma e dytë e shek. XI deri në shek. XII. Sigurisht, përjashtim përbën Katërungjillëshi i Princeton, Univ. Cod. Garrett. 1 (shek.. IX), por që është shkruar në shkrim germëmadh.
 
III Shkrimi
Kodiku i Korçës 93 është shkruar me shkrim germëvogël të tipit Bouletée, shkrim i përdorur gjerësisht në dorëshkrimet bizantine të shek X. Shkrimi germëvogël Bouletée u krijua në kryeqytetin e Perandorisë Bizantine që të plotësonte të njëjtat funksione për “sacra scriptio”, të cilat deri në atë kohë i përmbushte shkrimi germëmadh. Tek titujt e kapitujve dhe tek germat nistore, shkruesi përdor modele shkrimi germëmëdhenj të një periudhe më të hershme.
Kodiku i Korçës nr. 93 është shkruar nga tre kodikshkrues të panjohur, kryesisht në dy pjesë të ndryshme kohore. Duket qartë se kodikshkruesi kryesor i të katër ungjijve i përket gjysmës së parë të shek. X; kurse dy të tjerët, që thjesht kanë shtuar disa fashikuj në fund dhe kanë plotësuar tekstet e hypotheses të katër ungjijve, mund t’i pozicionojmë, nisur nga tipologjia e shkrimit, në shek. XIII. Për të shkruar tekstin kodikshkruesi ka përdorur bojë me ngjyrë kafe. Në të njëjtën kohë përdor ngjyrën e artë dhe të kuqe për titujt e kapitujve si dhe për germat nistore. Ndërsa tek tabelat e kapitujve përdor ngjyrë të purpurt.
Duke pasur si mbështetje elementët e sipërm paleografikë dhe kodikologjikë, pra llojin dhe karakteristikat e shkrimit, llojin e vijëzimit në formë kryqi të tekstit, cilësinë përgjithësisht të lartë artistike të shkrimit si dhe përngjasimet e mëdha paleografike që paraqet kodiku ynë me grupin e 21 dorëshkrimeve luksoze konstandinopolitane të së njëjtës periudhë, kodikun katërungjillësh të Korçës nr. 93 ia atribuojmë punishteve libërshkruese të Konstandinopojës, gjatë periudhës së quajtur Rilindje Maqedonase, dhe konkretisht viteve të mbretërimit të Konstandinit VII Porfirogjenetit.
 
IV. Lidhja – kapakët
 
Historia dhe rrugëtimi i libërlidhjes janë paralele me zhvillimin e fjalës së shkruar. Lidhja e librit lindi si nevojë për t’i bërë ballë konsumimit të librave dhe është pjesë e gjenealogjisë së librit, pasi e shoqëron atë që në djep. Libërlidhja bizantine përbën kapitull më vete në historinë e lidhjes së librit, kryesisht për tiparet e jashtme uniforme dhe për shkak të temave prototipe dekorative.
Nga libërlidhja fillestare e kodikut të Korçës 93 sot nuk ruhet asnjë shenjë dhe, si rrjedhojë, nuk mundemi të hedhim dritë mbi llojin dhe cilësinë e saj. Lidhja e sotshme e kodikut është e tipit bizantin dhe ndoshta është realizuar në shek. XVI/XVII. Kapakët janë prej druri, të prerë me të njëjtën madhësi me trupin e kodikut dhe të veshur me lëkurë ngjyrë kafe, mbi të cilën janë stampuar motive dekorative. Dekoret e kapakut përbëhen nga kuadri qendror, në anën e sipërme dhe të poshtme të të cilit ndodhen shirita dekorativë me motive floreale.
 
V. Miniaturat – dekoret
 
Libri i dekoruar përbën pjesë të pashkëputur të historisë së artit bizantin, është plotësim themelor i pikturës monumentale dhe i pikturës së ikonave të lëvizshme, si edhe element përbërës themelor i qytetërimit bizantin. Kodiku i Korçës 93 paraqet elementë ikonografikë dhe, kryesisht, dekorativë të çmuar të kohës dhe përbën pjesë të pashkëputur të historisë së artit bizantin. Ato kryesisht ndeshen si më poshtë:
I. Kanonet e gjegjësisë. (Foto 4) Në gjashtë fletë paraqiten kanonet e gjegjësisë së ungjijve (kanonet e Eusebit). Në çdonjërën nga miniaturat e sipërme, kanonet përmblidhen brenda tre kolonave, që përfundojnë me kapitele dhe krijojnë një hapësirë prej dy lobesh mbuluar me harqe. Tek disa nga tabelat kolonat kanë ngjyrë jeshile, kurse tek disa kafe e kuqe. Harqet, kapitelet dhe titujt janë punuar me ar. Pothuaj tek të gjitha fletët element kryesor dekorativ janë një sërë elementësh morfologjikë të ndryshëm ndërtesash apo motivesh arkitekturore, floreale dhe zoomorfe.
II. Miniaturat e ungjillorëve. (Foto 5) Në kodikun e Korçës 93 ruhen të katër miniaturat e ungjillorëve Mate, Mark, Luka dhe Joan. Ungjillorët paraqiten të gjithë në fushë të artë dhe të ulur. Mbajnë të veshur tunikë të kaltër dhe mantel ngjyrë rozë të çelët. Në të katër miniaturat ndiqet i njëjti tip ikonografik i ungjillorit-shkrues, ku një libër i hapur, shkruar me germa të mëdha ari, ndodhet në gjunjët e shkruesit, kurse tjetri, po ashtu i hapur tek i njëjti pasazh, në një pult të pjerrët leximi.
III. Dekore mbititullore dhe germa nistore. (Foto 6) Dekoret e Kodikut të Korçës 93 plotësohen nga gjashtë dekore mbititullore në formë porte, me konture kafe të kuqe, dhe pesë germa nistore. Në spektrin e ngjyrave mbizotëron ari, ndërsa kombinohet edhe kafja e kuqe, jeshilja e errët dhe kaltra. Motivet gjeometrike dhe bimore të dekoreve mbititullore zhvillohen mbi sfond të kaltër apo jeshile të errët. Germat nistore të punuara artistikisht ndjekin, në përgjithësi, po atë stil.
 
Dekoret e Kodikut të Korçës 93, parë në total, dallohen për mospërngjasimet stilistikore, çka vjen si pasojë e fazave të ndryshme të dekorimit të tij. Tabelat e gjegjshmërisë, dekoret mbititullore dhe germat nistore të katër ungjijve, elementë që i përkasin fazës së parë të kodikut (shek.X), dallohen për përdorimin e gjerë të arit, krahasuar me ngjyrat e tjera, si kafja e kuqe, jeshilja e errët dhe e kaltra. Ky stil dekorimi paraqet ngjashmëri me grupin e kodikëve që njihen si Blau-Gold-Ornamentgruppe (sipas terminologjisë së Kurt Ëeitzmann), stil i cili konsiderohet i lidhur me punishtet e Konstandinopojës në fund të shek. IX dhe fillim të shek. X. Dekoret që përmbajnë elementet e rozetës (Mandelrosette) dhe lulen dorëzonjë na drejtojnë për nga shek. X dhe për nga qyteti i Konstandinopojës, apo zonat përreth. Për sa u përket miniaturave të ungjillorëve, që janë shtuar në një fazë shumë më të vonë (fundi i shek. XIII), bëhet fjalë për punën e një piktori shumë të mirë, nga punishtet e Konstandinopojës gjatë periudhës së parë paleologe.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë