Kol Rodhe, peripecitë rreth autorësisë së Flamurit të Pavarësisë

Kol Rodhe, peripecitë rreth autorësisë së Flamurit të Pavarësisë

Kol Rodhe

Do të mundohem të shtjelloj pa shumë diskutime dhe pa analiza debatin e  nisur  njëzetë e dy vjet mbas shpalljes së Pavarësisë dhe që lidhet me flamurin që u ngrit në Vlorë me 28 nëntor 1912.

Të gjithë   protagonistët e debateve janë të kërleshur në medime stoike, të gjitha intriguese, por që  prej të cilave nuk di se kë të marrësh për bazë, sepse të gjithë duan autorësi absolute. Por cili është ai që nuk do të donte të përjetësonte emrin e vet në historinë e kombit? Nuk është çështja për të zgjedhur më bindësen, por të vërtetën. Në një kohë që nuk pati një procesverbal të mbledhjes së njëmijë e nëntëqint e dymbëdhjetës, apo shënime të Ismail Qemalit, lulëzimi pranveror i kujtimeve dhe këmbëngulja do të jenë në sfondin dramatik të kërkimit më të ngatërruar.

Një nga variantet  e  flamurit që ngriti Ismail Qemali është ai i Kol Rodhes. Është po aq ngulmues sa edhe i të tjerëve.

Nuk do të tregoj përmbledhurazi me fjalët e mija ngjarjet e zhvilluara, më duket si një plagjiaturë e hollë, ku mendimet e hedhura në pjatën e kandarit të analizës, do të rëndojnë ndoshta në subjektivizmin më tërheqës, kjo është edhe arsyeja se përse do t’i paraqes debatet ashtu siç janë bërë dikur, në mënyrë që lexuesi të ketë pavarësinë e gjykimit. Pastaj, në fund, do të shkruaj edhe unë  disa rreshta.

Natyrisht që mendimet gëlonin në mendjet e të gjithë atyre që mundoheshin t’i ipnin një autorësi, apo identitet flamurit të Pavarësisë. Por është si puna e detit në tallaz: ne shohim dallgët, por jo thellësinë.

Gjatë shtjellimit të ngjarjeve dhe debateve do të ndeshemi vazhdimisht me tre subjekte: Shoqërinë “Besa-Besën”, Kol Rodhen dhe Kristo Kirkën. Dhe që të futemi të orientuar në temën që do të diskutojmë, do të ishte e arsyeshme që t’i paraqesim shkurt këta subjekte.

Shoqëria “Besa-Besën” u themelua me nismën e Fan Nolit me 10 shkurt 1907, kur shqiptarët e Bostonit dhe të fshatrave përqark u mblodhën në “Uashington Holl”.  Sekretar u zgjodh Kol Tromara. Programi i saj ishte atdhetar. Një vit më vonë kryesinë duhet ta ketë marrë Kol Rodhe. Në vitin 1912 kryetar i saj u bë Kristo Kirka.

Në vitin 1911 Shoqëria  “Besa-Besën” dërgoi në Korfuz një çetë luftëtarësh të udhëhequr nga Kol Rodhe dhe Vasil Tromara, me mision për të ndihmuar në çlirimin kombëtar. Çeta kishte me vete edhe flamurin e shoqërisë. Pikërisht për këtë flamur zhvillohet debati.

Sipas Kol Rodhes flamuri i u dorëzua Marigosë. Ajo i a dha Ismail Qemalit, i cili e ngriti në Vlorë, duke shpallur Pavarësinë. Pastaj flamuri u kthye në Amerikë dhe i u dorëzua kryetarit të Shoqërisë korçare “Arsimi”.

Në janar të vitit 1933 Kristo Kirka e risolli flamurin në Shqipëri, i a paraqiti Koço Kottës, ky Zogut, futen në këtë  histori  ministri arsimit Mirash Ivanaj, Kol Rodhe…Lexojeni më poshtë! Ngjarjet janë sipas datave.

Disa vjet më parë Z. Niko Kotherja dha këtë njoftim:

“Një dokument shumë interesant rreth ҫështjes së flamurit është gjetur së fundmi. Është një letër e patriotit veteran Kol Rodhe, i cili flet për flamurin e nëntorit 1912. Këtu më poshtë jepet e zbardhur e gjithë letra e Rodhes dhe fotografi e letrës origjinale me shkrimin e tij:

“Berat më 13-X-934

Fort i dashur mik,

Dëshiroj të jeni mirë si edhe unë mirë jam.

Si e dini Z. Juaj, vjet në muajin kallnur, kujtoj, bashatdhetari jim z. Kirka ja ka sjellë prej Amerike Flamurin i cili është ngritur prej të ndyerit Ismail Qemalit në Vlorë me rastin e parë të shpalljes së Indipendencës Shqiptare. Atë Flamur z. Kirka ja pat dhënë zotit Kotta dhe ky ja ka dorëzuar L.M. Tij Mbretit, i cili ka thirrur Ministrin e Arësimit, zotni Ivanaj dhe ja ka dhënë me urdhër që, së bashku me një përshkrim historik të tij t’a vendosë në Muzeumin Kombëtar.

Pra Z. Ivanaj u interesua të mësojë se kush do ish ay që i dinte historinë ati Flamuri, dhe zotni Kotta i pat thënë që “ay Flamur është sjellë prej Amerike prej meje, më 1911”, dhe z. Ministër më thirri në zyrë e, massi i përshkrova gojarisht gjith historinë, m’a tregoj Flamurin. Zoti Ministër m’u lut që t’i bënja një përshkrim me gjith hollësirat dhe t’ja dërgoja, të cilën e bëra pas nja dy javësh dhe ja tregova.

Z. Ministër më tha se, për të shpënë atë Flamur në Muze e lypte nevoja që të shpiesh me nderimet e merituarshme, ku do të ndodhesh edhe unë.

Po për fat të keq nuk u bë kështu, dhe nuk e di përse. Vetëm më shkon nga mendja që “kështu i bëjmë punrat ne”.

Sidoqoftë, tashi marr vesh se Ministri, për ceremonit e duhura Flamurin ja ka dërguar Muzeumit Kombëtar. Por nuk e di se a jua dërgoj edhe përshkrimin q’i pata dërguar unë së këtejmi apo vetëm Flamurin?

Pra në qoftë se ju ka dërguar Flamurin edhe historin’ e tij do ish mirë që me rastin e ditës së 28 Nëntorit të festonte në Tiranë po ay Flamur, dhe historia e tij të shtypeshe në libërza të vogla të cilat të shpërndaheshin atë ditë për kujtim, ose të paktën historia e tij të botoheshe në fletoret e Tiranës. Për ndryshe në qoftë se dikushi ka pretendime te tjera, të më dorëzohet historia, dhe unë do t’a botoj që të përpiqen mendimet e të tjerëve, me gjith që e ndyera atdhetare, Marigo Pozio (e cila ja dorëzoj këtë flamur të ndyerit Ismail Qemalit) nuk rron sot që t’a dëshmojë.

Me këtë rast ju sjell në dije që xhufkat e këtij Flamuri i kam gjetur në Korҫë të sjella nga Odesa e Rusisë.
Lutemi pra kini mirësinë interesohuni dhe më njoftoni.
Me miqësi
Kol Rodhe.”

Nuk dihet se kujt i është drejtuar kjo letër, por gjithsesi ndërthuret harmonishëm në ngjarjet përkatëse.

I gjithë debati lindi nga  shkrimi i mëposhtëm i botuar në gazetën “VATRA”, Nr 266,  të mërkurë  me 28 nëntor 1934.

