Rëndom, njerëzit janë të pakujdesshëm, kur bëjnë llogaritë me kohën e tyre. Ata gjithnjë priren të mendojnë, se në jetën e tyre ka shumë kohë, se disa gjëra apo punë mund t’i shtyjnë për më vonë, kur të kenë më tepër kohë. Kësaj prirjeje nuk i shpëtojnë as shqiptarët dhe as politikanët e tyre, të cilët ndonëse e kanë pasur vazhdimisht në majë të gjuhës shprehjen e manifestimeve të vitit 1991: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa!”, për dy dekada rresht iu nënshtruan një zdërhalljeje të padurueshme, disa duke iu gëzuar grabitjeve për pasurim të menjëhershëm, të tjerë përballjes me urinë, disa veçse lirive individuale etj.

Të gjitha këto përshtatje së bashku, krahas paaftësisë, makutërisë dhe mungesesës së përvojës së politikanëve të rinj për të udhëhequr vendin në një rend të ri ndikuan që të zgjaste, ndoshta më tepër se sa gjetkë, periudha tranzitore për stabilizim të situatave të reja dhe shoqërizim të proceseve integruese drejt zhvillimeve të Perëndimit. Derisa...tash së fundi Shqipërisë iu akordua zyrtarisht statusi i Shtetit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Por, edhe kjo ngjarje këtu nuk i jep askujt fuqinë që të frenojë kohën, nuk i jep askujt as të drejtën që të brohorasë si Fausti: “O çast i këndshëm, ndalu ti, je kaq i bukur!”. Tek e fundit, koha edhe për ne gjithnjë shkurtohet, duke rrjedhur rregullisht. Në këtë kuptim, ajo është fajdexhesha më e pamëshirshme për cilindo që nuk e shfrytëzon efektivisht atë që i kërkohet asaj. Ndoshta pikërisht këtë kishte ndërmend edhe Kryeministri Rama, kur gjatë takimit në fillim të kësaj jave me Kryetarin në largim të Komisionit Evropian, Barroso ardhur në Tiranë u shpreh: “Jemi të vendosur të kryejmë ato reforma të zvarritura vit më vit”.

Dhe pak më vonë, urimi më i mirë që u bëri shqiptarëve dhe politikanëve tanë Ambasadori amerikan, Arvizu, në pritjen me rastin e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së ShBA ishte: “Filloni me reformat, ato nuk presin!”. Nuk presin, sepse rrugëtimi drejt integrimit evropian është i gjatë dhe që të hidhet hapi i dytë në këtë rrugëtim është përcaktuar nga Brukseli që të kryhen së paku 5 reforma konkrete.

Pra, konstatohet që pikëpamjet subjektive për kohën, të cilat veçese i përmendëm në krye të këtyre rradhëve, shumë ndryshojnë nga realiteti. Prandaj, për planifikimin e saj duhet të nisemi nga realiteti. Kjo vlen për t’u theksuar, për shembull, edhe në rastin e kryerjes së reformës administrative – territoriale, e cila prej disa muajsh ka filluar të  përpunohet, me ndihmën edhe të një grupi ekspertësh ndërkombëtarë (në mos gaboj, nga Suedia). Për këtë qëllim u ngrit edhe një Komision parlamentar ad hoc, i cili realisht e filloi veprimtarinë e vet me vonesë, në pritje të anëtarëve – deputetë nga opozita.

Dhe, kur “dizenjimi” i hartës së re të territorit të vendit po shkonte drejt përfundimit, pra edhe miratimit, opozita u kujtua për këtë reformë dhe ngriti zërin për nevojën e pjesëmarrjes së saj në kryerjen e kësaj reforme. Madje, pasi Barrosi këtu në Tiranë këshilloi që: “Partitë politike duhet të arrijnë konsensus minimal, të paktën për integrimin”, Kryetari de jure i PD, Lulëzim Basha la të nënkuptohej gjatë një takimi me  përfaqësues të qeverisjes vendore (ku merrnin pjesë edhe të deleguar të mazhorancës), se do të jepnin konsensusin jo vetëm për reformën në fjalë, por edhe më tej.

Dhe çfarë po ndodh? Ky Basha dhe deputetë të kësaj force parlamentare shumë shpejt ngrihen e thonë, se më parë u dashka bërtë një ligj i ri për decentralizimin e pushtetit, për të forcuar pushtetin vendor dhe zgjeruar kompetencat e tij, pastaj të mendojmë për hartën territoriale. Domethënë, bashkë me hartën t’i vihen minat gjithë kësaj reforme. Mirëpo, mazhoranca i ka dhe aktualisht i teprojnë votat për të miratuar ndarjen e re territoriale. Prandaj, nisur nga ky fakt nuk ka kuptim të zvarritet puna për reformën, duke pritur e ndjekur pafundësisht tekat e opozitës.

