TIRANE – “Nuk mund të thuhet se në Shqipëri kemi një klasë politike të formuar. Në vend të saj, kemi vetëm individë "të përjetshëm" që rrinë në pushtet, si pasojë e mentalitetit dhe praktikave feudale. Asnjëri nga politikanët e sotëm nuk ka edukim që lidhet me shtetformimin apo me shkencat e lidhura me të.

Në vend të tyre, kemi individë me edukim në arte, sporte, veterinari, ose mjekësi, etj”. Me të tillë fjalë dhe me të tillë sy, e ka parë situatën në Shqipëri, Koloneli shqiptar në rezervë, Zeno Jahaj, në korrespodencën që ka pasur me analistët e kompanisë “Stratfor”, një kompani zbulimi globale, e specializuar në analizat gjeopolitike të vendeve dhe publikimin e tyre në “ëeb” për t’iua afruar informacionin qeverive, bizneseve, vendeve, themeluar në 1996 në Teksas.

Në dokumentat e reja të publikuara së fundmi të “WikiLeaks”, shfaqet emri dhe korrespodenca e një Koloneli në rezervë të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Zeno Jahaj. Jahaj rezulton se ka komunikuar me analistin Eugene Chausovsky e kompanisë “Stratfor” në 10 Shkurt 2011, duke i dhënë një prognozë të situatës në Shqipëri, pas 21 janarit.

Në fillim, Jahaj ka kërkuar disa materiale në një adrese publike të kompanisë ”Stratfor” dhe më pas është kontaktuar nga Eugene Chausovsky, analisti për Euroazinë, i cili i kërkoi nëse ai mund t’i jepte ndonjë mendim mbi situatën aktuale në Shqipëri. Jahaj është shprehur i gatshëm të japë informacion, duke kërkuar t'i ruhet konfidencialiteti.

Chausovsky, e-mailin dhe kontaktet e tij me Jahajn, ia ka përcjellë një analisti tjetër për Europën, Marko Papic, duke e këshilluar këtë të fundit të ruajë kontaktet me zyrtarin shqiptar Jahaj, pasi ai mund t'u shërbente më vonë megjithëse të dy shprehin bindjen se Jahaj nuk ishte duke thënë ndonjë gjë që nuk dihej.

KORRESPODENCA

Data: E enjte, 10 shkurt 2011
From: Zeno Jahaj
I dashur Eugene,


Të falenderoj që më dërgove linqet që m'u nevojitën dhe konfidencën për këto informacione të vlefshme që do t’ju ofroj mbi situatën në Shqipëri, mbi çfarë po ndodh dhe cilat mund të jenë pasojat në rajon.

Do mundohem t'iu jap një panoramë të shkurtër dhe konfidenciale, duke përmendur disa aspekte, që sipas mendimit tim duhet të mbahen parasysh domosdoshmërisht:
1. Ligjet themelore që lidhen me tokën dhe pasuri kombëtare strategjike janë kapitalizuar si pasojë e dykuptimësisë të tyre. Ato kanë lënë hapësira për manovrim në interes të individëve të veshur me pushtet.

2. Besoj se e dini që transformimi demokratik i vendit tim ka filluar në vitin 1990. Kështu, qytetarët e lindur në atë kohë sot janë në të 19-etat. Por as ata që mund të ishin në atë kohë 5-6 vjeç, nuk e kanë "provuar", por as edhe janë "ndikuar" nga regjimi komunist i atëhershëm. Prandaj ne kemi sot një brez të rinjsh në të 20-atat që nuk e durojnë klasën aktuale politike (nëse mund të quhet klasë), e cila është edukuar, apo formuar nën regjimin e mëparshëm.

3. Më tej, nuk mund të thuhet se tashmë kemi një klasë politike të formuar. Në vend të saj, kemi vetëm individë "të përjetshëm" që rrinë në pushtet, si pasojë e mentalitetit dhe praktikave feudale.

4. Asnjëri nga politikanët e sotëm nuk ka edukim që lidhet me shtet-formimin apo me shkencat e lidhura me të. Në vend të tyre, kemi individë me edukim në arte, sporte, veterinari, ose mjekësi, etj.

5. Në 20 vitet e fundit, shpesh herë janë emëruar në detyra të larta dhe kryesore politikanë tepër të rinj. Ata kanë sjellë vetëm imazh të ri, por vetëm imazhin, asgjë më tepër. Shumë prej tyre ishin të sapodiplomuar. Asnjëri nuk ka pasur diplomë të lidhur me shtet-formimin, por më së shumti kanë pasur diploma inxhinierie. Për eksperiencë në qeverisje as që bëhet fjalë.

6. Shqipëria nuk ka një traditë në kulturën politike. Kemi qenë 5 shekuj nën Perandorinë Otomane, pa as identitetin më të vogël politik tonin. Që nga viti i shpalljes së pavarësisë, 1912, regjimet që pasuan kanë qenë gjithçka, por vetëm demokraci jo. 50 vitet nën regjimin komunist kanë indokrinuar të paktën dy breza.

7. Pushtetet janë të dobëta dhe të politizuara. Rrogat e ulëta i çojnë nënpunësit të gjejnë "zgjidhje" të tjera, jashtë atyre ligjore.
8. NATO, SHBA, dhe BE po punojnë shumë për të përmirësuar situatën, Por ata janë aktorë të ndryshëm, dhe kanë interesa të ndryshme.

9. A do të përshkallëzohet situata? Nuk e mendoj. Ajo çfarë ndodhi (e ka fjalën për 21 Janarin, shën. përkth.) , sipas mendimit tim, ishte një cikël i pritshëm. Shoqëira është bërë më e ndjeshme. Përgjatë dy dekadave, paralelisht me problematikat, është zhvilluar dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile në jetën publike. Kjo është ajo çfarë ndodhi në rrugët e Tiranës në 21 janar.

Çështja e dytë, por e lidhur ngushtësisht me të parën, është situata e fqinjëve dhe e rajonit:
-Një Kosovë e dobët, aktualisht e paqeverisur dhe e panjohur zyrtarisht. (Më shumë se 90% e përbërë nga shqiptarë.)

-Një Maqedoni pa identitet, dhe me dyshime se kur do të njihet plotësisht si shtet. (1/3 e përbërë nga shqiptarë.) Nëse nuk njihet, kush e di se çfarë mund të ndodhë?
-Situata "greke" e Greqisë, ku priten të shpërthejnë trazira sociale nga një moment në tjetrin. Shuma stratosferike, miliradëshe janë transferuar në bankat zviceriane. Kush e di se si do përdoren këto para private? (aktualisht në këto ditë politika greke dhe Kisha greke kanë nisur një ofensivë për të destabilizuar Jugun e Shqipërisë. Në Greqi jetojnë rreth 600 mijë emigrantë shqiptarë.)


- Toka e askujt në Mal të Zi (Nën pronësi ruse e të të tjerëve...) (Russian and other ownership....).
-Një Serbi ku pushtetin se ka askush.
Pra, ka një boshllëk sigurie në rajon. Një boshllëk që lejon destabilizimin. Pas Shqipërisë, kush e ka rradhën? Ndoshta Ballkani do përballet me rrëmujën e fundit, në mënyrë që të gjendet zgjidhja finale. Ky është një vlerësim imi sipërfaqësor, jo një analizë e mirëfilltë.
Me respekt, Zeno JAHAJ

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)