“Peripetit e Flamurit që u-ngrit në Vlorë dhe sot ruhet në Muzeumin Kombëtar

Qysh arriti nga Shoqëria “Besa-Besën” në Shqipëri

Për t’i dhënë bujë të përbotëshme lëvizjeve kombëtare të Shqipëtarëve t’Amerikës dhe për t’u enkurajuar shqiptarët e kollonive të Evropës e gjetiu e sidomos për të t’u ardhur në ndihmë morale e bashkë-luftimi komiteteve shqiptarë q’ekzistonin në viset e ndryshme të tokavet shqiptare, Shoqëria Politiko·Kombëtare, ˵Besa-Besën” me qendër në Boston Mass t’Amerikës, e kryesuar prej Kol Rodhe, në vjetin 1910 - 11, mori vendim që të marrë pjesë aktive në levizjet kryegritse kondra Turqisë, dyke dërguar atje vetë kryetarin e saj me një ҫetë të përbërë prej 11 vetash të zgjedhur për ҫdo vepër kryengritse, dhe ky, dyke u-vënë në krye të kësaj ҫete, u-nis, prej  Neë-York-u, më 18 Korrik të vitit 1911, dyke npatur me vehte këtë Flamur: i bërë prej mëndafshi me anët të arta dhe me shtizën dy-ciopëshe në majën e së cilës qëndronte, në ngjyrë ari shkaba dy krershe.

Ky flamur është bërë me ndihmat e Shoqërisë “Besa Besën  në Boston Mass.”

Çeta mbante uniformën ushtarake amerikane ngjyrë dheu dhe në kësulë, në midis, një ҫapar të zi në të cilin ishin qëndisur shkronja të arta më fjalët: ˵LIRI A VDEKJE”.

Ҫeta në fjalë, së bashku me këtë Flamur, është fotografuar në Neë-York dhe kjo fotografi, mbas kohësh, është botuar në një libër italisht bërë prej Prof. Gerardo Comferti, (duhet të jetë Conforti. F. S.) në Napoli.

Mbas 9 ditsh udhëtimi mbi Oqeanin Atllantik, ҫeta në fjalë ka mbrit në Napoli (Itali) dhe masandaj në Brindisi. Aty u muar vesht, prej gazetave të vendit, se ne fushën e Korҫës, në katundin ˵Orman Ҫiflik ̋ u-bë përpjekje midis ushtrisë turke dhe ҫetave shqiptare kryengritëse të Korҫës me përfundim të ҫkatrimit të ҫetave kryengritse.


(Shoqëria Besa-Bes)

Me këtë rast Ҫeta Shoqërisë ˵Besa Besën ̋  mori vendim për tu nisur për në Korfus dyke lënë dy shokë të saj në Brindisi me Flamurin, me qëllim që massi të konstatonin qendrimin eventual të autoriteteve greke të tërhiqnin të dy shokët në Korfuz së bashku me Flamurin dhe kështu u bë: Autoritetet e Korfuzit nuk ishin në kundërshtim me lëvizjet kombëtare që shpesh-herë ҫvilloheshin atje, gjithënjë kur lëvizjet të mos bëheshin me bujë.

Pra ҫeta e përmbledhur në Korfuz priste me agoni të kalonte detin për në bregdetin shqiptar për tu bashkuar me kryengritsit shqiptarë.

Ndër ato dit, të muajit Gusht 1911, ҫeta, e kërkuar miqësisht prej Konsullit të Turqisë në Korfuz, atdhetarit të ҫquar zotit Mehmet Konitza, për një vizitë u ҫfaq në Konsullatë së bashku me Flamurin Kombëtar i cili u sallutua nxehtësisht prej z. M. Konitza.

Me këtë rast z. Konitza lajmëroj me hidhërim se: Qeveria turke ka dërguar dy delegatë, z. z. Fejzi Alizotin dhe Abdyl Ypin në qytet Korҫë e Gjirokastër për të hyrë në marëveshje me kryengritsit që të pushojnë lëvizjet e të amnistohen: e kështu u-provokua prej syresh një mbledhje e përgjithëshme në Manastirin e Cepos, (Qarku i Gjinokastrës) ku delegatët e nalt përmendur  këshilluan komitat Shqiptarë: për pushim të lëvizjeve, e kështu me dekret (irade) muar amnisti të përgjithshme. Pra, massi kryengritja pushoj, z. Konitza këshilloj ҫetën që të pranonte edhe kjo ˵falie ̋ pas një propozimi që do t’i bënte Ambasadës Turke n’Athinë. Ҫeta e ndodhur para një gjendje të ngushtë u nda më dysh: një pjesë e përbërë prej 8 vetash pranoj propozimin e konsullit dhe mas disa ditësh u-ardhi˵ falja” dhe shkuan në për vëndet e veta kurse pjesa tjatër e përbërë prej Kryetarit z. Kol Rodhe, me shokë z. z. Qerim Panariti, Vasil Tromara dhe Pandeli Papalilo (ky i fundit i ardhur prej Stambolli në Korfuz) vendosi të hyjë në tokat shqiptare msheftazi e të lëvizë msheftazi në ̓ to me qëllim që të mund të organizojë gjëndjen për një tjetër lëvizje të përgjithshme për vitin tjatër si mas programit të Komitetit ˵LIRI A VDEKJE ̋ .

Ato dit, Flamuri Kombëtar, si për shiguri kundrejt autoriteteve greke ju dorëzua, prej z. Kol Rodhe, zonjës Marigo Pozjo, e cila ndjehesh dhe lavdërohesh si një patriote shqiptare e shquar në fushën kombëtare, dhe e cila provizorisht banonte në Korfuz. Dyke qënë pra se z. Kol Rodhe po priste rastin e duhur të kalonte në bregdetin  shqiptar, dhe massi zonjës Marigo Pozjo i desh të shkonte në Vlorë ku banonte, u-muarnë vesh: që Flamurin ta merrte zonja Pozja me vehte, e kështu, dyke e ngjeshur atë në trup të saj e shpuri në Vlorë, kurse shtizën  e Flamurit ja kish dorëzuar Agjentit kosullar t’Italisë në Korfuz.

Mbas disa ditësh shtiza u-shti misteriozisht në dorë të z. Kol Rodhe dhe ky, me rastin e hikjes të Z. Miҫe Bardho (një nga shokët e ҫetës) për në Odesë të Rusisë i-a dha këti, dhe kështu vërtetohet që shtiza e këtij Flamuri ka mbet në Odesë të Rusisë dhe sot nuk dihet fati i saj e i shkabës.

Një lamërim, i marrun atë kohë në Korfuz na shiguron se zonja Marigo Pozjo, pa shkuar në Vlorë, dyke u frikësuar semos Flamuri binte në dorë të autoriteteve greke, ja paska dorëzuar këtë Agjentit konsullar të Italisë për mbrojtjen e tij, dhe Agjenti për të fituar simpathi prej Qeveris së Romës, e paskesh shpënë Flamurin në Romë dhe e ktheu përsëri në Korfuz e j’a dorëzoj zonjës Marigo Pozjo e cila, si ҫ’u-tha sipri, e shpuri në Vlorë.

Kur mbriti i pa-vdekuri Patriot i Madh Ismail Qemali, në Vlorë, i ardhur me anën e Bukureshtit, tue marrë këtu një tok patriotësh, e dyke shkuar për midis Vienës, u prit në qytetin e ti lindor me brohori prej popullit.

Mbasi u-vendos që aty do të prokllamonte independencën e Shqipërisë kërkohesh Flamuri i Shqipërisë. Me këtë rast zonja Marigo Pozjo, e cila ish tepër kurajoze dhe imponuëse, e shpuri, në shtëpi të Ismail Qemalit, Flamurin që ruante me aq interes patriotik, dhe dorëzoi këti në dorë dyke i thënë e ҫvilluar historin e tij.

Në ҫastin kur populli priste me agoni të shëkonte se ҫ’do lindte ajo ditë historike e Kombit Shqiptar, dita 28 Nëntor, n’atë ҫast kur përjashta shtëpive të Xhemil Vlorës, në të cilën u-vendos Qeveria e parë e Shqipërisë, pritesh me padurim se ҫ’do të bëhesh, dolli në ballkonin e shtëpisë i pa-vdekuri Patriot Ismail Qemali, i rrethuar prej Kabinetit të kryesuar prej Tij, dyke patur në dorë këtë Flamur të cilin e ngriti në ballkon, midis duartrokitjeve të pareshtura të popullit, dhe aty, VETË AY, leҫiti, me zë të lartë, vendimin e Prokllamimit t’Indipendencës Shqiptare. Ky vendim ju telegrafuan gjith Bashkive të Qyteteve që përmbledhin kufit’ ethnografike të Shqipërisë, si edhe Qeverive të Shteteve të mëdha.

