Çesar Augusto Pelaez Triana, shtetasi kolumbian por banues në Spanjë, ka mbërritur në Shqipëri në 10 qershor 2014 në aeroportin e RINAS-it, me misionin për të marrë një takim me një shqiptar i cili do t’i dorëzonte fillimisht 600 mijë euro për t’i transportuar tek dy padronët e tij në Ekuador. Kjo shumë parash, ishte shifra që do paguhej dorazi për sasinë e drogës që ishte dërguar nga Kolumbia në Shqipëri, në një konteiner të mbushur me banane, për llogari të kompanisë “Rrapaj” në Fier.
Shifra prej 600 mijë euro do paguhej dorazi, ndërkohë që 400 mijë euro të tjera do paguheshin nëpërmjet një transaksioni bankar. Vetë shtetasi Çesar Augusto Pelaez Triana ka treguar se për këtë transferim ai do të paguhej plot 200 mijë euro. Mirëpo e gjithë kjo linjë trafiku, ku transportoheshin sasi të konsiderueshme kokaine dhe qarkullonin shuma të mëdha parash, është prishur pas kapjes së konteinerit me drogë në një nga portet e Malit të Zi.
Nga Ekuadori
Në bazë të akteve të ardhura, rezulton se me datë 10 qershor 2014, është ndaluar shtetasi Çezar Pelaez, i cili ka ardhur në territorin e Shqipërisë me qëllimin për të marrë një sasi parash të cilat do merreshin në funksion të një trafikimi ndërkombëtar të lëndës narkotike e nisur nga shteti i Ekuadorit për në drejtim të shtetit shqiptar. Kjo sasi lënde narkotike është kapur në territorin e shtetit malazez dhe konkretisht në një kontenier, i cili kishte destinacion shtetin shqiptar e porositur nga firma “Rrapo Company”. Pas bllokimit të mjetit në të cilin janë gjetur 256 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, shtetasit E.Rr bashkë me dy shoqërues të tjerë kanë vajtur në Mal të Zi për tu interesuar për ngarkesën e kontinierit.
Dëshmia e kolumbianit
Në deklarimet e tij shtetasi Çesar Augusto Pelaez Triana, tregon se ka mbërritur në territorin e shtetit shqiptar i porositur nga disa persona me qëllim për të marrë një sasi të konsiderueshme parash në funksion të një trafikimi lëndësh narkotike me destinacion shtetin shqiptar.Personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet deklaron se:
“…kam ardhur më datë 19 maj 2014 me kompaninë “Alitalia”, me linjën Barcelonë-Romë-Tiranë.
Nuk më priti njeri dhe kam ardhur në Tiranë me një taksi të cilit i kam paguar 20 Euro. Në internet kisha gjetur një hotel të cilin nuk ja mbaj mend emrin dhe kam pyetur taksistin, i cili më rekomandoi një hotel tjetër në qëndër të Tiranës. Aty kam qëndruar një ditë dhe më pas jam trasferuar në një hotel tjetër që ishte pranë qendrës dhe kushtonte rreth 35 euro. Aty kam qëndruar për 4-5 ditë dhe më pas jam trasferuar në një hotel më të lirë që ndodhej pranë një bulevardi ku niseshin autobusa për në Greqi.
Perpara hotelit kishte një tabelë që shkruante “10 Euro”. Aty kam qendruar deri më datë 9 qershor 2014, datë të cilën u nisa për në Rinas. Qëllimi i vizitës sime në Shqipëri ishte që të merrja një sasi parash për një ngarkesë droge që do të vinte me një kontenier me fund të dyfishtë. Unë isha porositur nga dy kolumbianë, njëri me emrin El Chiquetette dhe Perea që të vija në Shqiperi dhe pasi të kontaktoja me një numër telefoni, do të merrja një kest parash që varionte nga 600.000 deri 1 milion euro. Nga kjo punë unë do të fitoja 200 mijë euro…”.
Prokuroria: Roli i Çezar Auguston vetëm në marrjen e parave
Trafikantët, futën drogën në bananet e porositura nga firma “Rrapo Company”
Për sa më sipër, konstatohet se bëhet fjalë për një veprimtari që lidhet me trafikimin e lëndës narkotike, duke patur lëvizje ndërkombëtare dhe që kishte si destinacion shtetin shqiptar, lëndë kjo që është kapur në Mal të Zi, dhe që në këtë trafik dyshohen të jenë përfshirë dhe shtetas shqiptar, duke qene se kontenieri në të cilin është kapur lënda udhëtonte për në drejtim të Shqipërisë dhe është kapur ne Malin e Zi. Elementët e pasqyruar, sa më lart dhe që kanë të bëjnë me trafikimin e narkotikëve, përbëjnë elementë të figurës së veprës penale të “Trafikut të narkotikëve”.
Roli i të pandehurit Çesar Augusto Pelaez Triana konsiston në marrjen e pagesës për lëndën narkotike që do të vinte në Shqipëri me anë të një kontenieri, porosi e firmës “Rrapo Company shpk”. Kjo sasi lënde narkotike është kapur dhe sekuestruar në shtetin malazez. Sipas akteve të ardhura me anë të letërporosisë nga ana e autoriteteve malazeze rezultojnë të pasqyruara dhe të provuara faktet se është sekuestruar sasia e lëndës narkotike në Mal të Zi me destinacion shtetin shqiptar. Kjo sasi lënde narkotike rezulton të jetë e tillë në bazë të aktit të ekspertimit biokimik,
Kjo sasi lënde narkotike është gjetur në një kontinier me fund të dyfishtë. Kjo sasi lënde kishte destinacion shtetin shqiptar, pasi porosia e bërë për kontinierin ishte me destinacion një firmë shqiptare. Në këto kushte, fakti penal lidhet me mbërritjen në Shqipëri të një sasie lënde narkotike e cila nuk ka mbërritur për shkak se forcat e policisë malazeze kanë sekuestruar sasinë e lëndës narkotike. Në këtë veprimtari kriminale roli i shtetasit Cesar Pelaez lidhet me marrjen e sasisë monetare për pagesën e lëndës narkotike.
Sipas aktit të ekspertimit kimik rezulton se nga përpunimi kimiko fizik i materialeve fiksuar në vendngjarje, lënda e sekuestruar është lëndë e llojit kokainë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Qershor 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com