Në këtë kuptim, Kryetari nga mazhoranca i Komisionin parlamentar përkatës, Bashkim Fino reagoi ashpër, duke deklaruar që deri në fund të këtij muaji do ta miratonin ligjin për ndarjen, qoftë edhe në mënyrë të njëanshme. Ç’ka këtu për t’u shqetësuar? Koha bën edhe seleksionimet e saj, për t’i nxjerrë jashtë trasesë së rrugës së integrimit ata njerëz apo palë, që nuk e përshkojnë dot energjikisht atë!

Por, që këtej mund të dilet edhe te ana tjetër e ‘medaljes” së kohës, te menaxhimi i saj, duke shqyrtuar fillimisht një fakt të dytë që lidhet me perspektivën e afërt të kryerjes së reformës administrative – territoriale. Gjatë reagimit të vënë në dukej më sipër, Kryetari nga mazhoranca i Komisionit parlamentar ad hoc tha, gjithashtu, se ligji për decentralizimin do të hartohet dhe miratohet nga vjeshta e pritshme. Por, në të vërtetë një ligj i tillë nuk është aq i thjeshtë jo vetëm për t’u konceptuar saktësisht, por sidomos për t’u përpunuar në qasje të plotë me kohën dhe me të gjitha aktet evropiane në këtë drejtim.

Prandaj, do të ishte mirë që paralelisht me “dizenjimin” e hartës territoriale të fillonte nga struktura të tjera shtetërore qysh tani puna për përgatitjen e legjislacionit të decentralizimit, duke mos e kufizuar atë vetëm brenda një muaji, vetëm brenda shtatorit apo tetorit. Sepse dihet që arritjet e rëndësishme, siç konsiderohen edhe efektet juridike të një ligji të tillë, pa dyshim që kërkojnë gjykim të thellë. Përkundër kësaj, nxitimi është rruga më e drejtëpërdrejtë e gabimit apo e dështimit.

Shfaqje të nxitimit duken edhe në reforma dhe fusha të tjera. Për shembull, në punën për përqasjen e legjislacionit tonë shtetëror me atë evropian, Ministria e Drejtësisë ka ngritur një grup ekspertësh për ndryshimet apo plotësimet përkatëse. Një grup ekspertësh, që ndoshta secili ka vërtet përvojë dhe njohuri të mjaftueshme. Por, megjithatë, rekomandimet e tyre kanë doemos nevojë që të fillojnë të ballafaqohen që tani me aktorë të atyre që do t’i zbatojnë: me gjyqtarë, me prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, avokatë etj. Ndryshe, qëndrueshmëria e këtyre ndryshimeve mund të pësojë fatin e amendimeve të deritanishme, që kohë pas kohe janë transformuar dhe shtuar, aq sa koha paralajmëron për hartim të kodeve të reja penale dhe civile, si edhe të atyre procedurale.

Gjithashtu, nëse një nga 5 reformat për t’u realizuar deri në çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian është edhe ajo për luftën kundër korrupsionit, do të ishte humbje kohe hartimi i planit të masave për kryerjen e saj pa bërë analiza të thella për situatën apo depërtimin dhe nivelin e këtij fenomeni në strukturat shtetërore të vendit. Një plan të tillë paraqiti para disa ditësh në një takim të zgjeruar Shefja e Kabinetit të Ministrit të ngarkuar me drejtimin e kësaj lufte, në mungesë të këtij të fundit.

Idenë e një nxitimi të dëmshëm e ilustron edhe hartimi i shpejtuar i disa projektligjeve, që përmbajnë, veç të tjerash, lajthitje juridike, duke u depozituar kështu në kanceleritë e Kuvendit të Shqipërisë, për t’u shtruar atje për diskutimi dhe miratim. Nëse nëpër komisione dhe në seancë plenare këto gabime mund të ndreqen është gjysma e së keqes, si zvarritje e kohës. Më e keqja vjen, kur ato hyjnë në fuqi dhe implikojnë në praktikë një sërtë problemesh, zgjidhja e të cilave kërkon përsëri kohë.

Për shembull, në një projektligj të fundit për planifikimin e territorit i iniciuar dhe hartuar nga Ministria përkatëse, nëpunësit e saj e zëvendësojnë termin ‘prioritet’ të ligjit në fuqi me termin ‘parablerje’ në tekstin e projektit të fundit. Përse kështu, kur këto dy institute të së drejtës kanë kuptime dhe efekte të ndryshme? Të mos e zgjasim më tej, por më mirë të kujtojmë atë që thoshte Ainshtajni: “Më intereson në rradhë të parë e ardhmja, sepse ajo është koha në të cilën jetoj”.                 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)