Mbasi u-rregullua Qeveria Qendrore, gjithë zyrat filluan të funksionojnë nën urdhërin e saj, dhe simas modelit të këtij Flamuri u-bënë dhe të tjerë të cilët ju dërguan zyrave të ndryshme: si Prefekturës, Bashkisë, Drejtorive Doganore e Financiare e të tjera zyra të Vlorës e gjetiu.

˵Flamuri i indipendencës Shqiptare˶ massi valoj disa dit në ballkon të godinës Qeveritare u muarr prej Zonjës Marigo Pozjo për t’e mbajtur si një shenjë historike.

Pas afro dy vjetsh, e me rastin e pregatitjes për marrjen e Korҫës në dorëzim, nga ushtëritë greke q’e kishin okupuar, prej ushtërisë shqiptare, e komanduar prej Major z. Mustafa Aranitasi, ky Flamur u muar në dorëzim prej z. M. Pozjo nga ana e z. Kol Rodhe dhe u-shpu në Pogradec. Që aty! passi ky qytet u-muar prej turmave të ҫakërdisura të Essat Pash Toptanit, shkoj, në midis të katundeve të Gorës të urdhëruara prej ushtërive greke, dyke qënë në ballë të një ҫete prej 80 vetash dhe mbritnë në katundin Selcë ku ish përqendruar ushtëria shqiptare e cila po priste ditën që të merrte në dorëzim qarkun e Korҫës.

Që nga Selca filluan marrëveshjet midis Komandës Qendrore të ushtërive greke që ndodhej në Voskopojë dhe komandës së ushtëris kombëtare që ndodhesh në Selcë. Me këtë flamur priteshin oficerat grekë që sillnin marrëveshjet, prej komandës së Lartë Të Tyne, për dorëzimin e Korҫës.

Më 4 Shkurt 1914 Komandanti i ushtrisë  Kombëtare, Major z. Mustafa Aranitasi, dyke marrë përgjigjen e fundit prej Komandantit grek të Voskopojës, Kolonel z. Nikollakopullos: që lajmëronte për dorëzimin e vendeve të okupuara prej ushtërive greke, u-nis, së bashku me oficerat z.z. Kapiten Mustafa Spathara, kapiten Leon de Gjilardi, e toger Ismail Haki Korҫa e me ushtërinë të përbërë prej 400 vetash dyke patur në krye këtë Flamur, për në katundin Gjinikas të Oparit, ku në shtëpin’ e Aleks Gjinikasit u-këndua urdhëni i dorëzimit. Atë ҫast, përjashta ishin radhosur të dy ushtëritë, kundrejt njëra tjatrës, me Flamurët e tyre.

Nënë këtë Flamur u bë dhe protokolli të dorëzimit të Qarkut të Korҫës midis  Komandantit të ushtërive greke, kolonel Kondulis, i cili ish edhe Guvernor i Korҫës, dhe Major Mustafa Aranitasi si Komandant i ushtëris Shqiptare dhe Qeveritar’ i përtashmë simas cilësis së ngarkuar prej Qeveris së Vlorës.

Mbasi u proklamua lufta Evropiane, ky Flamur u shpu, prej Kol Rodhes, n’Amerikë, dhe si shenjë historike ju dorëzua Kryetarit të Shoqërisë Korҫare ˵Arësimi ˶ në Natick mass.

Pra mbas kaq vjetësh mërgimi n’Amerikë, ky Flamur përsëri ardhi në Shqipëri i dërguar, prej Shoqëris Korҫare ˶Arësimi˵ si dhuratë historike Kombëtare për L. M. e Tij Zogun e I. Mbretin Tonë August, i cili u-denjua t’ia dhurojë Myzeumit Kombëtare me urdhër që të mburohet bres-pas brezi”.

Në fund të shkrimit është iniciali X. Nuk jam munduar të gjej anonimatin e personit X. por gazeta “Demokratia” e Gjirokastrës, aludon për Kol Rodhen.

Ky shkrim ndezi gjakrat. Dy ditë më vonë, të djelë me datë 2 dhjetor 1934, gazeta “Vatra” botoi  një sqarim dhe më poshtë shkrimin e Kristo Floqit dhe të Leonidha Naçit:

“Skjarime mbi peripetitë të Flamurit që u ngrit në Vlorë

Në numurin’e 28 Nëndorit kishim botuar një shkurtim, mbi peripetitë e ngritjes së Flamurit në Vlorë, të Z. X.

Me qënë se cështja ka një karakter të përgjithëshëm dhe Kombétar dhe meriton që të skiarohet, këtu më poshtë botojmë, me kënaqësi, dy letra që na u dërguanë nga Z.Z. Av Kristo Floqi dhe Dr. Leonidha Naci. Por do na pëlqente që Z. Floqi të mos përdorte një gjuhë të tillë.

Ne besojmë se Z X, edhe sikur të ketë bërë disa gabime në artikullin’e tij, nuk pranojmë me as një mënyrë që të besojmë se janë shkruar qëllimisht, sic kërkon ta cilësoj Z. Floqi tue e cilësuar “gënjeshtra”.

Z. Drejtor,

Në fletoren t’uaj Nr. 266, d. 28-XI-934, nënë titullin PERIPETIT E FLAMURIT QË U NGRIT në VLORË, këndova një artikull të gjatë me pseudonymin X dhe u habita pse shtrëmbërohet ashtu e vërteta. Për me nxjerë të drejtën sheshit shtëngohem t’i përgjigjem dhe lutem kini mirësinë të botoni këto mê poshtë në të ndershmen fletoren t’uaj:

Nuk ish flamuri i shoqërisë BESA-BESËN ay që valoj në Vlorë, atë ditë që ju dorëzua në Korfuz së ndyerës patriote Marigo Pozio, që ngjeshi në trupin e saj dhe me rrezikun e jetës e solli në Vlorë, por ish një tjetër flamur, që ajo patriote e hartoj vetë e ja dha të paharuarit plak Ismail Qemalit, ashtu si i dorëzoj edhe të tjerë 80 e sa flamurë, që prapë ajo vet’ i hartoj e që valuan në zyrat e ndryshme qeveritare. Është krejt gënjeshtër që e ndyera Marigo t’ja ketë dorëzuar atë flamur të BESA-BESËS një agjenti Italjan në Korfus. Atë gjë s’munt t’a bënte kurrë Marigoja, si patriote, dhe cashtja që gjoja ay agjenti e coj atë flamur në Romë e m’andej e solli prapë në Korfus e ja dorëzoj prapë Marigosë, edhe kjo është një gënjeshtër me bisht që as e drejta as llogjika nuk e pranon. Nuk ish e mundur t’i dorëzohej Marigosë ay flamur bashkë me shtizën e saj, se është afër mentsh të besojmë që Marigoja do ta nxirte me gjithë shtizën në syt’e autoriteteve Turke. Marigoja dy dit më von se ju dorëzua flamuri u nis për në Vlorë me gjith’atë, dhe e ka fshehur në sëndyqin e saj dhe unë i nënshkruari ja kam dorëzuar z. Llambi Bimblit atë ditë që ardhi Princ Ëiedi në Durrës që  ky z. Bimbli e ҫoj në Korҫë. Për këto të gjitha kam fakte të  gjalla dhe në ka qef z. X le të më provokojë, se jam gati t’i parashtronj sa dokumenta të dojë. Janë gjithë burra e gra që e dëshmojnë, janë dhe të tjerë patriot në Vlorë e që dëshmojnë, edhe se flamuri i BESA-BESËS nuk ish ay që valoj për ҫpalljen e Independencës s’onë, edhe që ay që valoj atë ditë ishte një flamur tjetër që vetë, si thashë Marigoja e hartoj e ja dorëzoj Ismail beut, që ay flamur nuk dihet se ҫ’u bë.  Por as është e vërtetë se shtiza e flamurit të BESA-BESËS ju dorëzua Micë Bardhës edhe se ay e ҫoj në Odesë. Ajo shtizë gjindet këtu në Shqipëri edhe e ka një tjetër patriot, i cili do përgjigjet, si kam marrë vesht edhe për këtë. Prandaj sa shkruan z.X janë gjëra fantastike dhe eksagjerime që nuk i përshtaten të vërtetës. Këto sa për tani, dhe po të dojë z. X munt t’a vazhdojmë bisedimin deri sa të bindet se nuk ka të drejtë edhe ҫështja nuk qëndron ashtu si po shkruan.

Me nderime të cquara
KRISTO FLOQI”
Dhe  shkrimin e Leonidha Naҫit:
“Zotni Drejtor,

Me qëllimin që të plotësohen informatat që kini botuar në numurin e 28 Nëntor të këtij viti të gazetës “Vatra” mbi peripetitë të Flamurit që ngriti në Vlorë  dh. t. t. kam nderin të ju shtonj sa pas pasojnë: Asij kohe në Korfuz vepëronte shoqëria “Dora e Zezë” dhe botëneshë prej meje Gazeta e përjavëshme “e Drejta”. Me ndihmën e vyer të të ndyerit Konstandin Varatasit, atëhere prefekt i Korfuzit dhe më von ministër fuqiplotë i Greqisë në Durrës, flamuri në fjalë na u dorëzua pa u ҫelur as pakë në doganë, dhe ne së bashku ja dhamë të e mbajë përkohësisht të ndyerës Marigo Pozio që gjëndeshë përkohësisht në Korfus. Teshat e tjera dhe shtizat i mbajta unë në shtëpinë time, ku gjindeshin për shumë kohë.

Më von për arësye që u qojtën prej neve të gjithëve të mjaftueshmë, flamuri në fjalë u shpu prej Marigos në Vlorë.
Me nderime
LEONIDHA NACI”

Disa ditë më vonë Muzeu Kombëtar i dërgoi Ministrisë së Arsimit, prej nga ku edhe varej, një shkresë zyrtare, që sqaron çështjen. Po e botojmë të plotë, pavarësisht se ka  disa  të dhëna që nuk kanë të bëjnë me rastin në fjalë, por që gjithësesi pasurojnë muzeologjinë shqiptare me një sërë kuriozitetesh:

AQSH. Ministria Arsimit. Dosja 1. Viti 1934. Fondi 295.

“M.A.
Nr i 457/837
Flamuri i Vlorësë.
Ministërijës’ së Arësimitë
Qytet
(Shënim i F. Stamatit: këtu ka një vulë)
MBRETNIJA SHQIPTARE
MINISRIJA E ARSIMIT
Nr. 5892
D 7/XII/1934   Dos L

Në gazetën’ Vatra-Nr i 266 të së 28 s’ së muajit’ të kaluarë- udha në dritë një artikëll i gjatë mbi flamurin’ që valoj për herë të parë në Vlorë ditën’ që Shqipërija ulëҫit krye-mbë-vete përpara botësë.

Mbas si ky artikëll mbyllet’ me shënimin; se “flamuri” për të cilin, bën fjalë “i udhurua Muzejës’ Kombëtare” na duket’ e nevojshme të shënojëm’ se në punë flamurësh me vlejë si kujtime kombëtare kemi në Muzejë

1) Katër’ flamurë të ushtërijës’ të dorëzuarë nga Kumanda e Mprojtës’ Kombëtare, të 20në të Majit 1932.

2) Një  flamur’  të  mëndafshëtë  me  theka  të  arta  dhe  me kravatë të kuqe, që na u’dorëzua nga Mënistërija e Arësimitë të 30në të dimëruarit’ 1932. Shënimet që kemi mbi të thonë se ky flamur’ qe shtëllitur’ në Vlorë, ditën që qyteti ulirua nga ushtërija e huajë.

3)Një flamur’ të leshtë pa theka, pa kravatë, të marrur’  në dorëzim nga Mënisterij e Arësimitë të 9 në të Vjeshtës’ së Tretë 1933, në shënim se që ngrehur’ në Vlorë prej vehtë Ismail Qemalitë. Por kjo nuk duket’ të jetë e vërtetë, sepse nga shënime t’jerë del se flamuri në fjalë ka pas’ valuar’ vetëmë mbi Doganën’ e Vlorësë.

Kujtuam’ të nevojëshme të shtrojëm sa mëë sipërë përpara së Shkëlq. Mënistërjë sepse shumë herë na ka qollitur’ të shofim’  ndër gazeta të vënditë  se ky o ay sent (puje të Postësë,  vivëlla, gurë-vegëla-të parajestorijëtë etj.) i kan’ qënë dorëzuarë kohë pas kohe Muzejës’ Kombëtare: enish, kjo nuk’ ka pasur’ asgjë syresh.

Tuke u këthyer, mbi punën’ e flamurit’ të Vlorës’ të së 28 s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1912, për të cilin bëhet’ fjalë në VATRËNË, kemi nderin’ të shtrojëm’ përpara Shkëlq. Mënistërijë se, të 30në të muajit’ të kaluarë, Prefekti i Beratit, Zoti Kol Rodhe i fali Muzejës’ Kombëtare (dorë-dëftesa e jonë Nr i C. 399), një kravatë flamuri, në trajtë shiriti (spiku) prej lesh e mëndafshi të kuq’ e të zi, tuke na shënuar’ se ishte pjesë e flamurit’ të vërtetë të Ismail Qemalitë, e mbetur në Odesë të Rusijësë dhe e prurë pas në Korҫë, ngaha ku e pat’ marur’ zoti Kol Rodhe.

Tiranë, 4 Dimëruar 1934                        

Drejtori

(firma dhe vula)

Të lidhet/në dosarin/përkatës

a.a (firma)

Shënim i F. Stamatit: shënimi “të lidhet/në dosarin/përkatës” është shkruar me dorë.

 

Akoma pa u njohur shkresa e Ministrisë së arsimit ka qenë i menjëhershëm reagimi i gazetës “Demokratia” të Gjirokastrës, nr 445, me datë 8 dhjetor 1934, por që në faqen 2 thuhet “E Mërkurë 9 Nendor 1934”, ku në kronikën Tingëllime të Javës në shkrimin “Si rusht’ e Esopit!, lexojmë:

“VATRA” e 28 nentorit botoi nje artikull okazional mbi peripetite e Flamurit qe u-ngrit ne Vlore dhe qe sot ruhet ne Muzeumin Kombetar. (Shënim. Pikën e kam vendosur unë. F. S.) Artikulist zoti X. kete Flamur e nxjer te Shoqerise “BESA-BESEN” te Amerikes qe kryesohej nga z. Kol Rodhe, i cili dhe e pruri kete Flamur ne Shqiperi dhe j’a dorezoi Shqiptarkes se degjuare MARIGO BOZIO. Kjo pastaj j’a doresoi Ismail Qemalit qe e ngriti ne Vlore ne 28 Nentor 1912.

Njeres te asaj kohe, si zz. Kristo Floqi dhe Dr. Leonidhe Naçi, u-pergjegjen ne “Vatre” se kjo nuk eshte e vertete. Flamuri qe u-ngrit ne Vlore u-be me duart e Marigose dhe nuk eshte ai qe solli nga Amerika z. Kol Rodhe.

Natyrisht né te “Demokratise” si te rinj qe jemi, nuk kemi dije personale te punes. Po fakti I ketiĵ sublimi me rendësi pas 22 Vjetësh te tera, argumentet e zz. Floqi e Naçi si dhe deshmite e shume Shqipetarevet te asaj kohe, na mbushin mendjen se me te vertete Flamuri i Vlorës nuk ka qene i zotit Kol Rodhes po i  Marigose, e cila nuk mund te bente kurre ne as nje menyre disa gjera me te cilat e ngarkon zoti X. nuk do te ishte keq sikur mbi kete pune te thoshte fjalen e tiĵ dhe z. Lef Nosi, i cili eshte ndodhur vete ne nje balkon me Ismail Qemalin ne ngritjen e Flamurit.

Po ahere ç’ngjan ne kete mes?

Ka disa Shqipetare qe i ka zene mania si-e-si t’a lene emrin e tyre te pa-vdekur ne ngjarjet e mbedha te historise Shqiptare. Dhe s’ka ngjárje mê me rendesi ne perioden e Rilindjes Shqiptare se sa ngritja e Flamurit ne Vlore. Per te kenaqur kete mani s’ka gĵe ne do çpiken dhe disa gjera te pa qena.

Kete gje pikerisht ka dashur te beje dhe zoti X., Plutarku i vetehes ose i zotit Kol Rodhes. Me qene se shkuan 22 vjet te tera pandehu se u-haruan disa hollesira historike me rendesi. Mire po i  uruari haroi se rrojne akoma njeres te asaj kohe! Te paken, te kish pritur sa te vdisnin dhe pastaj t’a bente historine sipas manise se tij. Po shkuan 22 vjet dhe s’duronte dot mê. Dhe vrapoi t’a  sbuloje te fshehten e madhe. Mire po pesoi ate qe thote populli i vogel: “Kush ecen me vrape, bie ne trap!”. Dhe me kete gabim te tij Plutarku Shqiptar e varferoi nga nje element kaq i çmuar biografine e personagjit te tij. Keto ka kjo bote e rreme: i kren te rrema disa gjera te pelqyera po te pa-arritura si rrusht’ e dhelperes esopiane!”

 Botimi i shkrimit të personit X  në gazetën “Vatra” nuk ishte vetëm emocional. Ai vuri në pjatat e peshores dy variante të ndryshme, njëri prej të cilëve do të ulej, për të krijuar themelin, e për të ndërtuar  nga e para, një ngjarje të debatuar. Por, a do të pranohej imazhi i ri? Një letër me shkrim dore drejtuar Lef Nosit dëshmon luahtjen, në mos tallazin. Ajo ndodhet në dosjen vetiake të Lef Nosit, ( me të dhënat: 303.253; faqe 52; L 98133), që ruhet në Arkivin e Shtetit. Po e botojmë.

“HOTEL-KAFE-RESTORANT

            SAVOJA

VLLAZERIA GARULI

           GJIROKASTER                                                                     GJIROKASTER, ME 24 Dhetuer 1934

I dashuni Z. Lef,

Si kundër munt t’a keni këndue, gazeta “Vatra” shkroi nji artikull ku thotë se flamuri qi ngriti Ismail Qemali në Vlonë qe ai qi pruni Z. Kol Rodha nga Amerika dhe ja pat dhanë Zonjës Marigo. Të tjerë si Kristo Floqi dhe Leonidha Naci e përgënjeshtruën këte gja, tue theksue se flamurin qi ngriti Ismail Qemali në Vlonë e qepi vetë zonja Marigo. Gazeta “Demokritia” e këtushme mori anën e atyne qi thane se  flamunri i Vlones qe ai qi qepi vete Zonja  Marigo e jo ai (që? F.S.) pruni Kol Rodha nga Amerika. Nji natë tek po bisedojshim këto gja me redaktorët e Demokraties u thashë se mbi këte gja ka dijeni të plotë Z. Lef Nosi, i cili jo vetëm qi qe në Vlonë kur u ngrit flamuri, por dhe interesohet për këto gjana. Tuke u bashkue dhe ata me mue, m’u luten pastaj të ju shkrujë nji letër për me ju pyetun dhe juve se si asht e vërteta, a e qepi vetë Zonja Marigo flamurin qi ngriti Ismail Qemali, a po ja pat dhanë Kol Rodhe. Mbasi mendimin tuaj  ata do t’a komentojnë në gazetë, na u përgjigj pa vonesë qi të ndriҫohet opinion mbi nji gja kaq interesante dhe me vlerë kombëtare.

I juaji

Shumë të fala nga z.Thoma Papapano                                  Ethem  Haxhiademi”

E kam kërkuar me interes dhe ngulm  përgjigjen që mund të ketë dhënë Lef Nosi, por sado që jam munduar, nuk kam arritur të gjej një tillë në gazetë dhe as në dosjen e tij në Arkiv. Sidoqoftë kërkimet duhet të vazhdojnë edhe përtej korespondencës që kam arritur të njoh.

Në shtypin e kohës hedh mendimet edhe Petro Poga. Në kujtimet e tij, të botuara në gazetën “Drita” me 3 dhjetor 1934(?), nën titullin “Drita-Flamuri”, ndër të tjera ai shkruan:

Nuk desha të bëj fjalë për ngritjen e flamurit dhe për mënyrën e ngritjes, se janë thënë e shkruar shumë po të ekzasheruara dhe më tepër utopira se si është botuarë dhe në fletën e parë “Drita” sikurse flamuri që u ngrit në Vlonë ka qënë i dërguarë nga Amerika dhe si mas ca gazetave të tjera si kur ka qënë i qëndisur me sërmë e me xhufka, të gjitha këto janë ëndëra, se flamuri i parë që është ngrijturë në Vlonë ka qënë një plehurë e kuqe tre metro e gjatë dhe dy metro e gjeërë mbi të cilën u shtyp shqiponja dy krenore me ngjyrë të zezë, me atë bashkë u gatitnë dhe 4-5 të tjerë më të vegjël. Pelhura e kuqe  u ble te një tregëtar i quajturë Diamant dhe u qepnë tek një rrobaqepës i quajturë Thoma, se nuk prite koha për të gatiturë flamure luks.

Mënyra e ngritjes ish e frikuarë, Llogaraja e zënë me vetëdashës, përtej lumit Vjosës ushtëria turke, në Tepelenë ushtëria greke d. m. th. Vlora ish e rrethuarë nga të katër anët.

Të ejten më 28 dhe 15 allaturka të nëntorit 1912 u mblodhë gjithë delegatët nga gjithë anët e Shqipënisë dhe vendosnë ngritjen e flamurit tue marrë para sysh cdo gjame e cdo sakrificë dhe si u ga-titnë flamurët, ora 3 pas m. d. gjithë delegatët, bashkë me Ismail Qemalin shkuan përpara një ballkonit të një shtëpisë së madhe  e cila sot është e rrëzuarë dhe ka qenë 4-5 metro më lark ng’an’ e djathtë të statutit ku gjëndet sot. Atje n’atë balkon dishëroi Ismail Qemali të ngrihetë flamuri se si thosh vetë që kish lind në shtëpin e atij Balkonit. Dhe sot më tingëllon në vesh fjala e plakut “mblidhuni shokë të ngremë flamurin e lirisë së vetëqeverimit tënë dhe Zoti na ndihmoftë”,, gjithë delegatët u afruan dhe ngjatnë duartë mbi tërkuzën që mban flamurin dhe për një  herë bashkërisht e ngrijtnë. Atë kohë Ismail Qemali, delegatët dhe gjithë populli që ish mbledhë rreth e përqark, u panë    me lot në sy nga gazi i flamurit që nisi të valoj nga zefyret që përkëdhelin dhe u ndigjua një zë i math sa tronditi gjithë Vlorën “rroftë flamuri i Shqipënisë, valoftë për gjithë jetë sa të  jetë Bota”. N’atë kohë i ndjejuari  Murat bej Toptani nisi të këndoi një vjershë, po nuk e la ta mbaroi shiu, kur populli u përhap dhe delegatët me Ismail Qemalë  shkuanë në shtëpin e Z.Z. Vëllazënia Sharra. Këjo ish ceremonia e ngritjes së flamurit nga ndroja e shakeve që u treguanë sipër. Mas një ore u ngrijtnë dy flamurë të tjerë njeni në doganë dhe tjetri në porto të limanit të Vlonës, ku gjëndeshin shtatë vaporrë të armatosurë në formë fllote luftarake, Amirali i të cilës me të parë flamuret që valonin në doganë e më poto-liman bombardoi vëndetë, ku gjëndeshin flamurët dhe Vlonën, po asnjë flamur nuk mundi ta rëzoi. Bombardimi vazhdoi 3-4 orë, në mes të bombardimit një bombë prishi kulmin e shtëpisë ku qëndronin delegatët dhe Ismail Qemali, u përpoq në murin e shtëpisë, së ballkonit, ku ish ngrijturë flamuri dhe u copëtua, Gjëndja e delegateve u trondit dhe u tërhoq në një përdheje jashtë shtëpisë. Gjithë gjëndia e Vlonës u tremb e u friksua tepër. Tmeri ish i madh, sa nuk mund të përshkruhetë. Delegatët dhe Ismail Qemali po mendoheshin c’të bënin, më në fund vendosnë dhe i telegrafuan Mbretit të Greqisë dhe fuqive të mëdha, mbrojtëse të Shqipënisë: Italisë dhe Austrisë dhe pas dy orë pushoi bombardimi dhe u qetësua gjëndia”.


Marigo Pozio

Ndërkaq, edhe Kol Rodhe që e ndjek ecurinë e debateve, nuk qëndron në heshtje, por reagon me sigurinë dhe këmbënguljen e njeriut të bindur në vërtetësinë e fakteve të tij. Ndoshta ai nuk e dinte përmbajtjen e shkresës zyrtare të drejtorit të Muzerut Kombëtar  drejtuar Ministrisë së Arsimit, që hidhte poshtë dorëzimin e flamurit në muze.

Dhe boton në gazetën VATRA sa më poshtë:

Gazeta “VATRA”, Tiranë, e premte 28 dhjetor 1934

Flamuri që u-ngreh më 28 Nëndor ësht ay i shoqërisë “Besa-Besën”?

Një përgjigje e z. Kol Rodhe

“I ndershmi Zotni Drejtor,

Pas botimit të përshkrimit  historik,”Mbi peripetit e Flamurit që u ngrit në Vlorë”, në gazetën “VATRA”, me d. 28 Nëntor, përshkrim i bërë prej të nënëshkruarit, po shof se z. Av. Kristo Floqi ka botuar një si përgjigje po në gazetën e z. Tuaj, me dt 9 të k. m.


(Kristo Kirka)

Nuk do na vinte aspak keq për skjarimet që përpiqet z. Floqi t’i servirë opinionit publik, po të qe që këto të bazoheshin në dokumenta të gjalla, por na vjen hidhur si z. Floqi nuk do të dijë që në raste të tilla duhet të ndricohet publiku jo duke përdorur fjalë të vrazhdëta: si “gënjeshtra” e “bishtra”, por duke nxjerrë në shesh argument. Z. Av. Floqi e din mirë që historit’ e Kombeve  nuk përshkruhen dyke ofenduar botën me fjalë rugash por përshkruhen duke nxjerë, seicili, argumentet që ka në dorë të cilat lihen të gjykohen prej publikut.

Por në qoftë se zot. Kr. Floqi i ka ardhur keq për lejimin që ne kishim marrë në Korfuz, dhe që këtë e botuam në gazetën “VATRA” në formë kronike, pse z. e Tij kish lidhje familjare me të ndjerën Marrigo Pozio, edhe këtu gabohet, pse historia e lëvizjevet Kombëtare shqiptare nuk do bazohet në miqësira e lidhje familjare por në të vërtetën qoftë kjo e hidhur.

Me gjith këtë e di z. Floqi se asi kohe belatë më të mëdha i hiqnim nga Grekrit, prandaj e ndjera Marigo edhe sikur t’ia kishte dhënë atë flamur agjentit konsullar të Italisë në Korfuz, me qëllim mbajtjeje e shigurimi nga konfiskimi i tij prej autoriteteve  të vendit, kjo masë nuk do konsiderohesh tradhëti, e sa ma tepër kur ajo, Marigoja, nuk dinte, se ҫdo të bënte Agjenti konsullar në atë rast. Prandaj, me lajmin që botuam nuk ofendohet e ndjera Marigo, të cilën ne, si patriot, e respektonim më mirë se z.  e Tij që e pati, n’atë gjëndje, gjer në orën e vdekjes.

Sa për shtizën e ati Flamuri, sikurse e përmënd edhe vetë z. Floqi, kemi thënë se ju dha një shokut t’onë, z. Mice Bardho, i cili nga Korfuzi e shpuri në Odesë të Rusisë ku shkoj në të vëllezërit e tij, prandaj nuk duhet z. Floqi të na shtrëmbërojë fjalët t’ona dyke na thënë se “ne ja dorëzuam flamurin Marigosë  me gjithë shtizën…, sepse shtiza nuk mbështillet në trup të njeriut, sikurse Marigoja mbështolli, në lakuriq atë flamur.

Sa për atë që thotë, z. Floqi: se pas dy dit të dorëzimit të flamurit të ndjerës Marigo ajo ka shkuar në Vlorë, nuk është e vërtetë masi z. Floqi nuk di se kur i u dorëzua e kur ajo shkoj në Vlorë, pse z. Floqi at’here ish n’Amerikë. E vërteta është se ҫeta  e shoqërisë “Besa Besën” me t’u mbledhur në Korfuz u njojtnë, më parë, me z. Leonidha Naci, i cili asi kohe nxirte gazetën “Drejta” dhe i cili na njoftoj se atje ish edhe z. Marigo, së cilës me një herë shkuam e i bëmë vizitë në banesën e saj, dhe massi u-muarmë vesh me të, të nesërmet i dhamë flamurin për t’e mbluar, pse tek ajo grua, dhe patriote, dhamë besim që nuk do t’a kërkonin autoritetet greke. Pas nja tri javësh të dhënies të flamurit, e ndjera Marigo u nis për në Vlorë pa u-pikasur prej nesh, por e takuam, posa kish hyrë në varkë, për të shkuar në vaporin që do nisej për Vlorë, dhe ajo na u-përgjegj, me shenjë, duke na dhënë të kuptojmë se e kish ngjeshur në trup.

Pas disa kohësh, kur na zunë autoritetet turke të Delvinës e na burgosnë, na ardhi në burg i mirënjohuri atdhetar, z. Hamza Isa, prej Vlorë, ku na solli disa peshqeshe, edhe një copë letër prej së ndjerës Marigo, i cili na tha edhe  se “Marigoja e solli flamurin në Vlorë pa u-pikasur, të cilin e pashë me syt e mija”. Në këtë rast dua të shënoj se z. Hamza Isa i hoqi vërejtjen Post-komandantit, dyke i treguar një flamur të Shqipërisë që kish në portofol e dyke i thënë se këta djem po përpiqen për këtë flamur.

Tashti le të vijmë në themën: Nëse ky flamur ish ai që u-ngrit në Vlorë prej të pa vdekurit Plak Ismail Qemali apo ay që na thotë z. Floqi: që u artua prej Marigosë natën e 27 Nëntorit. Është afër mënҫ që në një natë të artonte një flamur tjatër, sikurse pretendon z. Floqi, kurse ajo d.m.th. Marigoja, kish në dorë të saj Flamurin e Shoqërisë “Besa Besën” të dorëzuar, siҫ thamë sipër, prej ҫetës në Korfuz, dhe ata që u ndodhë në Vlorë e që interesoheshin për ҫështjet kombëtare, si atdhetarët Vlonjatë dhe të tjerët të ardhur nga viset e tjera të Shqipërisë së okupuar prej ushtërive serbo greke, e dinë fare mirë me sa mundime e rezike ardhi, i pa-vdekuri plak, me shokët e tjerë, nga Durësi në Vlorë, qytete këto që në të parin me minutën pritesh të okupohesh prej ushtërisë Serbe, dhe i dyti po ashtu prej ushtërivet greke nga ana e Sazanit. Gjithë bota Shqiptare e dinë se plakut nuk i ish shtruar rruga me lule, por me pengesa  të pa-kapërxyeshme, e prandaj nuk priste koha gjer sa të artohesh një flamur, si kujtuan z. Floqi, e sa më tepër  kur ay flamur ekzistonte e ish i përshtatëshmë për atë nevojë e rast të ngutëshmë: ngriti pra atë flamur të Shoq. “Besa-Besën”. Këtë bile edhe vetë e ndjera Marigo na i pat thanë në shtëpi të saj në Vlorë, në prezencën e dy zotërinjve të gjinisë së saj: “Ky është flamuri, tha, që më dorëzuat në Korfuz, i cili do të mbetet në analet e historisë kombëtare, massi u ngrit prej Ismail Beut me rastin e prokllamimit të Independencës Shqiptare”.

Këto janë fakte të gjalla, e prandaj nuk duhet t’i mohohet kjo Shoqërisë Kombëtare “Besa-Besën” e cila para se të lindesh “Federata Vatra” luftonte burrërisht për lirin e atdheut, e në qoftë se z. Floqi pretendon ndryshe- sa do që s’ka qënë at’here në Shqipëri- le të botojë argumentat e tij, e ne na mjafton që këto t’i bazojmë në të vërtetën, e jo të na thotë: se ay flamur nuk dihet se ku është.

Berat më 13  12  934.

Me nderime të cquara

KOL RODHE”

Polemikat rreth kësaj teme kanë vazhduar edhe në vitet e mëvonshme. Kështu, në gazetën “Drita” dt 28 nëntor 1936, në shkrimin “SHKABA DY KRENORE”, të botuar nga Leonidha Naҫi, lexojmë ndër të tjera: “Grupi  liri-prurës arriti në Vlorë ku u prit me enthusiasmë. Atje u ngrit flamuri Kuq e Zi me shkabën dy krenore që u gjent atje i dërguar para 2 vjet prej atdhetarëve tonë në Amerikë me qëllim që të gjendeshe në vënt po të fitonte lëvizja Kombëtare e 1911-ës”.

Në vitin 1937, me datë 17 janar, Kristo Floqi botoi në  gazetën “Drita” shkrimin “Hartuesja e flamurit që valoj në Vlorë per shpalljen e pavarësis t’onë”

I ndershim Z. Drejtor,

“Ju lutem, kini mirësinë të botoni në të ndershmen fletoren t’uaj sa pasojnë më poshtë mbi ҫështjen e flamurit që valoj në Vlorë për shpalljen e pavarësis kombëtare nga ana e të pavdekurit Ismail Qemal bej Vlorës:

Në Nr. 4 të fletores s’uaj, në faqen e tretë, pashë një artikull të mikut veteran z. P. Pogës, i cili tregon hollësisht peripetit e ngrehjes së flamurit dhe mënyrën me të cilën u hartua flamuri liriprurës si dhe atë që e hartoj. Z. Poga me të drejtë të plotë thotë se: flamuri që valoj atë ditë nuk ishte ajy flamur që u suall nga Amerika, i qëndisur me sërmë e me xhufka të mëndafshta, që me aqë këmbëngulje ka pretenduar z. Kol Rodhja, tuke dashur të bindë popullin Shqiptar se ajy ish flamur i Indipendencës e jo tjetër, kur se të gjithë e dijnë, si edhe unë vetë ja shpjegova  me anë  gazete z. Kol Rodhes, se atë flamur vetë unë ja dorëzova z. Llambi Bimblit në Vlorë kur u nis me shokët për në Korҫë, mbassi e ruante deri atë ditë e ndyera kunata ime Marigo Pozio që e kishte sjellë prej Korfuzit me rrezikun e saj në Vlorë, të dorëzuar prej disa atdhetarëve që kishin ardhur nga Amerika të hidheshin në Shqipëri, por nuk u hodhë, midis të cilëvet ishte edhe z. Kol Rodhe, dhe këtë e di edhe  vetë ajy, si kur se ja vërtetoj edhe z. Dr. Loni Naҫi, që ju përgjigj nënë artikullin t’em  po të asaj fletoreje, ku i përgjigjesha edhe unë z. K. Rodhe.

Pra, sado që z. Kol Rodhe insistoj kaqë herë për këtë, kjo nuk është e vërtetë, dhe do ta kish kuptuar edhe mê mirë populli po te kish botuar z. Timo Dilo në “Vatrën” e tija  edhe përgjigjen t’ime  të dytë, po z. T. Dilo nuk deshi, se, si kur se më tha, nuk munt të prishte miqsi me z. Rodhe për hatrin t’em (!). Këtë përgjigjen e dytë ja dërgova edhe  “Gazetës së Korҫës” po nuk e botoj. Ja dhashë edhe “Besës” po as ajo s’e botoj, me gjithë që u ofrova t’a paguaj. Po ja dërgova edhe “Gazetës Shqiptare”, por as ajo s’e botoj, e kështu, populli kujtoj se unë e hëngra follën e z. Kol Rodhes, se më vuri, gjoja në vënt! Si duhet të bënja kur s’ma botonte as një gazetë shqiptare? Duhej t’a botonja në një broshurë të veҫantë dhe ja se ku e solli rasti sot t’a botojë kjo gazetë.

Me z. Poga jam d’akord sa për flamurin, që ishte një pëlhurë e kuqe tri metro e gjatë dhe dy metro e gjërë dhe që mbi atë u damkos shkaba dy krenore me ngjyrë të zezë; gjithashtu jam d’akord se atë ditë u gatitnë dhe 4-5 flamurë të tjerë që valuan në disa zyra zyrtare të ndryshme, si edhe vetë kam bërë fjalë për këto tjetër herë. Pëlhura u blé prej tregtarit Diamand, d’akord, po cili e hartoj flamurin e Independencës dhe kush e  kishte gatitur shkabën dy krenore, këto nuk na i tregon z. Poga. Është e vërtetë se një terëzi – s’ja mbanj ment emrin – kishte qepur disa flamurë po atë ditë; por atë ditë s’u qepnë vetëm këta flamurë, po edhe të tjerë, si e dijnë gjithë Vlonjatët. Pra, ajy flamur që nguli atë ditë mbi ballkonin e shtëpis së Xhemil  bej Vlorës plaku Ismail Qemali nuk ish prej atyre që qepi ajy terëziu, që thotë z. Poga, po ish ajy që qepi dora e së ndyerës Marigo Pozio dhe shqiponja dykrenore ish modeli që me mjeshtëri pregatiti patrioti Shkodran, i ndyeri Dom Mark Vassa. Këtë e dijnë gjithë Vlonjatët e sidomos z.z. Seid Qemali, Qazim Kokoshi, Hamza Isaj, Ymer Radhima, Faik Kreshpani, Ibrahim Shyti etj. etj. që ishin në shtëpinë e Marigosë kur pregatitej ajy flamur bashkë me disa të tjerë, e që prisnin me padurim. Këtë e dijnë edhe vetë Xhemil bej Vlora që ish atjé në shtëpi të vet kur u suall ajy flamur, e dijnë dhe z.z. Major Bilal Nivica, adjutant ahere i Ismail beut, si dhe të bijt e Ismail beut z.z. Etëhem dhe Qazim bej Vlora dhe sa e sa Vlonjatë e delegatë të krahinave të ndryshme që ishin presentë atë ditë të shënuar. Kam një letër prej t’em vëllaj z. Thanas Floqit, ku ky vetë bashkë me z.z. Lef Nosin, Qemal Karaosmanin Shefqet Dajinë e vërtetojnë këtë, që e panë me sy dhe që e dijnë bukur mirë. Kam sa e sa argumenta të tjera, që jam gati ti parashtronj posa të jetë nevoja. Në qoftë se nuk flas drejt lé të përgënjeshtrojnë këta zotërinj që janë gjallë sot. Damkën e shkabës dykrenore e kam unë sot në shtëpi t’ime, kujtim prej së ndyerës Marigo dhe kam me ja dorëzue muzeumit t’onë kombëtar. Këto janë fakte e jo fjalë. Z. Petro Fotografi është gjallë për të dëshmuar, që ajy vetë bashkë me të ndyerin Dom Mark Vassën e damkosnë flamurin e parë, mbassi e kish pregatitun e ndyera Marigo Pozio. Duhen akoma prova të tjera?

Flamuri i shoq. Besa-Besën që përment z. Kol Rodhe ish i madh, i mëndafshtë, me xhufka arit të verdha  dhe tepër i kushtueshëm, kur se ky flamur i Independencës ish, si thotë edhe z. Poga, krejt sempël, pra, nuk ish ajy që thotë z. Rodhe, dhe këtë e panë e e vërtetojnë të gjithë ata që u ndodhë atë ditë. Atë flamur që thotë z. Rodhe, e ndyera Marigo e mbajti në sënduqin e saj gjer sa ju dorëzue z.Llambi Bimbli, si amanet. Këtë munt ta dëshmojë vetë z. Llambi Bimbli, që e di fort mirë. Si, pra, është e mundur të ishte ajy flamur që na thotë z. Rodhe? E mjera Marigo nuk hartoj vetëm atë flamur po edhe 60 _të tjerë që brenda në 2_3 ditt pas nevojës që u ҫfaq, edhe këtë dijnë edhe z.z. Lef Nosi, Qemal Karaosmani, Shefqet Dajiu dhe Thanas Floqi, dhe e dëshmojnë. Marigoja vdiq e mjera, po e vërteta duhet të dëshmohet prej nesh të gjallvet.

Këto sa për të vërtetën, z. Drejtor, dhe jam gati t’a arësyetonj këtë edhe me prova e argumenta të tjera, që do bindet opinioni publik shqiptar se këjo është e vërteta mbi flamurin që valoj atë ditë historike për kombin t’onë.

Me nderime të ҫquara.

KRISTO FLOQI”   

Dy javë më vonë, me 31 janar 1937, Kristo Kirka dërgoi nga Himara dhe botoi në gazetën “Drita” shkrimin e titulluar: “Mbi Flamurin e 28 Nëntorit 1912”.

“Inderuar Zoti drejtor,

Pashë në gazetën “Drita” botimin e z. Kristo Floqi mi Flamurin q’u ngrit në Vlorë ditën e 28 Nëntorit 1912. Në përshkrimin  e z. Floqi përmëndet dhe Flamuri q’u suallë nga Amerika prej z. Kole Rodhe me shokë. Këtë Flamur, që peripetit’ e tij shkurtazi po i shënoj më poshtë, e solla unë tani së fundi nga Amerika dhe ndodhet në zyrat e Ministrisë s’Arsimit.

Historia e këtij Flamuri qëndron kështu: U-bë nga Shqipëtarët e Amerikës dhe iu dorëzua ҫetës të Kol Rodhes me shok për të bërë lëvizjen liri-prurëse në Shqipëri. Për arsyet e ditura, të cilat u përshkruan imtësisht nga gjith’ ata q’u muar me ҫështjen e këtij Flamuri, e gjejmë në Vlorë , në duart e së ndjerës Marigo Bozo. Nga zonja Marigo, më 1914 e marin Kombëtarët korҫarë  dhe e sjellin në Korҫë. Këtu ky Flamur udhëheq patriotët kundra grekëve në Kolonjë dhe pas ngjarjeve fatale, e gjejmë prapë n’Amerikë; s’andejmi, siҫ shënohet më lart, u suallprapë n’Atdhe.

Jam interesuar për këtë ҫështje dhe i kam kënduar me vërejtje të gjitha sa janë botuar mi identifikimin e Flamurit që ngriti Ismail Qemali. Në kohën e fundit, kur ndodheshe  z. Dhimitri Zografi në Korҫë i ardhur nga Rumania, me që dhe ky është një nga ata të cilët së bashku me Ismail Qemalë vajtën në Vlorë për proklamimin e indipendencës, e pyeta në mban mënt si ishte Flamuri q’u ngrit atë kohë: Më tha se ishte një flamur i math i mëndafshtë dhe me xhufka të verdha anës. Kësisoj është Flamuri që solla nga Amerika. Po kjo është një ҫeshtje mi të cilën duhet të flasin ata q’u ndodhë në Vlorë asi kohe, me kushtin që t’i tregojnë punët me sinqeritet që të mundet të gjendet e drejta.

Vetëm një gjë më hoqi vërejtjen mi botimin e z. Floqi, kur thotë se zonja Marigo e kishte flamurin e Amerikës, të sjellë nga Korfuzi, në kohën kur u ngrit Flamuri në Vlorë. Po në rast të tillë, vjen vetiu pyetja e pse të mundoheshe zonja Marigo të bënte tjatër, kur këtë e kishte të gatitëshme, të madh, të bukur dhe që do duheshin ato mundime që të bëheshe nji tjatër që të mundeshe t’i afroheshe madhështisë së tij? Sa për të tërë që bëri Marigo, për tu përdorur nëpër ndëresa të tjera, këtë m’a vërtetoj dhe z. Dhimitri Zografi.

Himarë, Janar 1937.

KRISTO KIRKA”

Ka një diçka që të tërheq vëmendjen në këtë shkrim. Në se në artikullin e botuar në gazetën “Vatra” me 28 nëntor 1934 thuhet se flamuri është dorëzuar në Muzeun Kombëtar, në këtë shkrim thuhet se flamuri ndodhet në zyrat e Ministrisë së Arsimit. Pra, tërthorazi, Kristo Kirka pranon se flamuri nuk është dorëzuar në Muzeun Kombëtar. Dhe kjo e ngatarron edhe më tepër të vërtetën dhe  detyrimisht nxit kërkimin për më tej.


(Flamuri i shoqërise Besa-Besën)

I nisur jo vetëm nga kureshtja, por edhe nga që i kisha të gjitha mundësitë për t’u njohur me flamujt e Muzeut Kombëtar, i u vura punë për të zgjidhur enigmën.

Hapi i parë ishte që të gjeja formën e flamurit. Për këtë do të bazohesha në botimin e fotos së çetës Besa-Besën, të botuar siç thotë Kol Rodhe, nga Prof. Gerardo Konforti. Me ndihmën e Prof. Aurel Plasarit, në atë kohë drejtor i  Bibliotekës Kombëtare dhe të cilin e falenderoj, m’u vunë menjëherë në dispozicion të gjitha botimet e  disponueshme të Konfortit, por në asnjërën prej tyre nuk e gjeta foton aq shumë  të  dëshiruar. Më tej u përpoqa për të siguruar diçka, por edhe kjo pa sukses, në bibliotekat e pasura të Napolit. Atëhere i u drejtova me një  shpresë të dyzuar të njohurve të mi në shtetin italian. Përsëri asgjë…

Miqtë e mi në Amerikë më këshilluan të komunikoj me At Liolinin. Ai më drejtoi në Arkivin e “Vatres” në Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Dhe ashtu e bëra. Por përgjigjia ishte negative në kuptimin e vështirësive të mëdha, që po kalonte ai arkiv. I u drejtova edhe disa të njohurve të tjerë në qytete të ndryshme të Amerikës, por gjithsesi nuk mora ndonjë përgjigje që të më çonte drejt zgjidhjes.

Duke kërkuar për të gjitha mundësitë, arrita të njoh dhe të komunikoj në face book me pasardhësit e Kol Rodhes. Madje shkova edhe në Korçë dhe i takova me shpresë për të gjetur ndonjë dokument që do të më afronte më pranë të vërtetës. Por jo…

Kontrollova aq sa ishte e mundur në Arkivin e Shtetit dosjen e Mirash Ivanajt. Ndoshta ndonjë shënim, ndonjë kujtim… Por jo… As edhe ndonjë gjë tjetër në dokumentacionin e Muzeut Kombëtar, etj….

Natyrisht që kontrollova edhe albumet e botuara nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë MARUBI, apo edhe institucione të tjera, që kanë trajtuar temën e fotografisë historike dhe përsëri asgjë…Pashë edhe të gjitha postimet e fotografive të vjetra ne fb, lexova postimet në internet, që lidhen me aktorët e ngjarjes….

Një tjetër linjë e kërkimit ishte dhe është nëpërmijet të koleksionistëve shqiptarë dhe atyre të apasionuarve ndaj fotografive historike. Janë angazhuar edhe ata me përpjekje serioze.

Së fundmi Z. Shpëtim Sala, edhe ky koleksionist, më dha imazhin e një  flamuri të  shoqërisë “Besa-Besën”, që vjen nga Korça. Falemnderit Z. Shpëtim Sala!

Mbi gjashtë vjet!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilia Rodhe: 25/05/2018 01:13

    Eshte me te vertete per tu admiruar shkrimi juaj.Zelli juaj per te dale ne drite e verteta ashte deshira e cdo shqiptari per te mesuar te verteten.Ju falenderoj sinqerisht.Me Respekt Ilia Rodhe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën

Spahiu: Dyshoj se për 10 vjet, nuk ka gjykatë që guxon të dënojë Berishën dhe Ramën